Alarmi për Prespën e Vogël/ Arsyeja e pashpjegueshme shkencërisht që po e kthen liqenin nga perlë të natyrës, në kënetë!

Banorët kujtojnë Prespën e Vogël të dikurshme dhe thonë se janë të shqetësuar që kjo sipërfaqe të kthehet në kënetë

15 Janar 2020

Dikur një perlë e natyrës, një nga ekosistemet më të rëndësishme liqenore, sot Liqeni i Prespës së Vogël ka degraduar duke humbur krejtësisht sipërfaqen ujore…Vetëm emri i ka mbetur liqen, sepse kudo ka vetëm kallamishte.

Banorët kujtojnë me keqardhje Prespën e Vogël, liqenin plot jetë brenda tij, nga i cili siguronin edhe të ardhura përmes peshkimit. Sipas tyre dëmi kolosal që i është bërë Prespës së Vogël i faturohet periudhës së komunizmit gjatë së cilës u vendos që rrjedha e lumit Devoll të derdhej në Prespën e Vogël. Ata i druhen edhe kthimit të kësaj sipërfaqe të tejmbushur me kallamishte në një kënetë.

Prespa

“Para viteve ’90 ka qenë shumë e pastër ka qenë si Prespa e Madhe. Më pas futën ujin e Devollit dhe tani mbaroi, është bërë si kënetë. Ka pasur brigadë peshkimi dhe më pas kishte peshk. Por tani peshk as që bëhet fjalë vetëm kallamishte”, tha një banor.

“Liqeni i Presës së Vogël ka qenë një nga më të mirët, i pastër shumë ka pasur peshk. Ne mbaheshim me këto gati 10-15 kg peshk në ditë, por tani nuk asgjë”, tha një tjetër banor.

“Kur erdha nuse këtu kishte Brigadë Peshkimi, kishte shumë peshq. Tani vetëm kallamishte, këtu do bëhet kënetë. Do na çajnë mushkonjat”, tha një banore.

Pjesë e Brigadës së Peshkimit dikur në këtë liqen, një nga peshkatarët na tregon mjerimin e Prespës së Vogël sot.

“Kjo është në gjendje të mjerueshme. Ndërhyri u fut Devolli dhe solli pisllëqe medikamentesh. Ishte ngjala, ishte krapi. Punonim shumë këtu sepse kishte shumë peshq”, tha peshkatari.

Drejtori i Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura Korçë, Mihallaq Qirjo, tregon se e gjitha kjo ka ardhur si pasojë e veprimit të faktorit njerëzor.

Liqeni i Prespes

“Nga 450 hektarë, 430 janë mbuluar me kallamishte. Është një e keqe që nuk mund të kthehet pas. Është një fenomen i cili është studiuar nga ekspertët nga administrata me konsulencë dhe deri te shkencëtarë të huaj e vendas dhe nuk është gjetur një zgjidhje për ta rikthyer në gjendjen e mëparshme”, tha Mihallaq Qirjo.

Ndërkohë Qirjo bën me dije se edhe në këtë situatë ky liqen ka vlera të larta natyrore dhe është menduar që të priten sasi kallamash të studiuara të cilat do të përdoren si lëndë e parë për ngrohëse.

Liqeni i Prespës së Vogël ose Prespa e Vogël është një liqen i përbashkët mes Greqisë (42.5 km²) dhe Shqipërisë. Fshatrat përreth liqenit në Shqipëri janë Shuec i Devollit, Zagradec (Buzëliqen) dhe Tren.

G.M./a.m./Shqiptarja.com