Analiza e Artur Zhejit: – Pse Rama tashmë është e shkuara dhe do të ikë, do apo s’do?
Analiza e Artur Zhejit: – Pse Rama tashmë është e shkuara dhe do të ikë, do apo s’do?
8 maji 2019
Nga Artur ZHEJI
Sëpari karriera politike dhe jo vetëm e kryeministrit të sotëm është e pabesueshme, për nga volumi, kapja dhe mbajtja e përsëritur e posteve të larta. Për nga zotësia e pazakontë dhe e mrekullueshme, për tu kacavirur në pushtet, me një këmbëngulje të admirueshme dhe deri tash të suksesshme. Dinakëri dhe takticizëm, oratori të bollshme dhe komunikim të mirë prej mashtruesi virtuoz. Bindës, hokatar dhe ledhatar, pa personalitet kur është në nevojë dhe në kryerjen e artit të kurthngritjes më të pamëshirshëm, e që shpesh nuk ndan as brenda vetes, të vërtetën nga gënjeshtra, si ata personazhet të përshkruar aq mjeshtërisht nga pena e Gogolit në Rusi dhe e Balzakut në Francë.
Duke përfituar nga besimi i tepruar i Fatos Nanos, në vitet 1997-2000, ai doli në sipërfaqe. Pastaj ngriti krye e hodhi shtat, nga besimi i përsëritur politik, naiv dhe miqësor, i Ilir Metës, në vitet 2000-2001 dhe në vitet 2004-2007. Dështimi i vitit 2009 e dëshpëroi dhe ju drejtua sërish Metës, që pandehu se i njëjti person nuk tradhëton, të njëjtin njeri, për të tretën herë. E kështu erdhi katërvjeçari 2013-2017, që e rriti si kryeministër, ku shtiu në dorë pushtetet më të mëdha të mundshme në Shqipëri. Por edhe Sali Berisha, i dha një besim të hatashëm, me pikënisje pragmatizmin, në ndryshimet kushtetuese dhe të kodit zgjedhor, të vitit 2008. Por “besimin” më të fundit e dha edhe Lulëzim Basha, në marrëveshjen famëkeqe të Majit 2017, që e rrokullisi Partinë Demokratike në pikë të hallit.
Kanë kaluar pra plot 22 vite pushteti në rritje, eksperiencë, bollëk, adrenalinë, vetësiguri. Por, tani asnjë nga faktorët politikë, pas zhgënjimeve dhë përdorimeve të njëpasnjëshme që Rama, me përvujtësi, gjuhë të ëmbël, apo me oferta të majme që i ka kryer me sukses, nuk kanë më asnjë përqindje besimi te ky personazh, që po vjetërsohet me shumë shpejtësi.
Por deri pak kohë më parë, pakkush e dinte përgatitjen e aventurës më të fundit gjeopolitike. Ishte skema më e fundit gjeopolitike, që u zhvillua vitin e fundit 2018-2019 dhe që lidhej me ndryshimin e kufijve Kosovë-Serbi, nën emërtesën e rreme të një paqeje të qëndrueshme Kosovë-Serbi, “lojë” të cilën e hapi dhe e shtjelloi fort mirë fillimisht, vetë Hashim Thaçi. Pikësynimi paskësh qenë, krijimi i një faktorizimi të pazakontë dhe shumëvjeçar, i treshes Thaçi-Rama-Vuçiç… si një treshe Paqesjellëse dhe Paqedashëse, por njëkohësisht edhe garantuese e stabilitetit në pjesën më të përvëluar të Ballkanit.
Pavarësisht se kishte një paraqitje dhe parashtrim të përkryer në formë, krejt ndryshe se çfarë fshihte në përmbajtje, kjo skemë, dështoi turpshëm në Berlin, me dy varrmihës ekselentë, Kancelaren gjermane Merkel dhe Presidentin francez Macron.
Kjo ndoshta ishte karta e fundit, që Rama luajti “ndërkombëtarisht”, për të ruajtur sa më gjatë pushtetin e vet, nën mbështetjen ndërkombëtare, duke zënë arbitrarisht vendin e “rëndësishëm” të garantit të “moderuar” të Tiranës, në mes të kokave të nxehta të Beogradit dhe Prishtinës. Për të qenë sa më korrekt në analizë, kjo ishte nga pikëpamja e taktikës politike, një lëvizje e zgjuar, sepse në tregun e gjeopolitikës, Shqipëria, nuk ka se çfarë ofron tjetër, përveç “stabilitetit”, apo përpjekjes hipokrite, për të luajtur një rol të tillë në sytë e perëndimorëve të shqetësuar, nga prania e afërt ruse në këtë rajon rrëshqitës.
