“Amerikanët e kanë braktisur Ramën, po investohen te të tjerë brenda mazhorancës”. –

Korrik, 15, 2018

 “Ramën tanimë nuk po e pranon më politika amerikane në funksion të reformës, por ajo ka gjetur pika të tjera brenda mazhorancës në të cilat mbahet” – thotë në këtë intervistë për DITA, Spartak Ngjela.

Sipas avokatit, Rama ka nisur ta sabotojë fshehtas Reformën në Drejtësi pas “çadrës së PD-së”.

Ngjela shkon më tej duke deklaruar se Rama kishte bërë marrëveshje me PD-në për bashkëqeverisje dhe për të luajtur më pas kartën e pamundësisë së bërjes së reformës për shkak të PD, por rezultati i zgjedhjeve të qershorit, e befasoi.

“Ai kërkoi krizë zgjedhjesh që të bënte marrëveshje me Bashën dhe u mërzit shumë që fitoi 74,  sepse vetëm nën këtë numër i lindte e drejta që të bënte koalicion me PD; pasi vetëm kështu do të kishte mënyrën adeguate për të penguar reformën. Ky në fakt është një nivel i ulët politik që e kuptojnë edhe pulat e lagjes sime. E patë sa i mërzitur ishte kur fitoi zgjedhjet.? Se është i paaftë që ta fshehë” – thotë Ngjela.

Sipas tij, amerikanët i kanë tashmë këto informacione.

“Rama nuk ka fuqi të dalë hapur kundër reformës se rrëzohet dhe gjithë shpresën e ka të këta të tjerët (opozita). Po mirë, këta, e dinë politikën amerikane nga Çorovoda?! Kështu mendojnë këta!? Gjendja e tyre, me këto budallallëqe që po bëjnë është shumë e rëndë” – thotë ai.

Më poshtë, intervista e tij e plotë, botuar sot në DITA.

-Avokat, janë pesë vite që Edi Rama dhe qeveria e tij po drejtojnë vendin. Në gjykimin tuaj, cili është bilanci i qeverisë?

Si introduktë mund të themi që qeverisja erdhi si pasojë e një shkatërrimi moral që pati qeverisja Berisha, në të gjitha aspektet e jetës shoqërore dhe jetës kombëtare: korrupsion, shkelje e interesit kombëtar, vrasje e njerëzve në Gërdec, 21 Janari…

Nuk besoj se do të vij më ndonjë rast në histori që të ketë kaq shumë gjëma nga një qeveri. Por gjithsesi kampionin po kjo qeveri e ka se, çfarë do që bëri nuk e arriti dot nivelin e dëmeve dhe gjëmave të vitit 1997. Gabimi ishte i shqiptarëve dhe natyrisht që kam edhe unë gabimin tim.

Socialistët erdhën për t’i riparuar këto, dhe gjatë këtyre momenteve këta e kishin riparuar problemin e detit, të gjirit të Sarandës, që ishte një korrupsioni i gjallë, sepse ishin socialistët e hodhën çështjen në Gjykatë Kushtetuese dhe e fituan.

Pasi erdhën në pushtet, u munduan të riparojnë dëmet. Dëmet më shumë ishin morale se sa materiale dhe kishin një shans për të avancuar; reformën në drejtësi.

Në momentin që pata konfliktin me kryeministrin aktuali i thashë: “në rast se ti nuk bën reformën në drejtësi, ti do të rrëzohesh”, sepse unë e dija që edhe Nano ishte rrëzuar për këtë shkak, edhe Saliu po ashtu. Sidomos Saliu, i cili nuk pranoi fare që të ndërmerrej një reformë në drejtësi, sipas konceptit perëndimor që donin amerikanët dhe deri diku gjermanët; sepse ai donte ta bënte ai vet, dmth si ajo që i nxori sytë në vitit 1992.

Nëse ka një krizë në drejtësi sot, ajo e ka origjinën në vitin 1992-1993,  kur Berisha futi dhe mbushi me 6-mujorsha të gjithë sistemin dhe që vazhdojnë edhe sot ta kenë në duar këtë sistem. Kjo ishte gjendja që duhet të riparonin këta.

A e justifikuan veten?

Mund të themi që në katër vitet e para të kësaj qeverie, por sidomos dy vitet e fundit të 4 vjetshin të parë patën një sukses, sepse kryeministri shqiptar u angazhua totalisht pro reformës në drejtësi. Reforma në drejtësi është një hapje porte për të ardhmen e Shqipërisë. Ai e përkrahu, dhe deri këtu ishte normal. Duhet të kemi parasysh se, në funksion të reformës në drejtësi, qeveria e tij ka qenë në embargo.

