Alarm i kuq në Ministrinë e Financave; Rritje e frikshme të borxhit të fshehur. Këtë vit shkon 70 mld lekë, 27% më shumë nga viti i kaluar
Alarm i kuq në Ministrinë e Financave; Rritje e frikshme të borxhit të fshehur. Këtë vit shkon 70 mld lekë, 27% më shumë nga viti i kaluar
15 gusht 2020
Nuk është i largët viti 2013, kur morali i qeverisë në ikje ra përdhe edhe nga paaftësia për të shlyer 72 miliardë lekë borxhe ndaj bizneseve dhe individëve, të cilat ishin krijuar ndër vite nga kontratat e papaguara për punë e shërbime, nga faturat e vendimeve të gjykatave, mosrimbursimi në kohë i TVSh-së etj.
Kjo praktikë e dëmshme, që u bë shkak për dobësimin e ekonomisë dhe rritjen e borxhit publik me të paktën 5,3%, nuk duhet të ishte përsëritur, pasi leksioni i hidhur i 2013-s, solli një seri ligjesh dhe udhëzimesh që e parandalonin rikthimin e tyre. Donatorët, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar investuan miliona euro asistencë teknike për të forcuar kapacitetet e menaxhimit, në drejtim të moskrijimit të borxheve të fshehura. Ende pa përfunduar shlyerja e valës së parë, nisi krijimi i detyrimeve të reja.
Që nga viti 2014 deri në vitin 2020, borxhet jashtë llogarive fiskale, zëri që përfaqëson detyrimet e prapambetura, arritën në 70 miliardë lekë, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, nivel thuajse i njëjtë me atë të vitit 2013. Stoku i detyrimeve të fshehura u zgjerua me 27% brenda vitit, për shkak se tashmë janë kontabilizuar edhe rreth 100 milionë euro të fituara kundër Shqipërisë nga biznesmeni Francesco Becchetti, në gjykatat ndërkombëtare.
Drejtoria e Përgjithshme e Harmonizimit të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik, pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, zbuloi në një raport të posaçëm, se në vitin 2019, mbi 46% e faturave të detyrimeve të prapambetura nuk janë kontabilizuar brenda afatit prej 30 ditësh në sistemin e Thesarit (SIFQ).
Për herë të parë, kjo drejtori, që ushtron edhe funksionet e auditit në qeveri, vuri alarmin e kuq, duke e konsideruar me risk të lartë krijimin e detyrimeve të prapambetura. Procesi i auditit zbuloi se krijimi i detyrimeve erdhi nga keqfunksionimi i të gjithë zinxhirit, që nga procesi i planifikimit e deri te përdorimi i fondeve, teksa akumulimi i tyre ka dalë jashtë kontrollit, kryesisht prej kapaciteteve të mangëta menaxhuese.
Burime nga Drejtoria e Thesarit në Ministrinë e Financave shpjeguan se detyrimet e prapambetura, gjatë kësaj periudhe, janë krijuar kryesisht nga katër arsye kryesore. Së pari, në disa raste, kontratat për investime realizohen përtej parashikimeve buxhetore.
Së dyti, autoritetet kontraktuese ndryshojnë destinacionin e fondeve nga një projekt në një tjetër. Shpesh, projekti i ri ka nevoja më të mëdha për financime dhe bëhet shkak për akumulim detyrimesh. Së treti, problematike në drejtim të krijimit të detyrimeve mbetet fakti se 70% e fondeve për investime apo mirëmbajtje alokohej në dy muajt e fundit. Së katërti, autoritetet kontraktore vuajnë nga një nivel i ulët menaxhimi, shpjegoi burimi nga Drejtoria e Thesarit.
Ish-drejtori i Auditit të Buxhetit në Kontrollin e Lartë të Shtetit, Azmi Stringa, tha se, gjatë kontrolleve në një vit, çeljet e thesarit ishin 60 miliardë lekë më shumë se buxheti i miratuar.
Zoti Stringa tha se ligjet që parandalojnë krijimin e detyrimeve janë të rrepta, por nuk janë zbatuar, shumë persona duhet të hetoheshin, por deri më tani, nuk është marrë as edhe një masë administrative, tha ai.
