Ambasadori britanik në Beograd ultimatum Serbisë: – T’i nxjerrë përgjegjësit para drejtësisë
30 Shtator 2023
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Serbi, Edward Ferguson, ka folur për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, për të cilin tha se shumë pyetje ende janë pa përgjigje.
Ferguson tha se disa nga pyetjet që ende nuk kanë përgjigje janë se kush ishin sulmuesit, si arritën të hynin me një arsenal të tillë armësh dhe çfarë planifikonin të bënin.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që Serbia tani të kontribuojë në një hetim të plotë dhe sjelljen e përgjegjësve para drejtësisë. E kuptoj që emocionet janë të larta nga të gjitha anët, por ajo që na duhet dëshpërimisht tani është përgjegjësia dhe vetëpërmbajtja”.- tha Ferguson.
“Nuk ka asnjë justifikim për sulmet ndaj policisë që ndodhën të dielën. Në të njëjtën kohë, duhet të pranojmë se kjo nuk ndodhi në vakum, por në kontekstin e tensioneve të shtuara në terren, e gjitha për shkak të dështimeve serike për të arritur përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, tha Ferguson për mediumin serb Nova.
Tutje, Ferguson tha se dialogun nën patronazhin e BE-së është vendi kyç ku duhet të zgjidhen mosmarrëveshjet mes Kosovës e Serbisë.
“Tensionet e pazgjidhura mes Beogradit dhe Prishtinës janë, nga të gjitha çështjet, ndoshta pengesa më e madhe për zhvillimin ekonomik të këtij rajoni. Të gjithë mund t’i shohim pasojat në formën e daljes jashtë vendit të një numri të madh të rinjsh”.
“Ajo që kanë treguar edhe ngjarjet e fundjavës së kaluar është se kjo nuk është vetëm një çështje e rëndësishme, por edhe urgjente. Për këtë arsye i bëjmë thirrje presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti që t’i kthehen dialogut në frymën e kompromisit dhe në interes të të gjithë njerëzve në këtë rajon dhe më gjerë në Evropë”, tha ai.
Gazeta Sot