Ambasadori shqiptar në SHBA denoncohet nga qeradhënësi. – “Na gënjeu me çekun, iku pa paguar”
17 Dhjetor 2023
Ervin Bushati, ambasadori shqiptar në SHBA duket se është përfshirë në një incident personal me një shqiptar në Uashington.
Denoncuesi Artur Elezi, shkruan në rrjetin e tij social se ambasadori është zhdukur pa i paguar një muaj të qirasë së shtëpisë.
Elezi shkruan se Bushati i ka dërguar në shtëpi një çek të pa firmosur, gjë e cila nuk ishte vënë re menjëherë nga pronarët.
Pas disa ditësh shoferi i ambasadës u ka kthyer çelësat e shtëpisë pa dhënë asnjë informacion tjetër për ambasadorin.
Postimi i Artur Elezit
Zoti Ervin Bishati është qeraxhiu ynë me kontratë deri në fund të vitit. Diku nga fillimi i nëntorit na dërgon pagesën e muajit me një cek të pa firmosur. E vumë re pas disa ditësh dhe i vemi në shtëpi që ta firmosë. Për habi shtëpia është bosh. Pas disa ditësh shoferi i Ambasadës na sjell çelësin e shtëpisë. Ambasadori vetë është zhdukur pa bërë pagesën, madje nuk i përgjigjet as telefonit. U shkruajmë ca kolegeve dhe eprorëve të ambasadorit- deri në kupolë. Heshtje e plotë, edhe ata janë zhdukur.
Ç’ti themi kësaj! Askush nuk duhet të sillet në këtë mënyrë, veçanërisht një përfaqësues më i lartë i qeverisë në uashington DC.
Gazeta Dita