Ambasadori i OSBE: – “Opozita, për mendimin tonë, duhet të gjejë një mënyrë për të shkuar përtej ndarjes aktuale.
28 Shkurt 2023
Ambasadori i OSBE në Shqipëri Guido de Sanctis ka folur mbrëmjen e sotme në lidhje me situatën politike në vendin tonë. Në një invervistë për emisionin “Pa Censurë” ai deklaroi se një demokraci mund të bëhen deklarata të forta por nuk mund të pranohen kërcënimet.
Ai u ndal edhe te ndarja e opozitës në grupime duke e cilësuar këtë një shqetësim për faktorin ndërkombëtar. Sipas tij një opozitë e fortë është e nevojshme për funksionin e demokracisë.
“Opozita, për mendimin tonë, duhet të gjejë një mënyrë për të shkuar përtej ndarjes aktuale. Nuk e themi se si duhet të bëhet kjo, nuk po themi që zgjidhja gjyqësore parapëlqehet ndaj një marrëveshjeje. Një marrëveshje është gjithnjë më e mirë sesa një vendim gjykate. Gjithsesi, jam i bindur që ndarja e brendshme e opozitës sot duhet tejkaluar shpejt dhe me mençuri, në mënyrë që të ketë funksionim më të mirë të demokracisë shqiptare.”– u shpreh ai.
Duke vënë në dukje se ai ishte në komunikim me të gjithë grupimet e opozitës, të cilëve ua ka përcjellë këtë mesazh, Ambasadori theksoi rëndësinë e marrjes së një vendimi të pandikuar nga gjykata. “Askush, as qeveria, as Prezenca e OSBE-së, nuk mund të ndërhyjë në procedurat gjyqësore.”
Ai u pyet edhe në lidhje me situatat e krijuara në Kuvend ku maxhoranca dhe opozita janë përplasur vazhdimisht javët e fundit. Guido de Sanctis theksoi se palët politike duhet të respektojnë rregullat dhe t’i përdorin ato me pjekuri.Intervista e plotë:
Nga këndvështrimi juaj, ambasador, cilat janë problemet kryesore të cilësisë së demokracisë në Shqipëri?
Le ta nisim nga diçka për të cilën të gjithë biem dakord. Burimet më të mira të çdo vendi janë njerëzit e tij. Dhe karburanti më i mirë për jetesën qytetare është besimi i ndërsjellë. Ka momente në historinë e çdo vendi ku besimi i ndërsjellë mund të luhatet: mund të jetë i lartë, mund të jetë më i ulët. Mendoj se Shqipëria është një nga ato raste ku i duhet dhënë më shumë vëmendje ushqimit të besimit të ndërsjellë. Besimi i ndërsjellë mbështetet te dialogu. Do të doja t’ju kujtoja se dialogu është ndër parimet mbi të cilat u themelua OSBE-ja. Kur lindi si KSBE më 1975, ideja e themeluesve të saj ishte të përdorej dialogu sa herë të kishte një problem për të zgjidhur.
Në fakt, vitin e shkuar Shqipëria e kryesoi OSBE-në në nivelin më të lartë të saj, kryetar i OSBE-së ishte kryeministri Rama. Por, në fakt, në Shqipëri nuk pati asnjë dialog mes partive politike. Është problem ky?
Veprimtaria jonë këtu me bashkëbisedues të ndryshëm… ne flasim me të gjithë dhe u japim të gjithëve të njëjtin mesazh. Mesazhi është se mund të ndodhë në një demokraci që të lëshohen fjalë të rënda. Kjo është normale. Ajo që nuk është normale është përdorimi i kërcënimeve, përfytyrimi i skenarëve krizash. Nuk është kjo demokracia. Puna jonë këtu… dua t’ju kujtoj që në ende mbajmë një stil tipik të OSBE-së, të cilin mund ta përkufizoj si stil të heshtur. Bashkëbiseduesit tanë i marrin shumë qartë mesazhet tona për dialog, por nuk është në interesin tonë që çdo gjë që bëjmë të bëhet publike apo të thuhet në media, pasi mendojmë se këto mesazhe duhen shtjelluar nga ne dhe nga bashkëbiseduesit. Por ju siguroj se ne i japim shumë qartë këto mesazhe.
Ambasador, ka një perceptim sikur roli i OSBE-së nuk është më aq i rëndësishëm sa ç’ka qenë vite më parë këtu në Shqipëri. Kjo vjen për shkak se ju jeni tërhequr si ndërmjetës; këtu në Shqipëri nuk ka më kriza siç ka pasur më përpara, kriza politike e kam fjalën; apo ka rënë besimi tek OSBE-ja?
