
Altin Dumani i përgjigjet Edi Ramës: Koha pandëshkueshmërisë ne Shqipëri ka marrë fund
27 Shkurt 2027
Nga: Rigels Seliman
Epoka e pandëshkueshmërisë në Shqipëri po tronditet thellësisht dhe nuk ka më kthim pas. Me një mesazh të prerë dhe të drejtpërdrejtë, kreu i SPAK, Altin Dumani, i është kundërpërgjigjur akuzave të kryeministrit Edi Rama dhe politikanëve të tjerë dje, duke e bërë të qartë se drejtësia nuk do të ndalet përballë asnjë presioni politik.
Sipas Z. Dumani, përpjekjet për të diskredituar Prokurorinë e Posaçme janë të dështuara dhe shifrat flasin vetë, pasi siç theksoi ai ligji po vepron, hetimet janë të guximshme dhe krimi nuk mund të blejë as të shpërblejë më askënd.
Po ashtu, kryeprokurori special shprehu bindjen se arrestimet e zyrtarëve të lartë dhe sekuestrimet e aseteve të paligjshme tregojnë se mekanizmat e drejtësisë po funksionojnë me efikasitet të paparë më parë. Sakaq Dumani ka paralajmëruar se SPAK nuk do të ndalet dhe se të tjera goditje të forta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar janë në prag. Gjithashtu ai konfirmoi se mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë po rritet dhe besimi te reforma në drejtësi është forcuar ndjeshëm.
Madje si gjithmonë i saktë dhe i drejtpërdrejtë, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani dha garanci se asnjë sulm politik nuk do të mund të ndalojë procesin e pastrimit të institucioneve dhe rivendosjes së ligjit, teksa shtoi se Shqipëria po hyn në një epokë të re, ku drejtësia nuk është më selektive dhe askush nuk është mbi ligjin.
Dumani: SPAK kryen hetime të guximshme, ligji po vihet në vend
Konkretisht kreu i SPAK, Altin Dumani ka folur ditën e djeshme në tryezën e organizuar nga Qendra për Studim dhe Demokraci, për punën e institucionit që ai drejton, duke bërë një panoramë të rezultateve të Prokurorisë së Posaçme. Dumani thotë se SPAK ka kryer hetime të guximshme dhe se epoka e paprekshmërisë po lëkundet në vend. “Referuar edhe materialit, konstatohet progres edhe nga SPAK.
Ka treguar se është në gjendje në respektim të ligjit dhe kushtetutës të kryejë hetime të plota dhe tregojnë se pandëshkueshmëria po goditet dhe epoka e paprekshmërisë po lëkundet. Epokës së pandëshkueshmërisë po i vjen fundi. Po kështu goditja e grupeve kriminale, trafiqeve të drogës dhe krimeve të tjera. Si dhe besimi i partnerëve ndaj SPAK, me mbështetjen e anëtarëve të BE-së, Britaninë, Zvicrën, bashkëpunimi me këto vende është rritur.
Edhe në këtë takim ka prani të oficerëve ndërlidhës të këtyre shteteve, i falënderoj për marrëdhëniet konstruktive, bashkëpunimin dhe vijimin. Marrëdhëniet me Interpol, Europol e Eurojust është forcuar, në goditjen e krimit të organizuar. Po kështu goditja e krimit dhe korrupsioneve të zyrtarëve, sekuestrimi i aseteve financiare e të paluajtshme, përfshi edhe kriptovalutat, që i përdorin për blerje të ndryshme, si të kokainës edhe në pastrimin e parave”, deklaroi Dumani.
Mesazhi për politikanët
Më tej kreu i SPAK, në fjalën e tij pati edhe një mesazh për politikanët, përfshirë këtu edhe kryeministrin Rama, ku e bëri të qartë se faktorët e jashtëm nuk do ndikojë në misionin dhe hetimet që kryen Prokuroria e Posaçme. “Mesazhi është i qartë se krimi nuk mund të blejë dhe as shpërblejë. Kemi rritje të ndjeshme edhe të procedimit të veprës penale të pastrimit të parave.
Lufta ndaj korrupsionit ndodhet në fazë të re. Besimi te reforma në drejtësi po rritet, qytetarët janë të ndërgjegjshëm se të gjithë vijnë pas ligjit, sfidat vazhdojnë. Lufta kundër krimit dhe korrupsionit kërkon bashkëpunim ndërinstitucional. Duhet të keni besim te integriteti i prokurorëve të SPAK, proceseve. Ndikimi i jashtëm nuk do ndikojë në misionin dhe hetimet tona ndaj këtyre proceseve.
E gjej këtë material shumë të dobishëm për institucionin tonë. Statistikat janë problematikë e trashëguar ndër vite, por nga muaji janar po aplikohet sistemi i menaxhimit të çështjeve, me statistika të plota, të qarta, që na ndihmojnë neve dhe të tjerët. Themi se e kemi hedhur një hap përpara, që të kemi statistika të qarta”, u shpreh kreu i SPAK.
SPAK sfidon sulmet politike
Ndërkohë drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani i është përgjigjur dje indirekt kryeministrit Edi Rama për akuzat që ka bërë javët e fundit që pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajt se po bëhen arrestime pa gjyq. Ai tha se janë vetëm 9% në masën e arrestit me burg për personat që po heton SPAK-u. Kreu i SPAK, në tryezën e organizuar nga Qendra për Studim dhe Demokraci, theksoi se “përpjekja për ta treguar SPAK-un si represiv, është e dështuar”.
“Në çdo masë sigurimi që kërkojmë ne i njohim mirë kriteret e Kodit të Procedurës Penale dhe lloji i masës përzgjidhet nga disa rrethana të caktuara, çdo hetim ka dinamikën e vet por përpjekja për të vendosur SPAK si institucion represiv është e dështuar, pasi shifrat flasin vetë. Institucioni ka publikuar në Facebook numrin e të paraburgosurve, vetëm më pak se 9% dhe që janë për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar.
49% janë hetuar në gjendje të lirë, me masa sigurimi detyrim paraqitje, arrest në shtëpi, ndalimi i daljes jashtë vendit. Edhe ato 9% i zënë subjektet e krimit të organizuar. SPAK në kërkesat që bën është e kujdesshme të vlerësojë kriteret dhe kushtet për llojin e masës së sigurimit. Dhe burimi është drejtoria e burgjeve dhe jo institucioni ynë dhe janë të dhëna zyrtare. Vetëm 5% e të hetuarve për korrupsion janë në masën arrest me burg”, nënvizoi kryeprokurori special, Altin Dumani.