Alexander Lukashenko betohet fshehtas si president
Alexander Lukashenko betohet fshehtas si president
23 SHTATOR 2020
Pas disa javësh protestë për shkak të zgjedhjeve të gushtit, Alexander Lukashenko, është betuar si president. Mediat shtetërore të Bjellorusisë raportojnë se ai u betua në një ceremoni të fshehtë. Presidenti Bjellorus, Aleksandër Lukashenko është betuar për një mandat të gjashtë, njoftoi të mërkurën agjencia zyrtare e lajmeve Belta, informon dritare.net. Betimi u bë në fshehtësi dhe pa asnjë njoftim paraprak. Qindra zyrtarë të lartë të qeverisë thuhet se ishin të pranishëm në ceremoninë e mbajtur në kryeqytetin, Minsk.
Gjatë ceremonisë, media shtetërore njoftoi se Lukashenko vuri dorën e tij të djathtë në kushtetutë dhe u betua t’i “shërbejë popullit të Republikës së Bjellorusisë, të respektojë dhe të mbrojë të drejtat dhe liritë e njerëzve dhe qytetarëve”.
Opozita bën thirrje për më shumë protesta!
Pas ceremonisë së fshehtë të inaugurimit, opozita Bjelloruse bëri thirrje për një “fushatë të menjëhershme të mosbindjes civile”. Pavel Latushko, një opozitar, tha se ceremonia ishte si një takim i fshehtë i “hajdutëve”.
“Ku janë qytetarët e gëzuar? Ku është trupi diplomatik?”, tha ai në rrjetet sociale.
Autoritetet bjelloruse u janë përgjigjur demonstratave me dhunë dhe arrestime masive. L.F-dritare.net