Për hir të reformës në drejtësi humbën edhe hyrjen në hapjen e negociatave. Gjithçka ka ngecur te reforma në drejtësi, e cila është shpresa e shqiptarëve. Këta po e bllokojnë. Atëherë këta nuk e duan popullin e vetë. Pse? Sepse janë të korruptuar. Deri të çadra Rama ishte me reformën, pas çadrës ndryshoi situata.

Përse, çfarë tregoi çadra?

Çadra tregoi dy gjëra, që politika amerikane do ushtronte dhe do të ushtrojë forcë, por pas kësaj force, Rama u tërhoq. Pse? Sepse siç duket ka menduar politikisht që këtë reformë do të frenonte Berisha, dhe ai të mos mbante përgjegjësi, dhe e dyta, Rama nuk e ndalonte dot hapur reformën, sepse brenda Partisë Socialiste ka forca pro amerikane që nuk mund ta lejonin.

Por pikërisht pas çadrës, fillon kurba e rënies se tij, dhe ai tani nuk ka më vlerë politike në funksion të personalitetit kombëtar shqiptar.

Sepse shenjat janë që Ramën tanimë nuk po e pranon më politika amerikane në funksion të reformës, por ajo ka gjetur pika të tjera brenda mazhorancës në të cilat mbahet.

-Dmth të gjitha palët janë duke e sabotuar në mënyra të ndryshme Reformën në Drejtësi?

Kjo është e vërteta, por është edhe një tjetër e vërtet që amerikanët, politika amerikane, që ka forcën, iu ka marrë Kushtetutën. Rama nuk ka fuqi të dalë kundër reformës se rrëzohet dhe gjithë shpresën e ka të këta të tjerët (opozita). Po mirë, këta, e dinë politikën amerikane nga Çorovoda?! Kështu mendojnë këta!?

Gjendja e tyre, me këto budallallëqe që po bëjnë është shumë e rëndë. Dhe Reforma në Drejtësi ka patur vërtet zvarritje, por në këto momente shohim që ka ecuri të shpejtë të ONM-së. Duhet të kemi parasysh një gjë: maja e puntos që shpon tunelin, për të dal te reforma në drejtësi, është ONM-ja, për eliminimin e gjyqtarëve. Këta janë si Thanza! Ka ndonjë vend të botës që të ketë anëtarin e Gjykatës së Lartë të dënuar për vjedhje!? Vetëm Saliu e bën këtë.

Vetëm njerëzit absolut që urrejnë popullin e tyre e shkojnë deri këtu. ONM-ja e ka shpejtuar procesin në këto momente. Një tjetër arsye që u ndalua me vonesë reforma ishin edhe fondet, për mendimin tim.

-Ju, avokat, besoni të Reforma në Drejtësi?

Shumë.

-Mendoni se do të ndryshojë diçka realisht?

Po, patjetër. Koinçidoi me atë që thashë unë. E deklaruan dhe ndërkombëtarët që, sipas studimit të deritanishëm, 52 apo 53 për qind e gjyqtarëve largohen nga sistemi. Edhe unë kisha thënë që 45 për qind nuk ikin se janë magjistra.

-Po politika a do ta ndjejë reformën në drejtësi? A do kenë edhe ata pasoja?

Po politikanët po të mos kishin pasoja, pse do e frenonin?! Ne nuk e kemi mendjen si të majmunit, ne dimë të arsyetojmë. Nëse nuk do të kalonte reforma tek ata, pse do ishin kaq të shqetësuar dhe pse do e frenonin atë. Rrinin!

-Shifrat e politikanëve që do të preken nga reforma sipas jush, do jenë të ngjashme me të gjyqtarëve?

Më shumë.

-Avokat ju thatë më sipër që amerikanët e kanë lëshuar tashmë Ramën. Ju shpesh flisni në emër të partnerëve të Shqipërisë, siç është SHBA apo dhe shtete të tjera të rëndësishme europiane. Jeni i autorizuar për këto qëndrime apo ju thjesht dini se çfarë do politika e këtyre shteteve?

