Ndryshe nga degët e tjera zbatuese të shkencave humane, Antropologjia etnike ka njohur historikisht ulje-ngritje, si pasojë e ndërhyrjes së ideologjive të kohës. Megjithatë, në dhjetëvjeçarët e fundit vihet re një rritje e interesit për këtë fushë, për shkak të theksimit të identiteteve etno-nacionale në kushtet e reja të globalizmit. Me botimin e kësaj monografie, kam rastin t’i prezantoj publikut shqiptar dhe më gjerë rezultatet e punës sime kërkimore 40-vjeçare në këtë fushë.
Përmes trajtimit të disa prej aspekteve më të rëndësishme të “prerjes” etno-kulturore të shqiptarëve, kam synuar të nxjerr në pah bashkëlidhjen e tipareve të natyrave të ndryshme në sintezën antropologjike të shqiptarëve. Kjo ndërmarrje nuk ka qenë e lehtë, sepse më është dashur të shkel në një terren pak të njohur të shkencave albanologjike. Megjithatë, dokumentacioni historiko-arkivor, burimet e literaturës dhe narracioni i vjelë gjatë kërkimeve në terren ka qenë mjaftueshmërisht i plotë, çka më ka lehtësuar punën drejt orientimit tematik të kërkimit antropologjik të mirëfilltë dhe më ka shtyrë t’i studioj më thellë disa prej dukurive të karakterit biologjik, historik, demografik e social-kulturor nëpërmjet një hulumtimi të dokumentuar rreth shkaqeve, pasojave dhe mundësive të krijuara në rrjedhën e shekujve për ecurinë e fenotipave të dallueshëm në trevat e Shqipërisë, çka përbën objektivin kryesor të këtij punimi.
Në kushtet e rënda që kalonte Shqipëria nga gjysma e dytë e shek. XIX e më pas, kur lindi dhe hodhi hapat e para antropologjia si shkencë, deri në përfundim të Luftës së dytë Botërore, as që mund të bëhej fjalë për ndërmarrjen e kërkimeve të mirëfillta antropologjike nga vetë shqiptarët.
Pavarësisht nga kjo rrethanë, rilindësit tanë, që i kishin vënë vetes për detyrë përparimin shoqëror e kulturor të popullit shqiptar, u përkujdesën midis të tjerash- edhe për përhapjen e njohurive shkencore në masat e gjera të popullit, përmes botimit në shqip e në gjuhë të tjera të veprave me karakter shkencor-popullor mbi fusha të ndryshme të dijes, duke përfshirë edhe antropologjinë. Në këtë mes spikat figura e mendimtarit poliedrik, Sami Frashërit.
Në vargun e botimeve të “Bibliotekës së Xhepit”, Samiu na ka lënë dy broshura, ku trajtohen gjerësisht probleme të antropologjisë. Te “Njeriu”, ai- duke u nisur nga pozita materialiste dhe mbi bazën e të dhënave shkencore më të përparuara të kohës- debaton mbi çështje të rëndësishme të prejardhjes dhe të zhvillimit të mëtejshëm të njeriut në Tokë, mbi ndërtimin trupor të njeriut të sotëm dhe mbi shpërndarjen e “racave” të tij. Vepra e dytë e tij, “Përsëri Njeriu”, është një manual i vërtetë antropologjie, për nga problematika e gjerë dhe thellësia e mendimit, ku njeriu trajtohet në evolucionin e tij të gjatë natyror, si formë cilësorisht më e lartë nga kafshët. Si përkrahës i teorisë monofiletike (nga i njëjti trung i përbashkët), ai përshkruan me hollësi prejardhjen dhe veçoritë dalluese të “racave” njerëzore, si në tiparet matëse ashtu edhe në ato përshkruese, sidomos në ngjyrimin e syve dhe të flokut, duke u ndalur posaçërisht në tiparet e shqiptarëve dhe në prejardhjen ilire të tyre.


