Albin Kurti pritet në Ankara nga Erdogan, publikohen pamjet e takimit! Kryeministri: Ja për çfarë diskutuam
31 Maji 2024
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në Ankara.
Në faqen e Presidencës turke janë publikuar fotografitë e takimit, ndërkohë Kurti kishte njoftuar më herët për vizitën e tij në Turqi.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se në këtë takim kanë diskutuar për mundësitë e reja të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe të mbrojtjes, e gjithashtu edhe për marrëdhëniet dypalëshe.
“Të hënën do të mbahet forumi i parë ekonomik për bizneset nga Kosova dhe Turqia, ku ofrohet mundësia për thellimin e lidhjeve dhe nxitjen e investimeve”, ka shkruar Kurti në platformën X.
Siç është raportuar nga mediat turke, takimi midis Kurtit dhe Erdoganit ka qenë i mbyllur për media dhe ka zgjatur rreth dy orë.