Unë nuk kam lidhje fare me ambasadat. Këtë e ka thënë dhe ambasadori amerikan. Nuk i kam armiq, por unë jam në politikë dhe e kam gjetur rrugën, do ua shpjegoj se si. Diplomatët janë njerëz që mbrojnë interesin e shtetit të tyre. Në këto momente interesi i shtetit amerikan dhe shtetit shqiptar është i përbashkët dhe ky është rast fatlum.

Kur jep informacion një ambasador dhe thotë që Ngjela na tha kështu, na tha ashtu. Këto nuk i pranoj unë. Jo se kam gënjyer, por unë u them: a doni tua them unë? Atëherë po ua them në shtyp. Unë kam pikat e mia të informacionit, kam kontaktet e mia por jo diplomatë karriere. Unë isha në Berlin dhe aty mora vesh që qeveria është në embargo. Dy miq të mi më thanë se i ke në embargo.

Për sa i përket koicidencës që ka vija ime me qëndrimin e tyre, unë njoh politikën amerikane, se kam qenë gjithmonë ithtar i saj që nga mosha njëzetvjeçare. Unë zotëri, vij nga Xhefersoni; prandaj e di si ka operuar në Japoni, në Gjermani, në Poloni, në Kroaci politika amerikane. Prandaj, sigurisht që e di se si do ndodh edhe në Shqipëri.

-A ka një sukses kjo qeveri që mund t’ja përmendim?

Ka një sukses në reformën në drejtësi, deri te çadra. Po ta vini re, ai kërkoi krizë zgjedhjesh që të bënte marrëveshje me Bashën dhe u mërzit shumë që fitoi 74,  sepse vetëm nën këtë numër i lindte e drejta që të bënte koalicion me PD; pasi vetëm kështu do të kishte mënyrën adeguate për të penguar reformën.

Ky në fakt është një nivel i ulët politik që e kuptojnë edhe pulat e lagjes sime. E patë sesa i mërzitur ishte kur fitoi zgjedhjet.? Se është i paaftë që ta fshehë. Mund të këtë ndonjë kryeministër sot në botë që të mërzitet pse ka fituar zgjedhjet?

Mund të themi se kjo qeveri ka tipare zhvillimi në sistemin fiskal. Ka edhe në infrastrukturë, jo ndonjë nivel të lartë pa ka shenja pozitive. Për punësimin ka kontradikta, pasi punësimi është privat në Shqipëri.

Shqipëria kishte nevojë për tri gjera të mëdha, për investime të spektrit të gjerë, brenda nocioneve të tregut, dhe reformën në drejtësi e reformën në arsim. Të tria këto janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën;

Reformën në drejtësi, në fakt, e përfunduan si strukturë kushtetuese dhe ligjore e bënë me forcën e politikës amerikane. Reformën në arsim nuk e bën fare. Duhet të kemi parasysh që goditja kryesore që qeverisja Berisha i bëri këtij vendi ishte shkatërrimi i arsimit. Futi korrupsionin në arsim në mënyrë drastike. Ngriti universitete privatë fantazëm, që shisnin diploma. Katër universitete punonin për familjen e tij dhe jepnin diploma false, por ndërkohë shkatërroi edhe universitetin e Tiranës, me anë të injorancën që futi atje.

Ishte e rëndë për Ramën që nuk arriti ta bënte dot reformën në arsim . E nisi dhe nuk e çoi deri në fund. Por siç duket edhe ky është kapur nga forcat antishqiptare që gjithmonë kanë gjuajtur fort te arsimi; kundër nivelit të tij.

-Në fillim pati përpjekje…

Pati përpjekje, kishte logjikë e gjitha dhe më pas u tërhoq dhe i dogji të gjitha.

Kjo do të thotë që ata që kanë instruktuar Saliun kanë instruktuar dhe Ramën. Pra për të shpëtuar kokën i kanë thënë duhet të shkatërrosh zhvillimin e shqiptarëve! Sepse Shqipëria ka qenë dhe mbetet në mbijetesë. Momentet që mund të thuhet se ka  dalë nga mbijetesa, janë këto kohë kur ka një aleancë të fuqishme me Uashingtonin. Futja në Nato dhe aleanca me Uashingtonin na ka nxjerr nga rreziku i mbijetesës.

-Gjëja më negative gjatë këtyre 5 viteve sipas jush?

Nëse do të konsideronim një gjë negative shumë të rëndë gjatë 5 viteve të qeverisë Rama,  është fakti se gjatë mandatit të kësaj qeverie është rritur pesimizmi i shqiptarët. Kjo do të mjaftonte për të mos lejuar më të qeveriste.