Në shtypin vendas të viteve 1938-1944 u botuan një sërë artikujsh mbi prejardhjen e popullit shqiptar, në të cilat u përdorën edhe fakte antropologjike, të huazuara nga studiuesit e huaj. Për vlerën shkencore të këtyre fakteve, mendimet ndahen më dysh: disa autorë i përdorën ato për të vërtetuar “njësinë” e popullit shqiptar, ndërsa të tjerë i kanë vështruar ato fakte si të dyshimta e kësisoj të papërshtatshme për të ndjekur zanafillën historike ilire të shqiptarëve. Ndërkohë pati edhe përpjekje serioze për studime tërësore mbi “racën” shqiptare, ku të dhënat antropologjike, të huazuara nga literatura e huaj, u ballafaquan me fakte gjuhësore, arkeologjike e etnografike për të vërtetuar prejardhjen dhe autoktoninë e shqiptarëve në trojet e sotme. Në këtë drejtim vlen të përmendet vepra e Jakov Milajt “Raca Shqiptare”, e cila u shkrua asokohe për të plotësuar- siç shprehej vetë autori- “një nevojë të madhe shpirtërore të shqiptarit, njohjen e vetvetes”. Me sa di unë, kjo vepër është e para monografi e shkruar nga një autor shqiptar, në të cilën provohet me bindje prejardhja e këtij populli dhe njësia e kombit shqiptar me mjete ndërdisiplinore, ku shtyllat kryesore të argumentimit i mbajnë në mënyrë të natyrshme, shkencat historike dhe antropologjia. Në aspektin antropologjik, unë do të pohoja se ky është i pari punim sintetizues, i shkruar mjeshtërisht me një shqipe të lakmueshme, që ngërthen në një të tërë studimet e mëparshme, të kryera në shumicën dërmuese nga të huajt, për të nxjerrë mandej në pah “tharmin” antropologjik të shqiptarëve dhe ecurinë evolutive të tipareve etno-kulturore të shqiptarëve në rrafsh kombëtar. Me ribotimin e fundit të librit (në vitin 2005), vepra e Milajt vjen si një “stimul për një sintezë të re, në vazhdën e studimit shumëplanësh të Jakov Milajt dhe në shtigjet e hapura prej tij”, siç shprehet A. Meksi në parathënien e këtij ribotimi. Pika më e “nxehtë” e debatit, të iniciuar në vitin 1999 në faqet e gazetës “Ballkan”, justifikohet me “karakterin racist” të veprës së Jakov Milajt, që e bëkërka çdo recension pozitiv rreth saj jo vetëm shqetësues, por edhe tronditës (!). Që në krye do të theksoja kredon e Milajt, të shprehur qysh në parathënien e botimit të parë në janar 1944: “Ky studim nuk është bërë për t’u marrë me racizëm, në kuptimin politiko-filozofik që i japin këtij skaji popujt e tjerë të botës”. Edhe përfundimi i tij se “raca e tyre [e shqiptarëve] ësht’ jo vetëm më e pastërta në Ballkan, por edhe një nga më të pastërtat, në mos m’e pastërta e të gjithë Evropës”, u keqpërdor asokohe prej të tjerëve bashkëkombës dhe u bë, në një farë mënyre, kalvari i personalitetit të tij. Unë e di fort mirë se sa keq është etiketuar Milaj në muajt e parë pas botimit të veprës, mu për këtë shkak, sepse kam lexuar të plotë polemikën në shtypin e kohës. E çuditshme, por edhe e trishtueshme, është logjika e vlerësimit kritik (në kuptimin negativ të fjalës) të kësaj vepre, sidomos në çështjen e trajtimit të raportit komb/ racë. Për racën, si nocion biologjik dhe si realitet historik, Milaj ka një koncept të qartë, përderisa ai e veçon atë nga koncepti i kombit: “Një popull me origjinë të njëjtë, me histori të vetme, gjuhë të përbashkët dhe me doke e zakone të përngjashme, trajton për bukuri një komb të vetëm, kurse mund të jetë i përbërë prej racash të ndryshme.

