31 Tetor 2022

Emigrimi masiv, sidomos i të rinjve, është rikthyer fort pas pandemisë. Shqiptarët po largohen, shkruan “Monitor”, duke rrezikuar jetën njësoj si në luftë, së fundmi duke kaluar detin nga Franca në Britani me gomone.

Largimi masiv i shqiptarëve shpjegohet vetëm nga teoria e fituesit të çmimit “Nobel” në ekonomi (2001) George Akerlof, sipas të cilit, sa më shumë njerëz largohen nga një vend, aq më pak tërheqës bëhet që të tjerët të qëndrojnë. Bizneset, pa përjashtim në të gjithë sektorët, e konsideruan mungesën e fuqisë punëtore për shkak të emigracionit sfidën më të madhe të aktivitetit më 2022. Numri i atyre që janë larguar është aq i madh këtë vit, saqë konsumi ka pësuar rënie të beftë në shumë artikuj, si brumërat. Shqipëria humbi miliarda dollarë nga investimet në arsim, kurse sistemi i pensioneve po vihet në rrezik. Bizneset po humbin mundësitë për zgjerim nga mungesa e punonjësve, teksa emigracioni po krijon rrethin vicioz në produktivitet.

SITUATA

Shqipëria nuk është një vend në luftë, por ngjan si e tillë. Të rinjtë shqiptarë, shpesh minorenë, gra me foshnja, madje edhe të moshuar, vazhdojnë të largohen nga vendi në një mënyrë që rrezikojnë seriozisht jetën, së fundmi nëpërmjet një udhëtimi rraskapitës që zgjat 7-9 orë me mjete primitive lundrimi nga Franca drejt Britanisë së Madhe, njësoj si në vitet pas rrëzimit të komunizmit. Të dhënat zyrtare të Autoriteteve Britanike tregojnë se rreth 5000 shqiptarë kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në vendin e tyre dhe janë regjistruar si azilkërkues në periudhën janar-qershor 2022. Gjysma e tyre kanë hyrë në vend me gomone, shumica të rinj. Komuniteti Europian, nëpërmjet, Eurostat, raportoi se gjatë janar-gushtit të këtij viti kanë kërkuar azil mbi 5 mijë shqiptarë, ndërsa mijëra të tjerë ikin me kontrata pune, me punë të përkohshme, bashkim familjar, për studime etj.

Nga viti 2011 deri më 2021 u larguan nga vendi 214 mijë persona, sipas matjeve që vijnë nga metodologjia e emigracionit neto të INSTAT, por në vitin 2022, fenomeni është bërë më agresiv, pasi bizneset në sektorin e tregtisë pohojnë se ka rënie të menjëhershme në konsum, teksa të gjithë sektorët, pa përjashtim edhe ai publik, janë në emergjencë për punonjës. Nga viti 2008 deri në 2020-n, rreth 700 mijë shtetas shqiptarë kanë marrë leje qëndrimi në një nga shtetet e Bashkimit Europian. Mijëra të tjerë jetojnë në mënyrë të paligjshme. Censusi për regjistrimin e popullsisë, i parashikuar për këtë vit, u shty, por të dhëna të tërthorta nga INSTAT dhe anketa e emigracionit tregojnë se kanë ikur nga vendi rreth 700 mijë persona pas vitit 2010, teksa ritmet e largimit janë përshpejtuar pas pandemisë, sidomos këtë vit.

PSE PO IKIN

Për shumë vende europiane nuk është i kuptueshëm se pse kaq shumë njerëz largohen nga një vend i begatë me burime natyrore, duke rrezikuar edhe jetën dhe ku sistemi i qeverisjes është demokratik. Imagjinoni një 15-vjeçar nga një fshat në Veri të vendit, i cili flet me vëllain e tij të madh që jeton në Londër, që ka vetëm disa muaj atje dhe bën një jetë të pëlqyeshme.

Imagjinoni të tjerët që shpesh jetojnë në familje me minimumin jetik, që shohin profilet e të afërmve të tyre jashtë vendit në rrjetet sociale. Tani të rinjtë shqiptarë masivisht, nuk ëndërrojnë që të formohen me profesione, si një mënyrë për të ndërtuar jetën kur të rriten. Emigracioni është kthyer në aspiratë, në mendësi dhe po konkurron çdo alternativë që ofrohet së brendshmi. Besmir Muslia, një mësues në ciklin 9-vjeçar në Shemri të Kukësit, thotë se pa përjashtim, nxënësit atje duan të emigrojnë, ikin pa mbaruar ciklin 9-vjeçar. Situata nuk ishte shumë problematike deri 10 vite më parë, pasi Shqipëria doli nga komunizmi me një popullsi të re në moshë dhe emigracioni ishte si një lehtësim për papunësinë galopante.

