Alma Papamihali: -Të jemi më të ndjeshëm ndaj traditës dhe kulturës sonë
Të jemi më të ndjeshëm ndaj traditës dhe kulturës sonë.
Në rubrikën e rregullt të së shtunës, “Jepi Zërit”, prezantojmë krijuesen Alma Papamihali, poete lirike, lindur dhe e shkolluar në Tiranë, me banim në Gjermani, autore e 5 librave me poezi: “Nën tungujt e natës” (2007), “Shtegtim pulëbardhe (2009), “Aromë gruaje” (2011), “Asgjë nuk ndodh rastësisht” (2014) dhe “Kur pyet hëna” (2017)
Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?
A ka eksplorim më të madh se njohja e unit tënd? Njeriu është në njohje te vazhdueshme të vetvetes. Dhe ajo mund të të surprizojë më shumë se gjithçka tjetër.
Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?
Asnjë ditë nuk është e njëjtë, sidomos për njeriun e vargut. Syri përshkon një udhëtim, e vetë udhëtimi është një mendim. Gjithsesi ” udhëtimi klasik ” dhe më i natyrshëm i një dite, nisë me cicërimin e zogjve (që shpesh ndihet para zbardhjes së ditës e lindjes së diellit) e përfundon me perëndimin, që finalizon magjinë e asaj që po shkon. E ndërmjet këtij intervali lindje-perëndim, qëndron jeta aktive. Punë, familje, krijimtari.
Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?
Kur dëgjoj fjalën “kujtesë” mendja pa kuptuar përshkon udhëtimin më të largët të mundshëm. Dhe papritur e kujtuar gjendem në fëmijëri. Mund të përmend letërsi artistike klasike dhe bashkëkohore, por preferoj që kësaj pyetje t’i përgjigjem me librin “1001 net” ( libri me përralla arabe). Është libri më i dashur i fëmijërisë sime që mora si dhuratë për ditëlindje, dhe me plot bindjen them se ndikoi shumë në formimin tim si krijuese. Kush më bukur se gjinia e përrallës shpreh aq këndshëm virtyte, apo jep mesazhe? E sidomos kur fundi është i lumtur, përcjell aq shumë pozitivitet, saqë një fëmijë beson në ëndrrat e tij. Vërtet sot nuk është e mundur që nëpërmjet “llambës së Alajdinit” të vendosim paqe kudo në botë, por mesazhi i asaj llambe mund të ushqente çdo fëmijë me optimizëm.
Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?
Ndihem e paplotësuar. Ndonjëherë kam ndjesinë që mund të bëja më shumë për kombin tim, por nga ana tjetër politika shpesh zhgënjen. Më dhimbset shqiptarizmi, copëtimi i tij, forca e pamjaftueshme për rikthimin përfundimtar, ëndrra e të parëve e lënë në mes.
Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?
Shqiptarët janë popull i lashtë me gjuhë dhe kulturë autoktone. Mund të them që çdokush është pro zhvillimit dhe aktualizimit të kulturës, por kjo nuk do të thotë që të humbasim në origjinalitet. Si popull që kemi qenë në luftë të vazhdueshme, në kërkim të të drejtave, identitetit dhe në përballje ndaj padrejtësive që na janë bërë, duhet të ishim më të ndjeshëm ndaj traditës dhe kulturës sonë. Shpesh vë re, deformime dhe ndikime të huaja në kulturën tonë, që janë krejtësisht të panevojshme. Kam parasysh këtu letërsinë, gjuhën apo muzikën.
Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?
Dje ishte mësimi, përvoja, zgjimi… E sotmja është realiteti, e vërteta, dhe përpjekja. E nesërmja, shpresa, pritja dhe realizimi.
Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?
Pikturë, Gustav Klimt, “The kiss”. Piktura e artistit austriak me plot ngjyra jetësore, që nuk është thjesht një puthje, por vitalitet, art dhe dashuri jetësore. Këngë, shija muzikore është e shumëllojshme. Ndër të tjera varet dhe nga gjendja emocionale e njeriut. Megjithatë, si poete, vlerësoj në mënyrë të veçantë gjithçka që do më sillte emocion. E në këtë rast do përmendja fare thjesht dhe pa u menduar ” Hymnin shqiptar “. Poezi, sipas një legjende, njëherë mbreti thirri shërbyesin dhe i tha: “Më gjej fëmijën më të bukur të vendit, sepse i duhej për një festë. Dhe shërbyesi apo lajmëtari kërkoi andej këtej dhe solli për dore fëmijën e tij. Po ashtu edhe unë …duke qenë se poezitë janë si fëmija, po sjell “përdorë” një timen, përkatësisht poezinë “Njeriu”: Ishull më vete është çdo njeri, (sado që det, rrotull s´i shihet) I afrohesh, e prek, i bie përmbi, por kurrë tërësisht nuk njihet.
© zëri.info