Amnesty International apel Mbretërisë së Bashkuar: Mos miratoni skemë azili…
17 Shtator 2024
Kryeministrit britanik, Keir Starmer, i është kërkuar që të mos zëvendësojë skemën e Ruandas zhvendosjen e emigrantëve së qeverisë së mëparshme me një skemë të re për Shqipërinë. Starmer u takua ditën e djeshme me homologen e tij italiane, Giorgia Meloni, e cila ka arritur një marrëveshje me Shqipërinë për azilkërkuesit.
Ndryshe nga skema e Ruandës, emigrantët që do të sillen në Shqipëri do të mund të vendosen në Itali nëse kërkesat e tyre do të kenë sukses. Ndërkohë, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar thuhet se po shqyrton idenë nëse do të ndjekë një skemë të ngjashme. Nga ana tjetër, drejtori i të drejtave të emigrantëve në Amnesty International në Mbretërinë e Bashkuar, Steve Valdez-Symonds ka deklaruar se nuk duhet të diskutohet që Britania e Madhe bën marrëveshje për të ngarkuar përgjegjësitë e saj mbi vendet e tjera.
Skemën e nisur nga qeveria e Sunak, Valdez-Symonds e quan të turpshme dhe shton se këto përpjekje janë gjëja e fundit që nevojitet nga një qeveri e re që sipas tij, duhet të tregojë njëfarë lidershipi dhe të marrë përgjegjësi. Ai shton se qeveria duhet të përpiqet të rivendosë reputacionin e goditur të Mbretërisë së Bashkuar për çështjet e refugjatëve duke riparuar një sistem azili që është sabotuar qëllimisht nga sekretarët e brendshëm.
“Nuk duhet të diskutohet që Britania e Madhe bën marrëveshje për të ngarkuar përgjegjësitë e saj mbi vendet e tjera, Shqipëria, Ruanda apo kudo tjetër. Pas përpjekjes së turpshme të qeverisë konservatore për këtë, gjëja e fundit që nevojitet është një tjetër qeveri që të ndjekë skema për të shmangur përmbushjen e detyrimeve relativisht modeste të Mbretërisë së Bashkuar për refugjatët në vend që të tregojë njëfarë lidershipi dhe të marrë përgjegjësi.
Qeveria duhet të përpiqet të rivendosë reputacionin e goditur të Mbretërisë së Bashkuar për çështjet e refugjatëve duke riparuar një sistem azili që është sabotuar qëllimisht nga sekretarët e brendshëm të njëpasnjëshëm prej vitesh. Ne kemi nevojë për rrugë të sigurta azili për të ndihmuar në përfundimin e praktikave shfrytëzuese të kontrabandistëve të njerëzve dhe ne kemi nevojë për një sistem të drejtë dhe efikas për përpunimin e kërkesave për azil të njerëzve sido që të mbërrijnë”, ka deklaruar drejtori i të drejtave të emigrantëve në Amnesty International në Mbretërinë e Bashkuar, Steve Valdez-Symonds.
Gazeta Sot