Albanologjia në gjendje alarmante, konferencat dhe botimet shkencore i paguajnë vetë studiuesit. –
Albanologjia në gjendje alarmante, konferencat dhe botimet shkencore i paguajnë vetë studiuesit. –
Albanologjia shqiptare prej vitesh është pa buxhetet që kërkojnë studiuesi për punën studimore. Ata pohojnë se janë në një situatë, ku qeveritë ndër vite nuk kanë ndryshuar këtë gjendje që siç pohojnë ata janë në mjerim sa i takon botimeve në gjuhë të huaj, për pjesëmarrjen në konferenca ndërkombëtare, pa dieta për punën etj. Prof. dr. Josif Papagjoni pohon se prej vitesh vëmendja e shtetit ka qenë periferike për albanologjinë. “Mendoj se në vëmendjen e shtetit ka qenë periferike, të gjitha qeveritë, djathtas apo majtas. Për mua është një handikap i dhimbshëm për të gjithë ne, sepse një shtet, një komb, një popull duhet të nxjerrë në pah dhe të mbrojë gjithë shenjat dhe burimet e veta shpirtërore pikërisht nëpërmes hulumtimeve e studimeve albanologjike. Pra, në atë çka ne jemi, identitetin tonë, historinë, gjuhën, antropologjinë, folklorin, letërsinë, artet, gjithçka që lidhet me frymën dhe qenësinë tonë si komb”, thotë prof. dr. Papagjoni. Institutet e albanologjisë tashmë janë të përfshira në Akademinë e Studimeve Albanologjike, dhe sipas prof. dr. Josif Papagjonit kjo vlerësohet, duke shtuar se albanologjia është unike. “E çmoj të rëndësishme ngritjen së fundmi të statusit të Qendrës së Studimeve Albanologjike në një Akademi. Albanologjia është unike, është mirëfilli e jona, shqiptare. Pra gjithçka dhe gjithë mendimi albanologjik që promovohet nëpër botë të ketë si fokus këtë akademi”, tregon prof. dr. Josif Papagjoni. Sipas tij, nëse në këtë drejtim ka pasur së fundmi një vlerësim institucional, përkundrazi mungon vlerësimi që duhet të vijë nga qeveria me mbështetjen financiare për të realizuar studime shumëplanëshe dhe kolana botimesh serioze të shumta në të gjitha fushat e albanologjisë. “Nëse nuk akordohen fondet të caktuara për hulumtime, pasurime, gjurmime në fushën e antropologjisë, folklorit, gjuhësisë, arkeologjisë, historisë etj, studimet do të vuajnë nga varfëria dhe një farë empirizmi, me mungesë thellimesh dhe begatimesh që vijnë si pasojë e zbulimeve të reja në të gjitha fushat identitare. Unë dhe një herë të apeloj fort, ndoshta dhe në emër të gjithë studiuesve të Akademisë së Studimeve Albanologjike, që syri i qeverisë mos ta rrisë më tej dioptrinë e vet politike, por të shikojë tej që këto fusha të dijes të bëhen primare për identitetin tonë”, pohon kritiku i artit. Në reagimin e tij ai më tej shprehet se përballë gjithë këtyre problemeve me punën e studiuesve, ende nuk kemi një Enciklopedi të kompletuar të botës shqiptare. “Së paku t’i afrohemi vendeve fqinje ballkanike, sepse fondi i akorduar krahasuar me ata, është shumë më i ulët. Ende nuk kemi një Enciklopedi të kompletuar të botës shqiptare. Kur do bëhet?”, pohon më tej Papagjoni. Sipas tij, në gjendjen që janë sot studiuesit nuk mundet dot të prezantohen dhe në rrafshin ndërkombëtar. “Duhen pra shpenzime për albanologjinë, duhen pastaj ekspedita, pjesëmarrje në konferenca të ndryshme kombëtare e sidomos ndërkombëtare, botime, revista që të bëhen të dukshme rezultatet. Ne nuk mund ta mbrojmë dot pozicionin tonë në rrafsh ndërkombëtar në fusha të ndjeshme nëse nuk pohojmë, nuk argumentojmë dhe nuk këmbëngulim me tezat tona mbi historinë e popullit shqiptar dhe gjithçka identitare që është përjashtimisht e tij. Kur ka financime, shtohet dhe “oreksi”. Na duhen pra ndriçime, botime posaçërisht në gjuhë të huaj, me qëllim që rezultate tona shkencore t’i bëjmë pjesë të pranishme të dijes evropiane e botërore”, përfundon në reagimin e tij prof. dr. Josis Papagjoni.
Tre dekada pa vëmendje
Me të njëjtin mendim për aktivitetin e studiuesve janë dhe gjuhëtarë dhe akademikë të njohur. Prof. dr. Rami Memushaj i vlerësuar në fushën e gjuhësisë pohon se për punën studimore kanë afro tre dekada që janë në vështirësi me botimet apo dhe pjesëmarrjen në konferenca ndërkombëtare. “Nëse ne botojmë, shpesh e dimë me dhimbje që paguajmë edhe nga xhepi ynë para. Unë nuk jam në institutet e albanologjisë, por kur nuk kanë fuqi ata, pjesa tjetër e profesorëve që janë në pension por janë dhe aktiv me botime përfytyrojeni se në çfarë vështirësish ndodhen. Është e vërtetë që studiuesit shqiptarë të fushës së albanologjisë janë të përjashtuar prej gati 30 vitesh me pjesëmarrje në konferenca ndërkombëtare, sepse nuk ka buxhete”, pohon gjuhëtari. Edhe për akademikun Beqir Meta njëkohësisht dhe drejtor i Institutit të Historisë gjendja është alarmante. “Ne jemi prej vitesh në këtë gjendje që është shumë shqetësuese për ne si studiues. Askush nuk dëgjon për problemet që ne themi. Më vjen keq shumë dhe për brezin e ri që i kanë kushtuar jetën kësaj pune dhe tani nuk kanë asnjë ndihmë. As për botime shkencore nuk kanë ndihmë, as për të shkuar në konferenca të ndryshme jashtë vendit. Një situatë e trishtë, nuk mundemi dot ti botojmë në gjuhë të huaj botimet tona që janë më të mirat në fushat tona të albanologjisë. Nuk financohet albanologjia. Kërkesat tona ne ia kemi bërë me dije dhe ministrave përkatës. Kemi gati 30 vjet që jemi në këtë situatë me përjashtim të ndonjë projekti të veçantë që ka pasur ndihmë”, shprehet akademiku Meta. QSA (sot ASA) kryen kërkime në fushat e historisë, të arkeologjisë, të antropologjisë kulturore e studimit të artit, të gjuhësisë e të letërsisë, etj./
Nga: Julia VRAPI