Ne nuk jemi të paduruar për të ikur nga vendi, natyrisht, unë vetë bëj një jetë shumë aktive këtu, por, objektivisht, ne punojmë për t’u bërë sa më pak të nevojshëm. Ende punojmë në stilin e heshtur që përmenda dhe nga bashkëbiseduesit e mi – nga institucionet dhe shoqëria civile – kam dëgjuar vetëm vlerësime. Kjo më jep bindjen se puna jonë këtu është ende e vlerësuar dhe ende e nevojshme. Pra, nuk do të thosha që jemi më pak të rëndësishëm. Jo, nuk jam dakord me këtë.
Ambasador, në fakt, kur flitet për OSBE-në, gjithmonë na vijnë në mend zgjedhjet. çfarë mendoni për përgatitjen e zgjedhjeve të 14 majit në Shqipëri?
Ky është një moment i rëndësishëm për jetën demokratike të Shqipërisë. Fatmirësisht, kemi punuar shumë mirë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, unë jam takuar me Komisionerin, dhe mendoj që përgatitjet janë në kohë dhe ata po e përgatisin terrenin në mënyrë shumë efektive. Prandaj nuk jam i shqetësuar në këtë drejtim.
Ka raste kur konsensusi është i nevojshëm, ka raste kur mazhoranca vetë nuk mund të arrijë te vendimi. Siç e thashë edhe më parë, keni edhe pjesën tjetër të demokracisë, që është dialogu, pra dialogu midis mazhorancës dhe opozitës. Kjo është pjesa e jetës politike në Shqipëri, në të cilën palët e interesit duhet të punojnë me më shumë vizion, do të thosha, me më shumë mirëbesim të ndërsjellë dhe me vizion. Ky ndoshta është, siç po thosha që në fillim të intervistës, problemi i sotëm, pra që duhet të punohet për besimin e ndërsjellë, edhe përbrenda opozitës.
Çfarë do të thotë kjo e fundit?
Mendoj se të gjithë pajtohemi që një opozitë e fortë është e nevojshme për funksionimin e demokracisë, për të miratuar ligjet, për të marrë vendimet e rëndësishme, siç e thatë edhe ju. Opozita, për mendimin tonë, duhet të gjejë një mënyrë për të shkuar përtej ndarjes aktuale. Nuk e themi se si duhet të bëhet kjo, nuk po themi që zgjidhja gjyqësore parapëlqehet ndaj një marrëveshjeje. Në vizionin tonë të një bote ideale, një marrëveshje është gjithnjë më e mirë sesa një vendim gjykate. Gjithsesi, jam i bindur që ndarja e brendshme e opozitës sot duhet tejkaluar shpejt dhe me mençuri, në mënyrë që të ketë funksionim më të mirë të demokracisë shqiptare.
Meqenëse jemi tek opozita, më lejoni t’ju pyes, cila është marrëdhënia që ju keni ndërtuar, ju personalisht, me opozitën? Komunikoni me të dyja pjesët e opozitës?
Unë kam komunikim me të gjithë përfaqësuesit e opozitës dhe, meqë ra fjala, më lejoni të them që kam komunikim me të gjithë përfaqësuesit, në përgjithësi, të të gjithë spektrit politik në Shqipëri. Për t’iu kthyer pyetjes suaj, po, jam takuar me përfaqësuesit e të gjitha këtyre, t’i quajmë kështu, të të gjitha fraksioneve të palës opozitare. Kam marrë informacione tejet interesante, po ashtu kam përçuar edhe mesazhin që sapo jua thashë, që një marrëveshje do të ishte zgjidhja më e mirë. Por e kuptoj që ka një procedurë gjyqësore, prandaj askush, as qeveria, as Prezenca e OSBE-së, nuk mund të ndërhyjë në procedurat gjyqësore. Është ajo që kemi mësuar në shkollë, që pushteti gjyqësor është i pavarur dhe është elementi më i rëndësishëm i zbatimit të ligjit, në cilindo vend demokratik. Pra, gjyqi do të vazhdojë dhe unë nuk komentoj mbi atë që mund të ndodhë, por ndihem i detyruar të dërgoj mesazhin e gjetjes së marrëveshjes, veçanërisht kur takoj njerëz të të gjithë fraksioneve të opozitës.
Kur ju u kërkoni që opozita të bashkëpunojë, të gjejë një marrëveshje, si ju përgjigjen ata, nëse mund të na e thoni?
Tani po gërmoni në biseda private, por mund t’ju them që askush nuk përgjigjet, apo ta them kështu, të gjithë pajtohen që një marrëveshje është zgjidhje më e mirë sesa një vendim i imponuar nga gjykata apo nga lart. Në teori, të gjithë pajtohen me këtë, po.
