Akuzat: – Rama sulmon BE-në, SHBA-në dhe Britaninë
Akuzat: – Rama sulmon BE-në, SHBA-në dhe Britaninë
– 03/02/21
Kryeministri ka goditur ashpër dje përfaqësuesin e Brukselit Gahler, ambasadoren amerikane dhe ambasadorin britanik në Tiranë. Duke përdorur terma të tipit: Me kë kujtojnë ata se flasin, Rama ka thelluar kursin e përplasjes me perëndimin.
Kryeministri Edi Rama ka dalë hapur dje me qëndrime antiperëndimore duke sulmuar partnerët europianë dhe amerikanë. Pas deklaratave se Shqipëria nuk do të presë BE-në, por do të hapet në tregjet e lindjes, pas kritikave për çështjen e vaksinave, Kryeministri Rama ka goditur ashpër dje me emër mbiemër përfaqësues të SHBA-së, BE-së dhe Britanisë. Shqetësimin e kancelarive perëndimore për zgjedhjet parlamentare dhe procesin e integrimit ai e ka përkthyer si ndërhyrje në punët e brendshme, duke zgjedhur një fjalor fyes për zyrtarët që i kishin artikuluar këto shqetësime.
Brenda pak minutave Rama sulmoi përfaqësuesit diplomatikë të SHBA e Britanisë në vendin tonë, Yuri Kim dhe Duncan Norman, dhe lëshoi komente fyese ndaj përfaqësuesit të lartë të Parlamentit Europian, Michael Gahler. Kryeministri që dikur ishte “gati të firmoste çdo dokument” që do i sillte BE dhe SHBA për Reformën në Drejtësi, sot u tregon derën perëndimorëve që i kërkojnë të bëjë zgjedhje të ndershme dhe të mos minojë procesin e integrimit europian.
Sulmet e Ramës
Duke iu referuar ambasadores amerikane Yuri Kim ai tha se nuk ka nevojë që t’i tregojë punën asnjë ambasador. “Unë nuk kam nevojë të ma thotë ambasadorja amerikane detyrën time. Kam shumë respekt për ambasadoren amerikane. Por mos ma nxirrni përpara ambasadoren amerikane ka thënë kështu apo ashtu. S’kam nevojë të ma kujtojë detyrën time asnjë ambasador, asnjë koordinator në PE. E di shumë mirë detyrën time karshi ligjit dhe karshi popullit shqiptar. Nuk e kuptoj dot akoma në vitin 2020, 30 vjet pasi kemi zgjedhur një sistem të përgjegjësisë individuale para ligjit t’iu kërkohet partive politike dhe kryetarëve të partive të mbajnë përgjegjësi pse njëri apo tjetri ka gënjyer”, -tha Rama.
Kim ka këmbëngulur në paralajmërimin e saj ndaj Ramës dhe kryetarëve të tjerë të partive politike në vend që të mos kandidojnë emra me të shkuar kriminale dhe të korruptuar. “Ndërsa partitë përgatiten për zgjedhjet, udhëheqësit do të mbajnë përgjegjësi për ata që garojnë nën flamurin e tyre. Ju lutemi kontrolloni kandidatët tuaj, mos fyeni votuesit, mos minoni demokracinë, mos promovoni korrupsionin”, apeloi Kim disa herë në mënyrë të përsëritur.
Në një kohë kur disa deputetë dhe disa kryetarë bashkie të PS-së humbën mandatet për shkak të së shkuarës kriminale, Rama thotë se nuk është përgjegjësi e tij të verifikojë emrat që ai zgjedh si përfaqësues politikë të partisë.
Kreu i rilindjes nuk u mjaftua vetëm me sulmin ndaj diplomates amerikane duke rezervuar një arsenal fyerjesh për Michael Gahler, Koordinatorin për Politikën e Jashtme dhe Zgjerimin në Parlamentin Europian, vetëm sepse ai i kishte kujtuar kushtet e BE-së për integrimin dhe përgojimet për BE-në.
