Analistët serbë diskutojnë rrezikun në rast marrëveshjeje me Kosovën: – Ai e krijoi problemin, ai ta zgjidhë
29 Janar 2023
Ekspertët serbë të zhvillimeve politike thonë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç mund të përballet me reagime të ashpra dhe të rrezikshme pasi ka pranuar propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Ata pohojnë se reagimet janë pasojë e retorikës anti-perëndimore të përdorur prej vitesh nga vetë presidenti serb. Sidoqoftë, analistët me të cilët bisedoi kolegu Artan Haraqija vlerësojnë se politika serbe nuk ka një figurë më të fuqishme se sa zoti Vuçiç që të përballet me këto reagime dhe pranimi i propozimit evropian mund ta nxjerrë atë fitues në nivel ndërkombëtar.
Pranimi i propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, përbën një ndryshim të madh të politikave të tij nacionaliste, thanë për Zërin e Amerikës analistët, Maja Pishçeviç, eksperte nga Beogradi e Këshillit të Atlantikut dhe gazetari Boshko Jakshiç.
“Kemi ardhur deri te pika kur duhet të pyesim, çfarë duam dhe çfarë mund të bëjmë në lidhje me Kosovën? Gjithmonë kam vlerësuar se konflikti duhet shmangur… Vlerësoj se është e rëndësishme të kërkojmë zgjidhje kompromisi”, tha presidenti serb në fillim të konferencës së 23 janarit ku në mënyrë jo të drejtpërdrejtë pranoi propozimin që u bë i njohur si nisma franko-gjermane.
Sipas presidentit serb, propozimi përfshin edhe pikën sipas së cilës Serbia nuk duhet të pengojë Kosovën të anëtarësohet në organizata si Këshilli i Evropës, NATO dhe me gjasë edhe OKB.
Situata në të cilën është tani zoti Vuçiç është një lloj bumerangu. Atmosfera dhe mjedisi, që në masë të madhe është krijuar nga vetë zoti Vuçiç, e armiqësoi Serbinë me Perëndimin dhe tani është vetë ai që duhet të merret me këtë problem. Mendoj se kjo mund të jetë e rrezikshme”, tha për Zërin e Amerikës zonja Pishçeviç.
Qëndrim të njëjtë ka edhe gazetari, Boshko Jakshiç.
“Anëtarët e partisë së tij dhe këtu po flas për 700 000 anëtarë, që presidenti e përmend shpesh me krenari, tani janë në gjendje shoku dhe të hutuar: si ka mundësi që ai i cili u mësonte atyre se Kosova është pjesë e Serbisë, tani po ndryshon politikën e tij. Atij do t’i duhet kohë për të qetësuar këtë gjë. Nëse ai nënshkruan marrëveshje për Kosovën, kjo do të ishte një lloj drejtësie kozmike që ai i cili aktivisht e krijoi problemin e Kosovës, tani duhet ta zgjidhë atë” tha gazetari serb, Boshko Jakshiç. Ky vendim, marrë parasysh qëndrimet e ashpra ndër vite të presidentit serb, që mbështetet në përkrahjen ruse në qasjen ndaj Kosovës, dukej i pamundur deri më 23 janar.
“Serbia kurrë nuk ka bërë dhe nuk do bëjë diçka të dëmshme për interesat e Federatës Ruse”, tha presidenti serb pas takimit me kryediplomatin rus, Sergei Lavrov në Beograd më 2018. Dy vjet më vonë presidenti serb nuk la asnjë dyshim se ishte i gatshëm t’i thoshte jo integrimit në BE nëse i kërkohej ta njihte Kosovën dhe ta lejonte atë të bëhej anëtare e OKB-së.
Gazeta Sot