Kjo ndodh me shumë kombe” shkruan autori. Madje, ai përkrah teorinë e “mobilitetit racor” nën shtysën e veprimeve mjedisore, kur shprehet: “Veçoritë e një numri racash lëmohen, deri diku, nga kushtet ambientore që kontribuojnë në krijimin e një fenotipi të përbashkët. Nga ana tjetër, mjedisi, me anën e veprimeve selektive, ushtron ndikim të madh edhe mbi dallimin e disa karaktereve të përbashkëta dhe mbi zhdukjen e disa të tjerave”. Në këtë kuptim, Milaj s’ka të bëjë aspak me ithtarët e “rrymës raciste”, të cilët e shohin racën si “shpirtin e kombit” dhe si atù për çdo interpretim etno-kulturor. Nga ana tjetër, Milaj pranon edhe lidhjen e jashtme midis tipareve antropologjike dhe formacionit etnik përkatës me përbërësit e tij themelorë, gjuhën dhe kulturën, kur shprehet: “Në çdo mënyrë duhet pranuar se kombi është një e vërtetë antropologjike, jo vetëm si seli e një grumbulli të caktuar elementesh racore, por si seli e dalluar ku vërtetohen fenomene shkrirje (fuzionimi) e harmonizimi dhe si shtytës për lindje trajtash të reja. Në këtë raste nuk duhet të shikojmë vetëm veçoritë morfologjike të një popullsie, por edhe ato fiziologjike e psikike, të cilat kanë rëndësi më të madhe, si dhe gjuha, për një ndërgjegje kombëtare të përbashkët”93. Edhe për shkaqet e një “pastërtie relative”, mbi të cilën spekulohet në kritikat tendencioze ndaj librit, Milaj bën përgjegjës parësorë barrierat gjeografike dhe ato ekonomike: “Pengimin në Shqipëri, të huajve ua nxjerrin bjeshkët e larta veriore, vargu i Rrudhës Dinarike q’e përshkon për së gjati vendin, deti me fushat gjithë këneta…”. Por, megjithatë, ai s’druhet të pranojë se “nuk ka qenë e mundur që struktura gjeografike e Ballkanit perëndimor ta shpëtonte nga popujt e ardhur në të gjithë trevën ku shtrihej raca ilire”. Nga ana tjetër, “arsye të forta ekonomike, që të joshnin popujt barbarë për të pushtuar këto vise, nuk ka pasur… Përgjithësisht, gjer para epokës së re të metaleve, Shqipëria është dukur në çdo kohë shumë e varfër dhe prandaj nuk ka pasur kuptim përpjekja për ta pushtuar dhe për ta mbajtur nën zgjedhë për një kohë të gjatë”. Si hallkë plotësuese në zinxhirin ingranues të ngjizjes sui generis të popullit shqiptar, autori trajton rrethin e mbyllur e rigorozisht të kontrollueshëm të lidhjeve martesore: “Ky pengim i natyrës gjeografike bashkë me fen’ q’e ndalon njerëzinë për të zgjeruar më tej rrethin e martesave, e me zakonet që ndryshojnë nëpër krahinat të cilat janë larg njera-tjetrës, duhet t’i kishte dhënë shkas krijimit të tipave të ndryshëm krahinorë”. Së fundi, është e vërtetë se në përcaktimin e prejardhjes së popullit shqiptar (dhe aspak në emër të “superioritetit të racës shqiptare”) autori përdor të dhënat antropometrike, somatoskopike dhe biokimike të qëmtuara me kujdes nga antropologët e mëparshëm (dhe jo nga pseudoshkencëtarët racistë), si pigmentimi, grupet e gjakut, forma e kafkës, lartësia e fytyrës, profili i hundës, shtati etj. Por këto janë tipare që studiohen sot e kësaj dite në antropologji, ashtu sikurse kam vepruar edhe unë në hulumtimin antropologjik të zonave të shtrira etno-kulturore të vendit. Prandaj askush