Albert Habazaj: – Gratë e Labërisë dhe këngëtarja vajtore e Tërbaçit
Albert Habazaj: – Gratë e Labërisë dhe këngëtarja vajtore e Tërbaçit.
Nga Gazeta Telegraf
Miserdhe Rexhepi, tashmë e njohur në krahinë e më tutje si këngëtore e vajtore me rrënjë e degë
Gratë e Labërisë në Bragjin të Tërbaçit
Nga Msc. Albert HABAZAJ.
Ka qenë një fundshtator i begatë e me një ngjyrë të artë natyrore, vërtet të magjishme ajo vjeshtë e parë e vitit 1979, që erdhi shumë tronditshëm e me dhembje të rëndë jo vetëm në Tërbaç dhe Labëri … Në Bregun e Bragjine të Tërbaçit, që është dhe ballkoni i Luginës së Mesaplikut, në kryet diellore të Lumit të Vlorës, mblidhen një nga një, qetë e pa zhurmë, pleqtë e urtë të fshatit, ata fisnikët thinjabardhë, që, në ato vite romantike të adoleshencës time idealiste, më dukeshin më të mirët, më të dashurit, më të mençurit e botës. Dielli sapo kishte kaptuar i lodhur malin e Çikës, që të çlodhej ca orë pas udhëtimit, qysh sa çeli syrin mbi Çipin për dritërimin e ngrohtë gjatë ritualit të përjetshëm çdo ditor. Atje sipër, në Bregun e Bragjine në Tërbaç, si zakonshëm, erdhën e zunë vend në sofàtë e gurta të Bregut veteranët Baxhul Gjondeda e Shaqo Isufi, mësuesit e fshatit dhe njerëzit e kulturës Mejdi Skëndaj, Kujtim Mici dhe Rexhep Abazi. Kujtoj që unë isha i ri e shkollohesha në një drejtim tjetër të rëndësishëm për kohën, por atje sipër shkova me Qemal Haxhihasanin dhe Bardhosh Gaçen, si vijues i vogël por i vërtet i misionit të tyre etnokulturor. Atje lart u mblodhën disa gra e dèli gra, si Hervo Bushaj nga Bolena, Shaniko Hoxha, Bedrie Hodo e Shero Lushaj nga Tërbaçi, Miserdhe Rexhepi nga Lepenica dhe Esma Derri nga Smokthina.
Ne po kërkonim dhe takonim bartës të folklorit.
Tek ata gjenim dhe mblidhnim këngë të rralla e vajtime, tamam si ajo bleta që mbledh nektarin në lulet ku ka nektar. Nuk duhet të harrojmë që ajo trevë është një zonë e pasur nektarmbajtëse edhe në rrafshin folklorik, sepse gjëndrat nektarore të luleve polifonike labërore janë të begata në të katër stinët e vitit e vit pas viti. E mbaj mend mirë nënë Miserdhen, ulur në sofà, sepse në krah të djathtë kishte profesor Gaçen, ndërsa në krahun e majtë isha ulur unë. Ajo po tregonte një këngë të vjetër, që e kishte bërë vetë, siç thoshte para nja 10 vjetësh a më shumë për heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun. Bardhoshi po shkruante tekstin e këngës që fisnikja e Lepenicës jo e rrëfente, por sikur e këngëzonte me gjuhë të vogël, por shumë kumbueshëm e qetë, si artiste. Edhe unë e mbaj mënd mirë tekstin e atij materiali folklorik aq lakonik, vetëm me 11 vargje 8 rroksh me skemën tradicionale të njërës nga rimat e preferuara të nënë Miserdhes, atë AA BB. I thjeshtë dukej teksti, por me domethënie të madhe e mesazhe të qarta nderimi për heroin legjendar, që në funksion të dashurisë së Atdheut të lirë, e meriton të simbolizohet me qenien mitologjike të dragoit:
“More Skënderbeu ynë
N’ atë luftën me Turqinë,
More Skënderbeu ynë,
Të gjithë bota e dinë,
E tregove trimërinë,
Vet’ e shkrove historinë.
Skënderbe, shumë luftove,
Turqit-ë ç’i shkatërrove
Dhe si dragua qëndrove,
Krujën me shpat’ e mbrove.
Miserdhe Rexhepi dinte shumë këngë të traditës së fshatit e të krahinës dhe shumë nga ato këngë që qarkullonin gojë më gojë, mëhallë më mëhallë e fshat më fshat të Lumit, ajo i kishte bërë vetë, edhe më përpara, qysh kur ishte vajzë. Po sa bukur i qepte vargjet në çast, sipas rastit, improvizonte aty për aty. Lufta e Janinës ishte një motiv që pikonte gjithmonë vargje derti për atë histori të hidhur. Vëreni tekstin në vijim, se me sa vërtetësi apo dhe figuracion burimor, epitete e krahasime spontane jepet atmosfera e luftës, me forcat ndërluftuese, mjetet luftarake të kohës, me statistika të sakta, që ndihmojnë edhe historianët e fushës.
Një histori e luftës së Janinës në 14 vargje.
