Alfred Lela: Rama synon të ngrejë Zyrën e Censurës si në komunizëm. –
Alfred Lela: Rama synon të ngrejë Zyrën e Censurës si në komunizëm. –
Mazhoranca qeverisëse në Kuvend pritet të votojë dy projektligje të cilat amendojnë ligjet ‘për median audiovizive’ dhe ‘komunikimet elektronike’, të kundërshtuara fort nga organizatat e mediave dhe ndërkombëtarët duke i konsideruar si cenim të “lirisë së fjalës”. Sipas jush çfarë parashikojnë këto drafte dhe çfarë do të ndodhë nëse miratohen?
Draftet parashikojnë përpjekjen për të kontrolluar një territor mediatik ende të pakapur nga pushteti dhe shumë divers siç është media online. Pretendimi se ato përhapin shumë “fakenews” është pjesërisht i vërtetë, por nuk është kjo shenja e tyre më shquese. Nëse “fakenews” është parametri që marrim për të matur kundravajtjen, atëherë palët politike, me qeverinë në distancë të madhe në këtë garë, emetojnë më shumë lajme të rreme se media.
Nëse parabola e lajmeve të rreme bie, ku qëndron synimi atëherë?
Mendoj se te trysnimi me anë të kërcënimeve ligjore që do t’i bëjë mediat e reja të vetëcensurohen. Atë që nuk e bën autocensura do ta bëjnë deponimet ligjore, zvarritja nëpër procedura burokratike e forma të tjera shantazhimi.Lajmi i rremë nuk është fenomen shqiptar, shqiptare është vetëm metoda për të zhbërë me anë të ndërhyrjes së shtetit.
Nëse miratohet ligji në Shqipëri do të instalohet një Zyrë e Censurës, siç ka qenë dikur në komunizëm. Gazetarët do të shkruajnë duke pasur në mendje këtë zyrë dhe censorët shtetërorë.
Këto drafte vijnë në një kohë kur kryeministri i vendit ka ashpërsuar tonet deri në kërcënime ndaj medias, a besoni se hartimi i tyre është frymëzuar pikërisht nga kjo retorikë?
Retorika dhe projektligjet bashkëjetojnë. Mendoj se kryeministri ka patur përherë një padurim me gazetarët dhe analistët, të cilin eka shprehur pa drojë. Tërmeti i dha një platformë shumë të mirë për ta rikthyer këtë përplasje, duke e ditur se psikologjikisht pas një fatkeqësie kërkohet një shpëtimtar dhe një fajtor. Duke mbajtur për vete rolin e shpëtimtarit ai iu la gazetarëve atë të fajtorit. Unë mendoj se gazetarët nuk janë as njëra dhe as tjetra duke qenë të dyja nga pak, pra as nuk na shpëtojnë dhe as na fundosin. Ne jemi sigurisht pjesë e problemit, por jo vetë problemi. Duke qenë se ne jemi target i lehtë, publiku na sheh, na dëgjon dhe na lexon, duke na nënkuptuar si pjesë të elitave dhe të establishmentit, Rama shkarkon prej vetes një pjesë të barrës qeverisëse duke na bërë fajtorë. Ai sigurisht bën lojën e vet dhe neve na duhet të bëjmë qëndresën tonë.
Nga ana tjetër, vetë kryeministri ka ngritur një media me emrin e tij duke u bërë një rast unik në botë ku sinjali i tij shfaqet live në të gjitha ekranet e televizioneve informative në vend. Sa e dëmton kjo lirinë e medias?
Nuk mendoj se ERTV cenon lirinë e medias, madje mund të thuhet se është pjesë e saj. Gjuha radikale e kryeministrit, ky mjet komunikimi dhe jo ERTV si platformë komunikimi, e bën dëmin më të madh. Rama na ka lëshuar në shpinë audiencën e tij e cila duhet thënë nuk është e vogël. Sigurisht cenimi ndodh, jo për fajin e kryeministrit, por të televizioneve që i hapin sinjalin çdo komunikimi të tij. Aktivitetet e tij, politike ose jo, i gjen paralelisht në disa televizione në të njëjtën kohë. ERTV ka zëvendësuar kasetat e dikurshme. Por në këtë pikë unë nuk gjej fajtor Ramën, por editorialitetin e medias.
Edhe pa hartimin e dy drafteve ligjore për të cilat debatohet sot, liria e medias në Shqipëri ishte në kuotat më të ulëta, ku censura, vetëcensura dhe lidhjet e pronarëve të medias me shtetin e kanë bërë pothuajse të pamundur gazetarinë e lirë. A do të jetë miratimi i tyre një kapitullim i plotë i lirisë në këtë rast?
Jo, liria si e tillë nuk do të kapitullojë, edhe nëse ky projektligj miratohet. Nuk është mungesa e lirisë por e cilësisë së saj që do të theksohet. Siç kemi parë, çdo gjë del, në një formë apo tjetër. Defekti është se del më shumë si reagim politik se sa mediatik. Nëse marrim për shembull rastin e skandalit të Unazës, ishte kombinimi deputet i opozitës/televizion që e shpërtheu skandalin, pa harruar këtu as interesat ekonomikë të protagonistëve të ndryshëm, protagonistë që kanë aksione ose fuqi mediatike të madhe.
Gazetaria vuan. Liria jo, duke qenë se është likuide dhe shprehet, në mos në një hapësirë, në një tjetër. Individualisht, sigurisht, është gjë tjetër. Dua të them se një gazetar që zbulon një skandal qeveritar do të vuajë nëse punon në një media afër qeverisë, ose nëse pronari i medias ka interesa të ngushtë me qeverinë. Nuk do të jetë ky rasti i një gazetari në një media joqeveritare ose antiqeveritare.Këto të fundit gjenden vetëm në hapësirën e medias së re (aka portaleve) që Kryeministri kërkon të ‘rregullojë’ me anë të projektligjit në fjalë.
Gazeta Mapo