Stoku i detyrimeve të prapambetura tashmë ka dalë jashtë kontrollit edhe sipas Drejtorisë së Auditit të Qeverisë në Ministrinë e Financave, e cila dha alarmin që paraqet rritja e tyre në një raport të posaçëm. Audituesit e qeverisë, për herë të parë, kanë nënvizuar me ngjyrë të kuqe dhe me germa kapitale rrezikun e lartë që po buron nga borxhi i fshehur. 90% e këtij detyrimi mbi 50 miliardë lekë do të mbartet në llogaritë fiskale përtej këtij mandati qeverisës, sipas planifikimit afatmesëm të Ministrisë së Financave në rishikimin e fundit të kuadrit fiskal.
Ligji për Menaxhimin Buxhetor në RSH është shumë i rreptë për marrjen e angazhimeve (firmosje kontratash) nga institucionet publike pa pasur fondet në dispozicion. Kur nëpunësi autorizues i njësisë së qeverisjes së përgjithshme merr përsipër angazhime jashtë fondeve të parashikuara në buxhet ose në kundërshtim me këtë akt apo akte të tjera ligjore është përgjegjës për shlyerjen e detyrimit.
Pra e thënë thjesht, nëse firmoset një kontratë pa fonde buxhetore e cila sjell pastaj detyrime të prapambetura këto nuk do t’i paguajnë qytetarët me taksat e tyre, por titullari i institutionit që ka shkaktuar me veprimet e tij të kundraligjshme këtë detyrim.
Ajsbergu i detyrimeve të fshehura
Para se qeveria Rama të autorizonte një audit nga ‘Deloitte & Touche’ në vjeshtën e vitit 2013, për të zbardhur në mënyrë të pavarur borxhin e fshehur, aludohej se shifra e detyrimeve ishte jo më shumë se 15 miliardë lekë, rreth 110 milionë euro me kursin e këmbimit të asaj kohe. Në janar të vitit 2014, pas një auditimi rreth dymujor, Deloitte raportoi se, faturat e pashlyera përbënin rreth 72 miliardë lekë, ose 518 milionë euro me kursin e këmbimit të kohës. Shuma, e cila ishte sa 5,3% e PBB-së, u mor hua në formën e mbështetjes buxhetore nga FMN dhe Banka Botërore.
E njëjta situatë rrezikon të përsëritet. Nga një audit i pathelluar në institucionet dhe entet publike, Ministria e Financave ka zbardhur një vlerë detyrimesh prej 69,9 miliardë lekësh për këtë vit, që rrezikon të rritet nëse të gjitha institucionet që përdorin fonde buxhetore auditohen. Por në vitet në vijim, borxhi i fshehur do të jetë nën presionin e faturave të larta të kontratave koncesionare PPP.
Vlera e lartë e këtyre kontratave, nga njëra anë, dhe burimet e kufizuara në të ardhurat buxhetore, për shkak edhe të efekteve të pandemisë Covid-19, rrezikon të çojë borxhin jashtë llogarive fiskale në nivele të papërballueshme. Qeveria ka shteruar arsenalin fiskal për të shlyer faturat e fshehura, duke e rritur borxhin zyrtar përtej nivelit 80%, ndërkohë që taksat dhe tatimet gjithashtu e kanë konsumuar hapësirën e rritjes, pasi Shqipëria e ka nivelin e tyre më të lartin në rajon. Borxhi i fshehur rëndon mbi Ministritë e Shëndetësisë, Arsimit, Transportit
Në nivel të përgjithshëm, stoku 12-mujor i detyrimeve të prapambetura për vitin 2019 është rritur me 33% krahasuar me stokun e detyrimeve të vitit paraardhës 2018. Specifikisht, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme rezultojnë me shkallën më të lartë të reduktimit të detyrimeve nga viti 2018 në vitin 2019.
Ndërkohë që, disa ministri të tjera rezultojnë me një nivel më të lartë detyrimesh në vitin 2019 krahasuar me një vit më parë, ku rritjen më të lartë e ka pasur Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Brendshme, të cilat janë vlerësuar me 1 pikë.
Nga: Monitor