Mirëpo, emigrimi sistematik në 30 vite tranzicion e ka tkurrur popullsinë e vendit deri në atë pikë sa tani e gjithë shoqëria është në emergjencë për njerëz. P.sh., sektori i ushtrisë po vuan për mekanikë, kur dihet se shumë mjete që ajo disponon kanë nevojë për mirëmbajte. Drejtues të një reparti të mjeteve të rënda pohuan se, konkursit të hapur për mekanik nuk po i përgjigjej askush. Tani reparti po mban në punë një person që ka mbushur moshën e pensionit. Në sektorin privat të gjithë aktivitetet e biznesit pa përjashtim këtë vit renditën si sfidën më madhore mungesën e punonjësve. Ekonomia e Shqipërisë është rritur mesatarisht me 3% në dekadën e fundit, por kjo nuk është përkthyer në standard më të lartë ekonomik për shqiptarët, pasi gati një e treta e popullsisë (mbi 30%) ishin në varfëri vitin e kaluar, sipas përcaktimeve të Bankës Botërore, niveli më i lartë në Europë.

PASOJAT

Me përfundimin e pandemisë Covid-19, vala e ikjeve nga Shqipëria është rritur ndjeshëm, sidomos në vitin 2022, ku një kanal i ri emigracioni në Britaninë e Madhe, me gomone nga Franca po zbraz vendin shpejt. Mungesa e kapitalit njerëzor tani është kthyer në shqetësim për rritjen ekonomike të vendit, teksa në afate më të gjata, sistemi i pensioneve, kujdesi social dhe cilësia e demokracisë, në mungesë të një popullsie të re në moshë, do të përkeqësohet. Ikjet e mëdha i kanë vënë në vështirësi bizneset në të gjithë sektorët.

Pas pandemisë Covid-19, dhe luftës në Ukrainë, kishte kërkesë të lartë nga jashtë për të prodhuar në Shqipëri, por bizneset po i refuzojnë për shkak të mungesës së punonjësve. Kriza e burimeve njerëzore fillimisht u shfaq në fabrikat e fasonit, por tani është përhapur me shpejtësi në të gjithë sektorët. Kompanitë e transportit urban në Tiranë po përballen me rënie të numrit të pasagjerëve si rrjedhojë e emigracionit të lartë. Operatorët kryesorë të linjave urbane në kryeqytet thanë se aktualisht, numri i pasagjerëve është 40% më pak se viti 2019, që konsiderohet periudha para krizës. Sipas të dhënave të Bashkisë së Tiranës, në periudhën janar-qershor 2021, numri i pasagjerëve që përdorin transportin publik është 49% më pak se e njëjta periudhë e 2019-s. Për 6-mujorin e parë të 2021, rreth 50% e pasagjerëve përdorën abone. Zbrazja po ndodh aq shpejt dhe tani efektet ndihen shumë. Popullsia është zvogëluar, saqë edhe kompanitë e sigurimit, thonë se, aktiviteti i tyre po ndikohet jashtëzakonisht keq nga emigrimi.

INVESTIMET E HUMBURA NË ARSIM

Njerëzit, si kapitali më i çmuar në një shoqëri, kur emigrojnë, i krijojnë humbje të mëdha vendit, edhe në aspektin ekonomik. Dëmi i drejtpërdrejtë matet në sektorin arsimor. Sipas përllogaritjeve të Institutit “Aspen” me qendër në SHBA, kostot e edukimit për një person me shkollë të mesme në Shqipëri janë 18,283 euro. Në vendet e tjera të Ballkanit, kostot janë më të larta se në Shqipëri.

Me një përllogaritje të thjeshtë, Shqipërisë i kanë humbur mbi 4 miliardë euro, nëse supozojmë se 228 mijë persona që kanë ikur 10 vitet e fundit ishin të gjithë me shkollë të mesme. Në varësi të nivelit të arsimimit, shoqëria investon në edukimin e individëve deri në njëzet vjet në disa raste. P.sh., për përgatitjen e personi me shkollë doktorale, sistemi publik në Shqipëri harxhon deri në 32 mijë euro. Me emigrimin e të rinjve të arsimuar, investimet përkthehen në humbje ose bëhen investime në vendet e destinacionit, të cilat përfitojnë njerëz të arsimuar pa shpenzuar para.

RRITJA E PAGAVE

Anketat rajonale kanë gjetur se 80% e shqiptarëve emigrojnë për arsye ekonomike. Të ardhurat nga pagat në Shqipëri janë më të ulëtat në Europë dhe 30% më pak se mesatarja rajonale. Bizneset në Shqipëri po mendojnë të përdorin pagat si mjet për të frenuar emigracionin, por sado që të jetë rritja, është e vështirë të plotësohet hendeku. Të dhëna të tjera nga INSTAT tregojnë se bizneset në Shqipëri investojnë shumë pak te kapitali njerëzor. Nga viti 2016 deri në vitin 2020, investimet në trajnimin profesional të punonjësve kishin rënë nga 20-80% sipas aktiviteteve ekonomike, raportoi Instat, ndërsa Kodi i Punës nuk respektohet në shumë aspekte të tij.

Gazeta Panorama