Ambasada ruse tallet me ministrin Ditmir Bushati. –
22 Mars, 2018. –
- Ambasada ruse në Tiranë ka reaguar sot ndaj deklaratës së ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati lidhur me helmimin e ish spiunit rus Sergej Skripal-it dhe vajzës së tij Julia në Britaninë e Madhe. Bushati tha ndër të tjera se Shqipëria dënon sulmin rus, ndërkohë që Rusia dhe Britania janë në luftë deklaratash dhe nervash.
Me një gjuhë diplomatike ironizuese rusët kanë shkruar se “kolegët tanë shqiptarë duhet të kenë prova të implikimit të Rusisë në helmimin e Sergej Skripal-it dhe vajzës së tij Julia”.
Por më pas vjen tallja me ministrin Bushati dhe ja si shkruan ambasada ruse në Tiranë: “Dhe në këtë situatë, kur i gjithë komuniteti ndërkombëtar dhe në veçanti Rusia kërkon me të drejtë një hetim sa më të shpejtë të tragjedisë, informacioni që zotëron pala shqiptare dhe në bazë të të cilit është përgatitur deklarata e lartpërmendur e MEPJ-së, është me rëndësi kritike për zbardhjen e situatës dhe identifikimin e autorëve të ngjarjes”.
Burime nga ministria e jashtme tregojnë se ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati po përgatit një përgjigje ndaj ambasadës ruse në Tiranë, ku edhe ai do të përdorë ironinë e stilit rus.
Reagimi i plotë i Ambasadës Ruse ndaj deklaratës së Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.
Kemi lexuar deklaratën e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, datë 20 mars 2018, titulli i së cilës konstaton një “sulm kimik të zhvilluar nga Rusia kundër Britanisë së Madhe”.
Kemi respekt për specialistët e MEPJ-së dhe nuk kemi asnjë arsye për të vënë në dyshim përgjegjshmërinë e tyre në formulimin e deklaratave zyrtare të dikasterit që përfaqësojnë. Prandaj kemi arsye të besojmë që kolegët tanë shqiptarë duhet të kenë prova të implikimit të Rusisë në helmimin e Sergej Skripal-it dhe vajzës së tij Julia. Siç dihet, Britania e Madhe, e cila ka ngritur disa akuza të rënda kundër Rusisë lidhur me incidentin në Salisbury, vazhdon të refuzojë me kokëfortësi të tregojë prova dhe të zbatojë procedurat e aprovuara ndërkombëtare, përfshirë edhe në kuadër të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike. Kjo do të thotë me të gjitha gjasat që Londra nuk ka asnjë provë të përfshirjes ruse. Dhe në këtë situatë, kur i gjithë komuniteti ndërkombëtar dhe në veçanti Rusia kërkon me të drejtë një hetim sa më të shpejtë të tragjedisë, informacioni që zotëron pala shqiptare dhe në bazë të të cilit është përgatitur deklarata e lartpërmendur e MEPJ-së, është me rëndësi kritike për zbardhjen e situatës dhe identifikimin e autorëve të ngjarjes. I qëndrojmë mendimit se fshehja e këtij informacioni është e palejueshme dhe në kundërshtim me interesin e përbashkët të të gjitha shteteve të përgjegjshme.
E ritheksojmë: ne nuk mund të besojmë që pala shqiptare mund të ketë hedhur gjithë fajin për atentatin në Salisbury mbi Rusinë pa patur argumente të forta e të mjaftueshme. Në të kundërt, do të bëhej fjalë qoftë për mungesën e kompetencës nga ana e MEPJ-së, qoftë për një manipulim të qëllimshëm të opinionit publik. Pala ruse, më shumë se çdokush tjetër, është e interesuar për të zbuluar të vërtetën e helmimit të shtetases ruse dhe është e hapur për çdo komunikim me kolegët shqiptarë lidhur me këtë çështje.
Tiranë, më 22 mars 2018