Mirëpo kanceleritë europiane, të pandehura “budallaqe”, nga Vuçiç, Thaçi dhe Rama, dikur zgjohen nga gjumi i besimit të tepruar për “djemtë e mirë” që vijnë nga Ballkani, të cilët, duket se vendosën në Bruksel dhe në Berlin, një bombë me sahat, duke e mbështjellë si një ëmbëlsirë lokale, të mirëkuptimit dhe të arsyetimit trilateral, Beograd-Prishtinë-Tiranë, që mbiquhej ndryshe, një Marrëveshje Paqeje e qëndrueshme.
Në të vërtetë, kjo “marrëveshje”, duket se mirëfilli ishte përllogaritur jo për të krijuar një stabilitet të përhershëm, por për të kundërtën, për të institucionalizuar destabilitetin. Sepse ekuacioni gjeopolitik i shkëmbimit të territoreve, hapte një spirale mbushur me plot të panjohura që do të vinin pas në mënyrë të pashmangshme. Por kjo, në vend ti shqetësonte autorët, ishte pikërisht në interesin e tyre.
Sepse, njëherë që një “lojë” e tillë hapej, aktorët politikë, garantë dhe ndërveprues të kësaj skeme, Vuçiç-Rama-Thaçi, do të duhet të merreshin në mbrojtje ndërkombëtare, si të vetmit persona të domosdoshëm edhe për 10 vitet e ardhshme, në postet respektive, pavarësisht pëlqyeshmërisë apo mospëlqyeshmërisë së popujve të tyre.
Me gjithë diabolizmin e admirueshëm të kësaj skeme, që dukshëm nuk është shqiptare, por ruse ose serbe, apo të dyja bashkë dhe që fsheh të panjohura të tjera në brendësi, dhe që dukshëm përputhet me këtë analizë, kjo skemë e shtirur si marrëveshje, u godit nga vizita ekcentrike e presidentit rus Putin, vetëdeklaruar palë apo garant plus, në këtë zgjidhje, e më pas në Tiranë dhe në Prishtinë, nga aktorë të tjerë politikë syçelur, si Haradinaj, Meta, Berisha dhe Bushati. Pa nënvlerësuar edhe gjykimin e ftohtë, pozitiv dhe aktiv, të mjaft analistëve dhe personazheve të tjerë të Tiranës apo Prishtinës.
“Varrosja” e kësaj aventure që ndodhi dukshëm në Berlin, e la Ramën, jo vetëm pa mbështetjen e ëndërruar, por edhe në një dritë fort të keqe. Në këtë mes, një figurë krejt të pahijshme dhe thjesht prej shërbëtori mirënjohës dhe të verbër të pushtetdhënësit, bëri edhe ministri ynë i jashtëm, ky djalë Kosove, që kacaviret edhe ay, si padroni vet, studio më studio për të mbuluar këtë inskenim ruso-serb, me petka shqiptare e me dialekt verior, për ta bërë rrejshëm më të besueshëm ndër shqiptarët këtej e andej kufirit Kosovë-Shqipëri.
E pra, Ramë ziu, është sot mjeran në Bruksel, Paris, Berlin, Prishtinë…
Kur i pata shkruar ca muaj më parë të bënte valixhet, pa u ngarkuar me turpe të tjera, më ktheu përgjigje në cel, në të vërtetë i fundit mesazh prej tij, se do të kalonte akoma edhe shumë kohë për “valigjet e tij”(kështu e shkroi fjalën “valixhe”, KM-ja).
Zbardhja e mëtejshme e kësaj “aventure”, për të mos përdorur fjalën e rëndë konspiracion, në kurriz të Brukselit, Berlinit dhe Parisit, përshpejton largimin e kryeministrit tonë, ndërkohë që Vuçiçi i ngriti publikisht duart lart, në Beogradin e trazuar.
Shpejt Perëndimi, pak mbasi të sheshohet mirë dheu, do të reagojë edhe mbi këtë lojë të rrezikshme, varrosur bujshëm në Berlin…