Ja si na e sjell ajo këtë ngjarje, që mund të shërbejë si lëndë e parë e të bëhen artikuj të tërë e libra historie:
“Në Janinë – lufta medet
Krisën bumjet, bataretë,
Seç u ngrit dheu përpjetë,
U derdhën andartët grekë,
U mbushën kërma rrëketë.
Janinë, e shkreta Janinë,
Gjyletë me fërshëllimë,
Binin si breshër në brinjë.
Ç’u mblodhën trimat e mirë,/
Po si i qeshte dhe fjala, jo vetëm ajo fytyrë hënore, kur këngëzonte vargjet për Vlorën e Flamurit të Plakut të Bardhë. Sa thjeshtë e mbresëlënëse, me atë gjuhën e pasur lokale e jep panoramën e shpalljes së Pavarësisë Kombëtare nga Ismail Qemali me trimat e flamurit. Sikur e skaliste me daltë shpirti, jo me vargje dashurinë për Vlorën dhe adhurimin për Babain e Kombit. Dhe vetëm në 10 vargje në natyrën e saj rimore AABB:
“Vlorë moj, ç’të ndriti nuri
Në ballkon u ngrit flamuri,
E ngriti plaku me derte,
Gjezdisi gjith’ato shtete,
Kaptoi malet me borë,
Rasti e pruri, që në vitin 1987, kur u emërova me punë në Lepenicë, e takova përsëri nënë Miserdhe Rexhepin, tashmë e njohur në krahinë e më tutje si këngëtore e vajtore me rrënjë e degë. Mbas pune, shkoja shpesh në shtëpinë e zemërbardhës pastërtore e bujare. Edhe, sipas një detyre shoqërore të caktuar nga etnologët tanë, folkloristi i shquar Qemal Haxhihasani, që qoftë i paharruar, si dhe nga djali i denjë i Labërisë, vëllai ynë i madh, prof. Bradhosh Gaçe më duhet të mblidhja nga bartësja dhe krijuesja popullore Miserdhe Rexhepi këngë epike, elegji apo këngë të përvajshme për dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare.
Kam shënuar disa materiale folklorike prej saj.
Një mbrëmje, nëntor 1987 qe, vajtonjësja po tregonte, në fakt po ligjëronte një këngë për Hano Rexhepin e Lepenicës, që ra dëshmor lirie, sikurse Beqir Selimi i Tërbaçit, Qamil Asllani i Vranishtit, Bako Tafili i Gjormit, Bajram Xhebro i Bratit. Po përjetoja edhe unë ato ditë të stuhishme, kur po shkruhej me gjak yjesh të pashuar dhe trimërie kreshnikësh historia më e lavdishme e popullit shqiptar në shekuj: LANÇ ku Vlora, Labëria dhe krahina jonë e Lumit të Vlorës është Dafinë e Nderit të kësaj epopeje e përmasave skënderbejane. Autorja na jep një detaj nga ajo betejë lirie në të dalë të fshatit Gjorm kundër forcave fashiste dhe shërbëtorëve të tyre vendorë për interesa të vogla. Na duket sikur kemi të bëjmë me një fotografim në vargje të asaj lufte, që, veç të tjerash, jepet saktësisht vendngjarja dhe kohëzgjatja e saj. Ja teksti i këngës elegjiake të nënë Miserdhes që, sikur ka qenë me partizanët në front, na fut në situatën e ngjarjes heroike në ato qafa e brinja Labërie larë me gjakun e bijve më të mirë të djemve të saj në luftë për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj dhe lakejt e tyre këtej:
“Zunë malet e rënkojnë
Dhe Shushica përkarshi,
Mesaplikun e sulmojnë
Bersalierë e milici,
U dha alarmi në Gjormë
Të mblidhet populli,
Se shqipëtarët luftojnë
Nga dy anët me ushtri.
Lufta zgjati tridhjet orë
Në janar dyzet e tri,
Ranë të parët dëshmorë
Që dhanë jetën për liri,
Hano Rexhepi zhgabonjë…
Ka mjaft këngë të tjera shumë të ndjera e aq të bukura nënë Miserdhja, thurur, kënduar e ligjëruar me vargje shpirti, sipas natyrës së poezisë popullore lirike, në vaje, ligjërime, këngë të përvajshme, liriko-epike, apo dhe të epikës historike. Ato thesare të vërteta folklorike i ka mbledhur, i ka kaluar në laboratorin krijues, i ka pajisur me shënime dhe aparatin e plotë bibliografik, i ka përgatitur për botim pas një gjysmë shekulli kërkim shkencor këmbëngulës e pasionant dhe po na i fal me bujari intelektuale dhe atdhetare prof. dr. Bardhosh Gaçe, si një Babëzot i devotshëm i folklorit dhe etnokulturës sonë, që falë mirësisë, kujtesës fenomenale dhe opusit të botimeve artikuj e monografi shkencore është ngritur në nivelin më të lartë akademik, që kemi sot, si një nga personalitetet më të shquara të albanologjisë dhe kulturës shqiptare.