Por, ju jeni gazetarja, ju duhet ta ndiqni çfarë ndodh. Unë e ndjek, u referohem edhe mediave për të kuptuar se çfarë ndodh, mediave dhe bisedave private. Pra, më tregoni ju se çfarë ndodh.
Ndërkohë, Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, z. Berisha dhe përfaqësues të tjerë të Partisë Demokratike kanë deklaruar, herë pas herë, se nëse zgjedhjet më 14 maj nuk do të jenë sipas standardeve më të larta demokratike, në Shqipëri do të ketë destabilizim. A jeni të përgatitur ju për këtë skenar?
Personalisht, kam qenë dëshmitar i skenarëve tejet problematikë kur punoja në Libi, më 2011, dhe filloi revolucioni. U krijuan disa kushte dhe diçka ndodhi. Si sot një vit më parë, siç e dimë të gjithë, filloi lufta në Ukrainë. Unë isha në Moskë në atë kohë, saktësisht një vit më parë. Pra, kushtet e krizës janë të lexueshme, mund t’i vëresh përreth teje. Unë jam prej tre muajsh në Shqipëri dhe nuk vërej kushtet për atë që ju e quani destabilizim, apo të themi, ndonjë krizë madhore. Personalisht, nuk i shoh. Siç e thashë më parë gjatë intervistës, është një gjë të jesh i qartë, i drejtpërdrejtë e i sinqertë kur je parti dhe flet për partinë tjetër, dhe është gjë tjetër, në demokraci, të shprehësh kërcënime. Është diçka që nuk është pjesë e rregullave demokratike. Askush, dhe nuk po i referohem dikujt posaçërisht, askush nuk duhet të përdorë kërcënime.
Pra, ju mendoni që nuk ka vend për destabilizim?
Nuk kam gjykim për këtë. Ju fola për përvojën time të kufizuar prej zyrtari ndërkombëtar të dërguar jashtë shtetit, kur e kam gjetur veten në situata krize. Mendoj se përgatitja e një krize është diçka që mund ta nuhasësh në ajër. Jam i sigurt që Shqipëria, dhe përgjithësisht kjo është përshtypja ime për Shqipërinë, që është vend i zgjuar, që ka arritur të dalë në mënyrë paqësore nga një periudhë e tmerrshme. Fundjavën e kaluar isha në Shkodër dhe vizituam vende ku ishin burgosur njerëzit më parë. Ishte një detaj, por me të vërtetë më bëri shumë përshtypje. Pra, njerëzit që janë kaq të zgjuar e të guximshëm nuk mund t’i lënë gjërat të shkojnë përtej pikës ku nuk kontrollohen më. Jam i sigurt që pjekuria do të triumfojë.
Le të jetë kështu, z. Ambasador, sepse kjo çështja e nuhatjes është pak problematike, sepse shumë pak njerëz nuhatën që do niste Rusia një luftë në Ukrainë, meqenëse se ju ishit atëherë në vendngjarje. Por, ju lutem t’ju pyes për ngjarjet që ndodhin në parlamentin shqiptar, besoj që i keni ndjekur, atje është përkeqësuar situata politike. Mendoni që mazhoranca po e lejon opozitën të ketë të gjitha të drejtat e saj, të ushtrojë kontrollin parlamentar brenda parlamentit?
Ju përmendët kontrollin parlamentar. Kontrolli është një prej detyrave më kryesore të cilitdo parlament, jo vetëm në Shqipëri. Kontrolli parlamentar ka një sërë rregullash, ka rregulla të shkruara e të pashkruara. Nëse mund ta them kështu, apeli ynë është që secila palë t’u përmbahet rregullave, të shkruara e të pashkruara, me dinjitet e pjekuri. Unë nuk gjykoj, por ne bëjmë thirrje që ky funksion të përdoret me dinjitet e pjekuri.
Në fakt, i janë mohuar disa të drejta opozitës. Për shembull, nuk ngrihen komisione hetimore parlamentare, kryeministri s’pranon interpelanca. Përbën një problem kjo për ju, sepse nuk shohim reagim nga OSBE-ja. Ndërkohë, dikur ka pasur të tilla reagime.
Sikurse ju thashë, fakti që reagimet tona nuk bëhen publike është ngaqë mendojmë se, në këtë situatë, gjëja më e mirë që mund të bëjmë është t’ua japim mesazhet bashkëbiseduesve tanë. Ne flasim me të gjithë, sikurse ju thashë, me çdo palë politike, dhe i përcjellim këto mesazhe. Mesazhi për procedurat parlamentare u është përcjellë qartë këtyre bashkëbiseduesve.
Përderisa po ju them që veprojmë në mënyrë të heshtur, nuk jam në gjendje t’u tregoj tërë mesazhin, por mesazhi është: keni rregulla, të shkruara e të pashkruara, përdorini me pjekuri.
Gazeta Sot