s’do të kishte të drejtë të pretendojë se Milaj është nisur thjesht nga interesa gjeopolitike. Të dhënat që përftohen nga studimi i tipareve të mësipërme janë shpesh më “kokëfortë” se sa tiparet e tjera të karakterit etnik, sepse ato transmetohen gjenetikisht në një masë të konsiderueshme dhe për periudha të tilla kohore, gjatë të cilave kultura, raportet shoqërore, madje edhe vetë gjuha të kenë ndryshuar plotësisht. Këto janë vetëm disa “grimca” meditimi rreth fakteve antropologjike të veprës së Jakov Milajt. Monografia në fjalë përmban edhe shumë dëshmi të tjera interesante lidhur me problemet e etnogjenezës shqiptare. Në këtë vështrim, po e mbyll parashtresën me dy deduksione: së pari, këtë vepër duhet ta gjykojmë në kontekstin e kohës, me kufizimet e natyrshme që ajo mbart dhe ribotimin e saj ta quajmë të mirëseardhur mbas një kohe kaq të gjatë; së dyti, të mos kemi “frikë” se mos ribotimi i saj bëhet për një “mision të mbrapshtë”, sepse vetë Milaj nuk pati rënë assesi në “grackën” e racizmit (po të lexohet me kujdes dhe pa paragjykime kjo vepër), por edhe sepse shqiptarët s’kanë dhënë kurrë prova të “superioritetit racor” gjatë historisë së tyre shumëshekullore. Siç duket, polemikat që zgjuan punime të këtij lloji, duke mos u zhvilluar mbi baza të vërteta shkencore, nuk i ndihmuan ecurisë së mëtejshme të mendimit shkencor në fushën e antropologjisë. Edhe ndonjë zë i veçuar, që u ngrit në atë kohë për fillimin e kërkimeve të rregullta antropologjike në vendin tonë, nuk gjeti mbështetje e përkrahje, ndoshta nga moskuptimi i rëndësisë së këtyre lloj kërkimeve në shërbim të zgjidhjes së problemeve madhore të etnogjenezës shqiptare. Me krijimin e Laboratorit Antropologjik pranë Qendrës së Kërkimeve Arkeologjike, përkatësisht Institutit Arkeologjik (në vitin 1976), filloi një punë sistematike për mbledhjen e materialit antropologjik në popullsinë e sotme të vendit mbi një bazë të re metodologjike. Gjatë ekspeditave të para përnjohëse në terren, në vitet 1974-1975, në kushte ende të kufizuara, unë u njoha me veçoritë antropologjike të banorëve të Pukës dhe të luginës së sipërme të Skraparit.
Me botimin e monografisë “Gjurmime antropologjike mbi shqiptarët” shënohet një hap përpara në dokumentimin e tipareve antropologjike në rrafsh kombëtar të këtij populli. Aty janë përfaqësuar në mënyrë sintetike të gjitha zonat e mëdha etno-kulturore, përkatësisht rrethinat më tipike të vendit, me nga një seri të përzier (meshkuj dhe femra) në një numër total prej 1067 subjektesh të hulumtuar in situ: Nga analiza e imët e materialit rezulton prirja për një farë rajonizimi në shpërndarjen e tipareve antropologjike themelore. Më e shprehur është kjo dukuri në përmasat e gjatësisë së kokës, gjerësive të hundës dhe nofullës, lartësive të masivit fytyror e të buzëve, rrethores horizontale, të shtatit dhe palës dhjamore të nënlëkurës. Në vargjet nga veriu i vendit, këto tipare japin vlera pothuajse të njëjta, qoftë si mesatare ashtu edhe si shtrirje vlerash, ndërkohë që në vargjet nga Jugu shpërndarja është më pak e njëtrajtshme. Shenjat e tjera, që përbëjnë shumicën, pasqyrojnë vendosje pak a shumë të njëjtë.