Albin Kurti, Arritje e madhe për popullin dhe shtetin tonë: – Kosova kaloi hapin e parë drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
28 Mars 2024
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pasi Kosova kaloi hapin e parë drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, duke e cilësuar një arritje të madhe për popullin dhe shtetin.
Në një reagim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë së Kosovës, shprehet falenderues ndaj atyre që u angazhuan dhe kontribuuan në këtë arritje.
Kurti shprehet se hapi i parë i suksesit publik ishte mbledhja e ambasadorëve në Këshillin e Evropës më 24 prill 2023, hapi i dytë ishte në mbledhjen e Komitetit për Çështje Politike, hapi i tretë do të jetë Asambleja Parlamentare më 18 prill 2024 dhe i fundit ai i anëtarësimit një muaj më pas, në maj, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të vendeve anëtare.
“Vlerat themeltare të Këshillit të Evropës, pra demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut, i vijnë e i rrinë natyrshëm qeverisjes sonë të mirë e progresiste”, shkruan ai më tej.
Reagimi i plotë:
Dy vjet e gjysmë punë e pareshtur sistematike, institucionale dhe politike. Dhjetëra zyrtarë shteti aktivë përditë gjithandej.
Hapi i parë i suksesit publik ishte mbledhja e ambasadorëve në Këshillin e Evropës më 24 prill 2023, hapi i dytë ishte dje në mbledhjen e Komitetit për Çështje Politike, hapi i tretë do të jetë Asambleja Parlamentare më 18 prill 2024 dhe i fundit ai i anëtarësimit një muaj më pas, në maj, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të vendeve anëtare.
Falënderoj të gjithë ata të cilët u angazhuan e kontribuan që në këtë pranverë të bëhemi anëtar të Këshillit të Evropës, e në veçanti falënderoj Zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schëarz, zëvendësministrin, Kreshnik Ahmeti, grupin e deputetëve të kryesuar nga nënkryetarja e Kuvendit Saranda Bogujevci, dhe ambasadorin tonë në Strasbourg, Lulzim Hiseni.
E arritur e madhe për popullin dhe shtetin tonë, mundësi e re për qytetarët e Kosovës pa dallim. Vlerat themeltare të Këshillit të Evropës, pra demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut, i vijnë e i rrinë natyrshëm qeverisjes sonë të mirë e progresiste.