Por kryesorja është fakti që e ka kapur shumë mirë niveli i lartë i politikës perëndimore, që gjithçka që duhet ndërtuar, duhet të fillojë nga drejtësia. Nëse do të kishim një drejtësi të pavarur, pushtet gjyqësor të drejt, me nivel të lartë të dhënies së drejtësisë dhe të goditjes së krimit, nuk ma do mendja që Saliu do të dilte president apo kryeministër as në ’92, për ato që bëri. As Rama nuk dilte dot kryeministër me një pushtet gjyqësor të pavarur, se nuk do kishin kaluar manipulimet e zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës.

-Një tezë që ju e hidhni shpesh edhe në publik është se kemi një aleancë kryeministrore, mes këtij që është dhe atyre që kanë qenë për të mbrojtur gjënë e fituar në mënyrë abuzive gjatë pushtetit. Pse keni këtë mendim?

I qëndroj absolutisht këtij mendimi. Kam përshtypjen se duhet të përjashtojmë Nanon. Sigurisht që dhe ai ka pasur pjesën e vet të korrupsionit, por nuk hynë me këta. Nuk i pranon, sipas mendimit tim. Ndërsa këta të tre që i kam thënë dhe më parë, pra Rama, Berisha dhe Meta janë bashkë. Këta janë si ekipi muzikor “na bashkoi kënga popullore”.

Një pyetje të drejtpërdrejtë, shpesh thuhet se keni pasur me Ramën një marrëveshje për post. Nëse po kush e ka shkel paktin? Si është kjo historia që është krijuar se avokati sulmon qeverinë se nuk mori karrige? Keni ju një qejfmbetje personale me Ramën?

Qejfmebtje nuk kam. Por duhet të shpjegojmë një gjë në fillim. Nuk jam unë që kam vajtur te Rama. Rama më ka kërkuar mua me 20 emisarë. Unë mund të shkoja dhe me Saliun, por e mendova dhe nuk shkova duke hyrë në një betejë politike. Besoj se e mbani mend rolin tim në 21 janar.

Tani jemi në një situatë që është prishur marrëveshja. Me mua nuk bëhen premtime për poste, mua më premtohet politikë. S’mund të më thuash mua të jap këtë apo atë. Kush je ti? Me mua ka paritet në pushtet, se kam forcë në opinionin publik. Të vij me forcë dhe duhet të kishte parasysh një gjë: a e ushtrova unë forcën që ti të vinje në pushtet, atëherë mbaje mend që ajo forcë që të ka ndihmuar do të godasë.

S’ka qejfmbetje, por prishje marrëveshje ka këtu. Kur prishte marrëveshja politke, në Angli të vrasin, por kanë vrarë njëherë dhe nuk prishen më marrëveshjet politike. Këto muhabete me poste dhe qejfmbetje, janë politikë e nivelit të ulët që i hapin vetë ata.

Me mua ka shkelur marrëveshjen politike, dhe natyrisht që ka bërë shumë mirë, sepse unë nuk mund ta pranoja kurrë korrupsionin kryeministror.

-Shumë nga replikuesit në këtë debat në DITA mbi 5 vitet e qeverisjes Rama, përmendin si korruptive dhe të dyshimta PPP-të dhe koncesionet. Janë nisur në kohën e Berishës, por duket se tani kanë marr një hov të madh…

Kjo kërkon studim. Këto ose mund të na varrosin ose mund të na përkthehen në pasuri. Pyetja është kujt ia kanë dhënë dhe cilat janë kontratat? Më jepni kontratën të jap mendimin tim. Askush nuk të jep kontratat dhe askund nuk janë kontratat. Kjo është një punë që duhet ta investigoj gazetaria.

-Çfarë mendoni se do të ndodhë në tre vitet e ardhshme të mandatit të dytë të Ramës?

Tre vitet e ardhshme janë barra e rëndë e reformës në drejtësi. Ajo i duhet Shqipërisë, nuk i duhet pasurisë tënde, as pushtetit tënd. Iku koha që mund të jesh një tiran. Shqipëria nuk mund të bëhet tirani.

Hebrenjtë e kanë thënë në mënyrë brilante: “Pushteti është pije dehëse”. Në këtë pikë, nuk mund të kërkoni arsye për të dehurin.  Këta i konstatoj se janë të dehur, prandaj sillen si fëmijë në politikë.

Faleminderit!