Akuza e Haradinaj: – Në Shqipëri janë paguar media për të lobuar pro ndarjes së Kosovës. –

12.02.2019.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, hodhi akuza të forta në një intervistë për emisionin “Tempora” në Rtv Ora News, duke deklaruar se janë paguar para në Shqipëri dhe Kosovë në favor të projektit të ndarjes së Kosovës.

Pas këtyre lobeve, sipas Haradinaj, qëndron Rusia. Andaj shton se ky projekt tejkalon një individ, është një axhendë më e madhe.

“Në Shqipëri është lobu me pare për projektin e ndarjes. Gazetarë dhe analistë nga Kosova… kanë hyrë shumë para. Paratë e rusëve që përmendët kanë mbërritur deri te ju, kanë shti pare të madhe me nda Kosovën duke lobuar te mediat, televizionet, analistët, pushtetarët. Ajo është dhe në Kosovë. Është axhendë më e madhe. Putin është munduar disa herë të legjitimojë disa aneksime në perimetrin e vet. Presidenti Putin punon intensivisht me ja bashkue Republikën Srpska Serbisë. Ajo është një Putin Republikë. Kur thotë Vuçiç se nuk njoh kufirin mes serbëve në Bërnjak dhe Jarinë, dy kufijtë veriorë të Kosovës, ai po aludon dhe në kufijtë mes Serbisë dhe Srpska Republikës. Paratë e rusëve janë ato që lobojnë për ndarje”, tha Haradinaj.

Nga Eno Shkëmbi.- Gazeta Shekulli.