Amantia, zbulohet struktura arkitektonike e varrit monumental
Amantia, zbulohet struktura arkitektonike e varrit monumental
23 QERSHOR 2021
Gërmimet arkeologjike të shpëtimit në varrezën antike të parkut arkeologjik të Amantias përfunduan pas dy muajve. Në përfundim të tyre, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë shprehet se Amantia surprizon përsëri. “Si rezultat i gërmimit arkeologjik të kryer në harkun kohor të dy muajve, u zbulua e gjithë struktura arkitektonike e monumentit antik. Varri, i cili i përket tipit të mbuluar me qemer është një ndër ekzemplarët e rrallë të këtij tipi, që i ruan pothuajse të gjithë elementët arkitektonik. Përmasat e mëdha, veçoritë në elementët e ndërtimit, si dhe veçoritë në elementët e mbulimit i japin monumentit vlera unikale”, thuhet në materialin që ka publikuar DRTK Vlorë. Falë kësaj ndërhyrje, monumenteve të shumta dhe unikale të parkut arkeologjik të Amantias i shtohet tashmë edhe një tjetër pikë e vizitueshme në itinerarin turistik. Sipas DRTK Vlorë, rezultatet e procesit të gërmimit dhe dokumentimit janë ende në fazë studimi nga specialistët përkatës, kështu që për kronologjinë e ndërtimit të varrit monumental mund të propozohet vetëm një datim paraprak, i cili mendohet që daton rreth shek. III p.Kr. Amantia u themelua në fund të shekullit V para Krishtit. Ajo ndodhet në një kodër dhe është e fortifikuar me mure. Në shekullin e III-të para Krishtit qyteti u forcua ekonomikisht dhe nxori monedhat e tij të para. Në vitin 268 para Krishtit, qyteti preu monedhën e vet. Ka ende gjurmë të tempullit të Afërditës, teatrit dhe stadiumit. Parku arkeologjik i Amantias ofron edhe monumentet unike si, stadiumi antik, bazilika paleokristiane, tempulli i Afërditës, varret monumentale të nekropolit verilindor, etj. Gjetjet më të hershme nga Amantia, qeramike dhe figurina prej bronzi, i takojnë shek. VI p.e.s. dhe lidhet me një vendbanim protourban, kurse gjetjet prej qeramike u përkasin dy grupe: gjetjet enë të vogla me vernik të zi dhe enë të ndryshme.
Gazeta Sot.
Shenim: Mbetemi te habitur nga fakti; qe kemi objekte te shek VI p.e.s.dhe ne lajmin e mesiperme thuhet se u formua ne shek V p.e.s. Duhet te jete lapsus.