Alabbar tërhiqet nga projekti “Porti i Durrësit” dhe nga Shqipëria
11 Dhjetor 2023
Më 17 prill të vitit 2021, një javë para zgjedhjeve parlamentare të atij viti, Edi Rama dhe Belinda Balluku iu prezantuan shqiptarëve investitorin arab, Mohamed Alabbar dhe projektin për portin turistik të Durrësit.
Në atë kohë, u tha se si investimi prej më shumë se 2 miliardë dollarë do të transformonte Shqipërinë, do të hapte vende të reja pune dhe sillte turizmin elitar në vend.
Dalja e Alabbar u pasua pak muaj pasi Rama fitoi zgjedhjet me miratimin në Kuvend të një ligji të posaçëm për portin e Durrësit dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje në nëntor të vitit 2022.
Sipas ligjit dhe marrëveshjes së nënshkruar, qeveria shqiptare i fal mbi 800 mijë metër/katrorë truall me vlerë mbi 400 milionë dollarë në Portin e Durrësit investitorit arab, Mohamed Alabbar, ndërsa ky i fundit zotohet të investojë 2 miliardë dollarë për kulla e resorte me premtimin për të shndërruar këtë port në portin më të madh të jahteve në Mesdhe.
U tha se investimi do të niste në fillim të vitit 2023.
2023-shi është duke u mbyllur dhe të vetmet gjurmë të investimit janë barrikadat rrethuese në disa pjesë të portit dhe njoftimi i kompanisë së Alabbar për nisjen e shitjes së apartamenteve dhe njësive të tjera të biznesit që nuk ekzistojnë ende.
Sot, dy vite e gjysmë nga koha kur Edi Rama e Belinda Balluku prezantuan Alabbarin, projekti që iu shit shqiptarëve para zgjedhjeve si një investim strategjik që do t’u ndryshojë rrënjësisht jetën, rezulton të jetë një mashtrim strategjik edhe më i madh se ai i piramidave në mesin e viteve ’90.
Burime të Voxnews.al tregojnë se investimi ka ngecur për shkak të një hetimi ndërkombëtar të nisur ndaj Alabbar.
Ky i fundit dyshohet se përmes projektit ‘Belgrade Waterfront’ ka financuar terrorizmin, më konkretisht organizatën e Hamasit në Rripin e Gazës.
Hetimi është sinjalizuar për herë të parë në tetor nga Boban Bogdanoviç, Sekretar i Përgjithshëm i Institutit për Strategjitë Euro-Atlantike.
Hetimi ndërkombëtar ndaj Alabbar nuk ka nisur për projektin e Portit të Durrësit, por për atë të Beogradit, me kosto mbi 3.5 miliardë dollarë.
Punimet për këtë projekt kanë nisur që në mars të vitit 2014-të dhe gati një dekadë më vonë, nuk janë përmbyllur as 60 për qind e investimeve të parashikuara në planin fillestar.
Marrëveshja e nënshkruar në atë kohë mes Aleksandër Vuçiç dhe Alabbarit u qortua nga Bashkimi Europian edhe për shkak se shumë prej punonjësve të importuar nga Lindja e Mesme e përdorën Serbinë si trampolinë për të emigruar në vendet perëndimore.
Por, emigrantët duket se kanë qenë ana më pak e errët e investimit të Alabbarit. Ana tjetër janë dyshimet për financim të terrorizmit të cilat po hetohen nga agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare, përfshirë këtu të disa vendeve perëndimore.
Pak pas nisjes së këtij investigimi, ndaj Alabbar regjistroi një procedim edhe India. Për këtë procedim, policia e New Delhit kërkoi të marrë në pyetje në korrik të këtij viti investitorin arab për dyshimet e përfshirjes në një skemë mashtrimi financiar me një projekt ndërtimi.
Me të paktën dy hetime ndërkombëtare ndaj tij, Alabbar ka nisur që të shesë kompanitë dhe aksionet që ka në kompani të tjera në emër të kompanisë mëmë Emaar.
Dy prej tyre janë shitur tashmë dhe bëhet fjalë për një kompani me aktivitet në zinxhirin e ushqimit dhe ‘Fast Food’ dhe një tjetër me një rrjet global supermarketesh.
Blerësit janë kryesisht investitorë të tjerë arabë, ose nga Lindja e Mesme, duke përforcuar dyshimet se Mohamed Alabbar po përpiqet që të shmangë sanksionet e mundshme ndërkombëtare për financim të terrorizmit.
Pjesë e këtyre sanksioneve mund të jetë nesër edhe projekti për ndërtimin e portit turistik të Durrësit dhe kjo duket se është arsyeja se përse Alabbar de facto është tërhequr nga ky investim dhe pritet vetëm zyrtarizimi i kësaj tërheqjeje.
Megjithatë, dëmi i shkaktuar ndaj shqiptarëve shkon në dhjetra milionë euro.
Së pari, janë ata që kanë paguar dhe blerë apartamente, apo njësi biznesi në ajër me çmime marramendëse.
Së dyti është humbja prej 60 milionë eurosh, investim i Bashkimit Europian për zgjerimin e kapaciteteve të portit tregtar aktual të Durrësit dhe së treti mbi 400 milionë eurot e parashikuara për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano me para të taksapaguesve shqiptarë.
Tërheqja e Alabbar përbën skandalin më të madhe të qeverisjes 10-vjeçare të Edi Ramës.
Ndoshta kjo është arsyeja se përse në këto kohë, Edi Ramës dhe Belinda Ballukut u intereson një tjetër zhurmë me inceneratorët për të hequr vëmendjen nga megaskandali i mashtrimit më të madh që u kanë bërë shqiptarëve, që prej kohës së skemave piramidale. / Vox News
Gazeta Dita