Ambasadorja Kim akuza për presione ndaj prokurorëve të SPAK për mos-arrestime të VIP-ave të politikës
21 Tetor 2022
Ministrat, ish-ministrat, deputetët dhe gjyqtarët e korruptuar në Shqipëri, pritet të japin llogari për të gjitha aferat dhe abuzimet që kanë bërë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë marrë seriozisht luftën ndaj korrupsionit dhe shumë shpejt SPAK pritet të nisë arrestimet “VIP” në Tiranë. Edhe pse politika ka tentuar gjithmonë që të bllokojë reformën në drejtësi, ndërkombëtarët kanë ndërhyrë në momentet kyçe dhe kanë bërë që ky proces të vijojë. Sinjalet e qarta se do të ketë “prerje kokash” në nivele të larta janë dhënë ditën e djeshme nga ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim. Mesazhi i saj ka tronditur klasën politike në vend, duke ja u bërë të qartë se koha kur fusnin duart në sistemin e drejtësisë ka mbaruar.
Teksa dosjet “përvëluese” për zyrtarë shumë të lartë të korruptuar po hetohen nga SPAK, Yuri Kim ka zbuluar se gjyqtarë dhe prokurorë po kërcënohen dhe po shantazhohen për ndërprerje të hetimeve. Por SPAK nën mbikëqyrjen amerikane nuk do të bëjë asnjë hap pas. Gazeta “SOT” ka mësuar se shumë shpejt do të ketë arrestime për çështje të nxehta që përfshijnë politikanë, qeveritarë si dhe ndërlidhje të krimit të organizuar me shtetin dhe skemat e pastrimit masiv të parave të korrupsionit dhe të drogës. Kjo është dhe arsyeja pse kërcënimet e pushtetarëve të lartë të lidhur me krimin po shtohen ditët e fundit, pasi laku po “ngushtohet”.
SHBA trondit pushtetarët e lartë të korruptuar
Deklaratat e forta nga SHBA erdhën në 30-vjetorin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, gjykatë e cila pikërisht nga vetingu i reformës së 2016-ës u zbraz deri te një anëtar. Yuri Kim, për herë të tretë në 10 ditë, po flet për njerëz që e kundërshtojnë këtë progres dhe madje po dyfishojnë përpjekjet për ta tërhequr Shqipërinë në të shkuarën, kur gjyqtarë e prokurorë mund të bliheshin e kërcënoheshin e kur qytetarët e thjeshtë nuk besonin se ka diçka të tillë si drejtësia në gjykatë.
“Për një kohë të gjatë, mënyrat e vjetra kanë ngulmuar. Prandaj, të gjithëve ju, juve që doni të zvarritni Shqipërinë prapa në të kaluarën, ta zvarritni atë me shkelma e ulërima, me njerëzit që vuajnë, juve them: Ndalni. Ndalni. Kohës tuaj i ka ardhur fundi. Koha e të bërit telefonata, e të dërguarit emisarë, e të dërguarit dhurata, e kërcënimeve për të zbuluar sekrete të errëta nga një e kaluar e shëmtuar, e premtimit të dhuratave, të cilat nëse pranoheshin, hidhnin bazat për një tjetër sekret të errët, për një tjetër të ardhme të errët. Ajo kohë ka marrë fund. Ju i shijuat privilegjet tuaja, ju e shijuat imunitetin tuaj, i mbushët xhepat tuaj, i mbushët xhepat e fëmijëve tuaj, të miqve tuaj! Ndalni, ka marrë fund! Koha juaj ka marrë fund”, tha ambasadorja.
Mesazhi i fortë i SHBA
Ambasadorja amerikane kërkoi nga gjyqtarët që të mbyllin çdo telefonatë që vjen nga “shantazhuesit e drejtësisë”. “Ka ardhur koha që t’a lini popullin shqiptar të besojë se ekziston drejtësia nëShqipëri, se ia vlen që ata dhe fëmijët e tyre të qëndrojnë, se ekziston një e ardhme më e ndritur, se ka dënim për ata që kryejnë krime, se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit. Këtë duhet të bëjë Gjykata Kushtetuese dhe këtë është përpjekur të bëjë në vitet e fundit. Këtë duhet të bëjë çdo gjykatë, këtë duhet të bëjë çdo prokuror. Mjaft iu përgjigjët atyre telefonatave. Mjaft pranuat dhurata.
Mjaft u frikësuat nga ato kërcënime. Lërini shqiptarët të marrin frymë. Lërini të jenë të lirë. Lëreni Shqipërinë të jetë e shkëlqyer”, u shpreh ambasadorja amerikane. Gjithashtu, ambasadorja e SHBA hoqi një paralele të SPAK me drejtësinë e vjetër në Shqipëri, ku kjo e fundit blihej me para. “Ata do të donin ta tërhiqnin zvarrë Shqipërinë në të kaluarën, në një kohë kur gjyqtarët dhe prokurorët mund të bliheshin, apo kërcënoheshin, në një kohë kur qytetarët e zakonshëm shqiptarë nuk e besonin se mund të ekzistonte drejtësia në gjykatë, se ata mund të kishin pushtetin, paratë, apo lidhjet për të ndërtuar një jetë për veten e tyre në këtë vend, për veten dhe fëmijët e tyre“, tha ndër të tjera ambasadorja Yuri Kim.
Gazeta Sot