14 Shkurt 2024

Numri i mjekëve dhe infermierëve të shërbimit parësor që përfshihen qendrat shëndetësore, ambulancat dhe poliklinikat vijon të ketë rënie. Pakësimi i stafeve mjekësore është më i lartë në zonat rurale. Nga të dhënat e mbulimit shëndetësor për vitet 2019-2022 të vendimit për profilin e zgjeruar kombëtar të emigracionit për vitet 2019-2022 rezulton se në shërbimin parësor rënia më e lartë është te mjekët e familjes.

Pranë shërbimit parësor të zonave urbane për vitin 2022 ishin të punësuar 814 mjekë. Numri i tyre ra 3% krahasuar me një vit më parë. Numri i infermierëve ishte 3,693 në vitin 2022. Në raport me 2021 numri i tyre u rrit 31%. Ndërsa në shërbimin parësor të zonave rurale numri i mjekëve për 2022 ishte 637. Krahasuar me vitin paraardhës numri i tyre ra 4. Ndërsa numri i infermierëve për 2022 u pakësua 23%.

Sipas strategjisë migrimi i brendshëm është faktori kryesor që ka ndikuar në konfigurimin e stafeve mjekësore dhe qasjen në shërbime.

“Migrimi i brendshëm i popullsisë kryesisht prej zonave rurale drejt zonave urbane ka ndikuar pashmangshmërisht edhe në ndryshimin e raporteve të mjekëve dhe infermierëve me popullsinë e këtyre zonave. Rënia më e theksuar është në grupimin e mjekëve të zonave rurale, edhe për shkak të prirjes së njëjtë që shfaq edhe popullata e mjekëve për të lëvizur drejt zonave urbane”, citohet në vendim.

Mjekët e familjes pohojnë se rënia e stafeve mjekësore po krijon vështirësi në marrjen e shërbimeve, veçanërisht nga pensionistët, pasi të moshuarit dhe te sëmurët kronike nuk mund të marrin dot recetat e rimbursueshme, që fillimisht firmosen nga mjeku i familjes.

“Mjekësia familjare është kapilare dhe nënkupton shërbimin sa më afër pacientit. Duke munguar mjekët e familjes pacientët nuk marrin shërbimin e duhur e në kohë. Bëhet fjalë për të sëmurë kronike që duan kujdes të vazhdueshëm . Bie cilësia e ofrimit të shërbimit, të sëmurët nuk arrijnë të pajisen në kohë me ilaçet e rimburisimit ose rekomandimet e duhura.

Aq me tepër këto mungesa të mjekëve të familjes ndjehen në situata virozash si kjo që po kalojmë. Mbingarkesa e mjekëve të familjes me pacientë ose në disa raste dhe mungesa e mjekut në atë zonë shkakton probleme te të sëmurët që detyrimisht do t’i drejtohen urgjencave të spitaleve bashkiake ose QSUT-së”, pohon Elizabeta Musta mjeke e familjes në Qendrën Shëndetësore të Kamzës. Për vitin 2022 sipas të dhënave të INSTAT pranë qendrave shëndetësore, ambulancave dhe poliklinikave janë kryer rreth 8,4 milionë vizita nga mjekët. Numri i vizitave mjekësore është rritur 3,5% në raport me vitin paraardhës.

Në qendrat shëndetësore për vitin 2022 sipas të dhënave të INSTAT numri më i lartë i vizitave ka qenë për pacientët e moshës mbi 14 vjeç. Numri i vizitave për këtë kategori pacientësh arrinin në 2,8 milionë vizita. Ndërsa numri i vizitave mjekësore për pacientët mbi 60 vjeç arrinte në 1,7 milionë vizita.

Edhe në ambulancë numri më i lartë i vizitave të kryera nga mjekët për 2022 ishte për pacientët e moshës mbi 14 vjeç me përkatësisht 1,4 milionë vizita. Numri i vizitave për pacientët mbi 60 vjeç arriti në 692 mijë vizita.

Monitor

Nga Gazeta Dita