“Nuk e njoh fare se kush është ky dhe as kam arsye pse t’i përgjigjem deklaratës së këtij në radhë të parë. S’e kam fare idenë se kush është ky. Këta janë mësuar të flasin kështu sepse për fat të keq furnizohen nga Tirana, “ushqehen” nga Tirana. Dhe nuk kanë minimumin etik kur hapin gojën. Me kë flet ai, me një shokun e vet? Ku është, në kafene? Në Babrru? Apo në Bruksel?
Që tregon kushtet dhe parakushtet, kur ne flasim për shëndetin, flasim për vaksinën. Ça do me thënë kjo? Që ne nuk meritojmë të kemi vaksinën sepse s’kemi dakordësi për zgjedhjet e 2019-ës? Këtë do na tregojnë këta ne? Apo do na tregojnë që ne nuk meritojmë të vaksinohemi njësoj si të gjithë të tjerët në Gjermani e Francë, meqë s’kemi rënë dakord për 5 qershorin. Dëngla dhe dokrra”, – u shpreh Rama. Ky reagim është i paprecedentë në politikën e Tiranës që për më shumë se dy dekada ka ndjekur rrugën e afrimit me BE-në. Po pse e sulmoi Rama Galher?! Eurodeputeti i kërkoi Ramës që të mos përgojonte dhe të mos provokonte BE-në, por të plotësonte kushtet e integrimit për të cilat ishte zotuar. “Qeveria në Tiranë nuk duhet të provokojë miqtë e Shqipërisë europiane, qoftë duke mohuar këto kushte apo duke përgojuar BE për ndihmën e saj ose duke bërë marrëveshje me palë të treta në shkelje të ligjit europian”, – tha ndër të tjera përfaqësuesi i Parlamentit Europian.
Me një nervozizëm të dukshëm Rama dje nuk kurseu as ambasadorin britanik në Tiranë, i cili kishte komentuar fenomenin e vjedhjes së votave në zgjedhje. “Ambasadori britanik nuk e kuptoj pse është kaq i përfshirë në procesin e zgjedhjeve në Shqipëri. Meriton respekt por nuk e kuptoj pse është kaq i përfshirë kur vjen puna për zgjedhjet”, -tha Rama. Duncan Norman u shpreh se në vend vazhdon ende fenomeni për blerjen e votave dhe kërkoi transparencë nga partitë politike sa i takon financimit të tyre.
Ndërkohë që shqetësimet e miqve perëndimore drejtohen kryesisht për futjen në lista të njerëzve me të shkuar kriminale, ku rilindja e kryesuar nga Rama, ka thyer rekord, kryeministri në fund sulmoi dhe ligjin për dekriminalizimin, i vetmi mekanizëm që i ndalon këta njerëz të futen në parlament. Ai e ka cilësuar ligjin e dekriminalizimit shkelje të të drejtave të njeriut. Sipas Ramës, në çdo vend disa vite pas një krimi konsiderohesh i larë.
“Bota pas disa vitesh të konsideron të larë. Zgjedhja për demokraci është e drejta të gabosh pa u pushkatuar. Ne kemi bërë një ligj që e shkel këtë të drejtë themelore. Ndaj asnjë parti nuk e ka çuar në Gjykatë Kushtetuese sepse ky ka qenë kompromisi. Të jemi të qartë se u bë sikur jemi në malin Athos dhe bëjmë moral pa lidhje dhe kërkojmë llogari në adresa të gabuara”, -tha ai.
Nuk është hera e parë që kryeministri shqiptar tregon hapur mosrespektimin e linjës perëndimore të vendit tonë, jo vetëm me fjalë, por edhe me veprime konkrete që e kanë minuar procesin e integrimit në BE. Në korrik të vitit të shkuar ai shkeli marrëveshjen politike për reformën zgjedhore duke rrezikuar çeljen e negociatave. Nga ana tjetër i pëlqen të shfaqet në krah të presidentit turk apo të paralajmërojë BE-në se do të konsiderojë orientimin drejt tregjeve të lindjes.
Gazeta Mapo