Albin Kurti pret në takim komandantin e KFOR-it: – Policia e Kosovës është angazhuar në veri, sipas detyrës zyrtare
27 Maji 2023
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Angelo Michele Ristuccia, për të diskutuar në lidhje me situatën në vend, thuhet në një njoftim nga Zyra e Kryeminisrit të Kosovës.
Ky takim pasoi zhvillimet në veri të Kosovës, gjatë të premtes, më 26 maj, kur policia e Kosovës asistoi hyrjen në objektet komunale të kryetarëve të ri të komunës së Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit.
Grupe të banorëve vendas kundërshtuan shkuarjen e tyre në zyrat që më parë përdoreshin nga zyrtarët serbë.
“Kryeministri Kurti e njoftoi komandantin Ristuccia se Policia e Kosovës është angazhuar që sipas detyrës zyrtare t’ua mundësojë këtyre kryetarëve hyrjen në vendin e tyre të punës prej nga ata duhet dhe do t’ju shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim e pa diskriminim”, thuhen në njoftimin e Zyrës së kryeministrit Kurti.
Gjithashtu thuhet se kryeministri Kurti, në taim me komandantin e KFOR-it, Ristuccia, theksoi se “kryetarët e komunave, të zgjedhur nga zgjedhjet e lira dhe demokratike, duhet t’i ushtrojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre, për të ofruar shërbime publike cilësore për të gjithë qytetarët, pa pengesa”.
Ndaj zhvillimeve të së premtes në veri të Kosovës, kanë reaguar zyrtarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe BE-së , të cilët kanë dënuar veprimet e Qeverisë së Kosovës dhe kanë kërkuar ndalimin e menjëhershëm të masave të dhunshme./REL
Nga Gazeta Panorama