Alfred Trebicka me tone të ashpra për Ermal Mamaqin dhe Bes Kallakun: Sharlatanë të kinemasë

28 Janar, 2020

Aktori dhe regjizori Alfred Trebicka ka bërë  një deklaratë mjaft të fortë ndaj filmave të rinj që kanë dalë në treg.

Në një kohë ku po shohim reklamat e filmave të rinj të Bes Kallakut dhe Ermal Mamaqit, Alfred Trebicka i ka quajtur autorët e tyre “sharlatanë të kinemasë.”

I ftuar në emisionin “Vizioni i Pasdites”, regjizori i 20 viteve karrierë është shprehur shumë hapur pas pyetjes së Evi Reçit për filmat e prodhuar kohëve të fundit.

“Unë si profesionist do t’i quaja sharlatanë, këta janë sharlatanë të këtij arti të madh siç është kinemaja” tha ai teksa është pyetur nga moderatorja.

“Këtu po dalin njerëz pa asnjë lloj formimi, thonë ‘unë jam kineast.’ Fjala kineast është fjalë shumë e madhe. Një njeri që vjen nga asgjëja dhe thotë unë do bëj film. Bëjnë skenarin vetë, bëjnë regjinë vetë, bëjnë dhe rolet vetë. Dhe vetëshpallen pastaj, ‘unë jam regjisor, jam kineast, se unë e njoh tregun.’ Ka kapur tregun ky, ky e di ç’do tregu. Cilin treg? Për cilin treg flasin këta?”

Trebicka, i cili ndonëse nuk vuri gishin e kishte tepër të dukshme se për kë aludonte, e përfundoi deklaratën duke i etiketuar filmat e rinj dhe krijuesit e tyre si ‘gripe, si viruse që gjenden gjithandej”, është shprehur Alfred Trebicka në emisionin “Vizioni i Pasdites”./

CNA.al