Akuzat e Ramës/ Ish-Kryeprokurori i EULEX: Basha nuk ka lidhje me hetimin e trafikimit të organeve
Akuzat e Ramës/ Ish-Kryeprokurori i EULEX: Basha nuk ka lidhje me hetimin e trafikimit të organeve
14 nentor 2020
Ish-Kryeprokurori i EULEX, John Clint Williamson thotë se kreu i PD, Lulzim Basha nuk është i përfshirë në hetimin e trafikimit të organeve.
Williamson ka sqaruar se cili ka qene roli i kryeopozitarit në atë kohë në Prishtinë, duke hedhur poshtë në këtë mënyrë akuzat që Rama ka drejtuar ndaj Lulzim Bashës.
“Unë nuk dua të hyj në çështje të brendshme politike në Shqipëri, ama sugjerimet se z.Lulzim Basha është i përfshirë në hetimin e trafikimit të organeve janë kategorikisht të pavërteta”, ka thënë ish-Kryeprokurori i Eulex për Ora.
Pjesë nga intevista
Zoti Williamson këtu në Shqipëri ka disa debate, pasi kryeministri Edi Rama akuzon Lulzim Bashën për këtë çështje. Mendoni se janë akuza politike për liderin e opozitës?
-John Clint Williamson: Po. Unë nuk dua të hyj në çështje të brendshme politike në Shqipëri, ama sugjerimet se z.Lulzim Basha është i përfshirë në hetimin e trafikimit të organeve janë kategorikisht të pavërteta.
Kjo natyrisht është për kohë të ndryshme. Por në kohën që unë isha drejtues i gjyqësorit në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë në 2002, Lulzim Basha punonte në zyrën time si ndihmës i posaçëm dhe oficer ligjor. Kur ato akuza m’u sollën mua nga një gazetar amerikan gjatë asaj kohe, ne zhvilluam një hetim paraprak, por nuk përparuam shumë në ketë çështje, pasi në atë kohë shumica e atyre akuzave ishin të bazuara në ngjarje që supozohej se kishin ndodhur në Shqipëri dhe ne nuk kishim autoritetin për të zhvilluar hetime aty.
Për këtë gjë fola me kreun e misionit të OKB-së, Michael Shiner, dhe ai më autorizoi që t’ia kaloja informacionin Karla del Pontes, kryeprokurores së krimeve të rënda për ish-Jugosllavinë. Pra ata e morën çështjen. Por gjatë kohës që ne në UNMIK po kryenim verifikime, e përjashtova qëllimisht Luli Bashën që të përfshihej në hetim. Sepse, siç e thashë, ai ishte një ndihmës ligjor pranë meje dhe nuk ishte prokuror.
Cili ishte roli i zotit Basha në hartimin e raportit tuaj përfundimtar për këtë çështje?
-John Clint Williamson: Në 2014, ai nuk kishte asnjë lidhje me këtë raport, aspak. Unë po kthehem pas në kohë në periudhën e UNMIK në 2002 kur ai punonte aty. Ai nuk kishte asnjë rol në hetim gjatë asaj kohe. Nga viti 2011 deri në 2014 ai ishte një funksionar i qeverisë shqiptare. Ne nuk kemi komunikuar fare me qeverinë shqiptare në lidhje me ecurinë e hetimit. Pra ai nuk kishte asnjë rol si gjatë kohës që ka punuar në UNMIK dhe as kur ishte kreu i Bashkisë së Tiranës. Pra ai nuk ka pasur asnjë rol në asnjë periudhë kohore kur unë po merresha me këtë çështje.
Gazeta Panorama
Super kriminel