Ambasadorët shqiptarë në takimet e Ramës. – PD i çon në SPAK: – Shkelje që dënohet me 3 vite burg
27 Tetor 2024
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar ashpër pas takimit të kryeministrit Edi Rama me diasporën në Nju Jork, duke akuzuar ambasadorët shqiptarë që shërbejnë në selitë diplomatike jashtë vendit se janë bërë një me Partinë Socialiste duke iu bashkuar këtyre aktiviteteve politike.
Bardhi e shoqëron reagimin e tij me një kolazh fotosh, ku shihen Ambasadorët e Shqipërisë, në Athinë, Romë, Pragë, Kombet e Bashkuara etj… duke marrë pjesë në takimet e thirrura nga kryeministri Rama ose drejtuesi politik i PS për Diasporën, Taulant Balla.
Numri dy i PD-së shprehet se “aktivitetet politike të Edi Ramës dhe Taulant Ballës jashtë vendit gjatë kësaj kohe kanë provuar jo vetëm braktisjen nga shqiptarët, por edhe një fenomen kriminal, atë të shkrirjes së shtetit me partinë”.
Bardhi vijon më tej duke akuzuar të Majtët në pushtet se trupën diplomatike po e shfrytëzojnë si trupë elektorale në prag të zgjedhjeve të 2025, ku për herë të parë diaspora do të ketë të drejtën e votës, me procesin që do të kryhet përmes postës.
“Kjo është aq evidente, saqë edhe Ambasadorët në SHBA, Kombet e Bashkuara, Itali, Gjermani, Greqi, Çeki, etj., në dhunim brutal të ligjit, marrin pjesë në aktivitete partiake me qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë, duke shpërdoruar funksionin, duke përdhosur figurën e përfaqësuesit të shtetit shqiptar (jo partisë) në botë, si dhe duke cënuar barazinë e palëve në zgjedhje. Shkrirja e shtetit me partinë në zgjedhje dhe përdorimi i Trupit Diplomatik si trupë elektorale e partisë në pushtet, është një cënim i rëndë i zgjedhjeve dhe një rast unik në botë. Kurrë, askund, Trupa Diplomatike nuk merr pjesë në aktivitete partiake dhe aq më pak nuk shërben si trupë elektorale e partisë në pushtet. Funksioni kërkon paanësi politike dhe përfaqësim me dinjitet të Shqipërisë në Botë”, nënvizon Bardhi.
Kreu i Grupit të PD shprehet se “sipas ligjit nr. 23/2015, Shërbimi i Jashtëm është pjesë përbërëse e Shërbimit Civil të Republikës së Shqipërisë dhe vepron në bazë të parimeve të profesionalizmit, integritetit, dhe PAANËSISË POLITIKE”.
“Përveç detyrimeve të parashikuara nga ligji për nëpunësin civil, Ambasadorëve dhe stafeve të tyre NUK U LEJOHET me ligj të bëjnë pjesë në asnjë parti, organizatë ose shoqatë politike apo TË MARRIN PJESË në veprimtaritë e organizuara prej tyre. Shkelja e këtyre detyrimeve ligjore passjell shkarkimin nga detyra. Në mënyrë të vazhdueshme OSBE-ODIHR ka rekomanduar ndalimin e keqpërdorimit të burimeve shtetërore për të krijuar avantazhe të konsiderueshme të partisë në pushtet në zgjedhje, si dhe ka rekomanduar që organet ligjzbatuese të veprojnë në kohë dhe me vendosmëri për të ndëshkuar këtë fenomen”, shkruan Bardhi.
Në vijim të reagimit të tij, Bardhi kërkon që për të ashtëquajturin skandal sipas tij, të reagojë me urgjencë Presidenti Bajram Begaj, duke mbajtur qëndrim distancues nga veprimet e Trupës Diplomatike shqiptare të dekretuar prej tij.
Madje Bardhi i kërkon Begajt që të ndëshkohet sipas ligjit secili prej ambasadorëve apo konsujve shqiptarë që kanë organizuar ose marrë pjesë në aktivitete të Partisë Socialiste.
“I kërkoj Presidentit të Republikës z. Bajram Begaj, si autoriteti kushtetues përgjegjës për dekretimin e Trupit Diplomatik të Shqipërisë kudo në botë, që të mbajë qëndrim publik për t’u distancuar nga aktiviteti i paligjshëm politik i Ambasadorëve dhe stafeve të Ambasadave të Republikës së Shqipërisë në mbarë botën, në organizimin dhe pjesëmarrjen në aktivitetet partiake të Kryetarit apo Drejtuesit Politik të Partisë Socialiste me shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Gjithashtu, me kompetencat që i njeh Kushtetuta dhe ligji, Presidenti i Republikës ka përgjegjësinë për që të ndërhyjë menjëherë për të mbajtur përgjegjës përpara ligjit secilin Ambasador që në shkelje brutale të ligjit ka organizuar dhe merr pjesë në veprimtari politike të Kryetarit të Partisë Socialiste dhe Drejtuesit Politik për Diasporën të Partisë Socialiste në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.”
Sipas Bardhit “ky është një KRIM që dënohet me 3 vjet burg nga Kodi Penal, sipas paragrafëve 1 dhe 4 të nenit 328/a të Kodit Penal “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore””.
“Përgjegjësi penale sipas ligjit kanë Kryeministri Edi Rama dhe Ministri Taulant Balla, për përdorimin e burimeve njerëzore shtetërore për zgjedhje, dhe Ambasadorët e stafet e tyre diplomatike, për pjesëmarrje në aktivitete politike”, thekson kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Në përfundim të reagimit të tij, Bardhi bën me dije se PD ka nisur përgaitjen e një kallëzimi penal që do t’ia dorëzojë Prokurorisë së Posaçme për rastin në fjalë, duke akuzuar kryeministrin Rama, ministrin Balla dhe të gjithë ambasadorët që i janë bashkuar takimeve të tyre jashtë kufijve të vendit.
“Për këtë qëllim, kam udhëzuar përgatitjen menjëherë të një kallëzimi penal në SPAK ndaj Edi Ramës, Taulant Ballës, Ambasadorëve që janë evidentuar deri më tani në aktivitete partiake/zgjedhore dhe stafeve të tyre përkatëse diplomatike. Apeloj Presidentin e Republikës dhe Prokurorinë e Posaçme të përmbushin në kohë, pa hezitim, misionin e tyre kushtetues, sipas përgjegjësive, për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, dhe për të ndëshkuar secilin zyrtar të shtetit që dhunon kaq brutalisht ligjin, për interesa të pushtetit personal të Edi Ramës”, shkruan Bardhi.
Gazeta Dita