Analiza e Spartak Ngjelës: Pse përplasja e Ramës nuk është vetëm me studentët, por edhe me… –

20 Dhjetor 2018.

 

Nga Spartak Ngjela

 

Një shoku im, Budion Pojani, tani inxhinjer në Amerikë, në fillim të viteve shtatëdhjetë të shekullit që kaloi na tha se: “Enver Hoxha ka hyrë në rrugën e çmendurisë, dhe pas disa vjetësh do ta shohim të çmendur nëpër rrugët e Tiranës…”

Enver Hoxha u çmend realisht, por nuk e lanë që të dilte si i marrë nëpër rrugët e Tiranës. Viktimë e marrëzisë së Enver Hoxhls u bë pasardhësi i tij Ramiz Alia, sepse këtij iu ngritën studentët.

  1. Ramë ziu, në këtë fillim të disgracies së tij, po e pëson njëlloj si Ramiz Alia që, pasi iu ngritën studentët, nuk shkonte dot askund gjatë vitit 1991, se ishte i përbuzur nga shoqëria shqiptare. Gjithsesi ai e dinte dhe nuk doli nëpër salla të rregulluara me fanatikë të tij. Ky, ndryshe nga Enver Hoxha, nuk ishte i shthurur nga mendtë e kokës, dhe e dinte mirë se me studentët e kishte krejt fare të pamundur që të takohej. Dhe nuk doli.

Sigurisht që Alia ishte shumë mbi nivelin e Ramës, por ishte i diskredituar politikisht nga tirania e krimit shtetëror Hoxha, së cilës i shërbeu deri në fund.

Por Rama nuk e kupton dot këtë, se nuk e lë frika dhe çoroditja mendore e ngjashme me atë të Enver Hoxhës. Prandaj është edhe më keq, shumë më rëndë se Ramiz Alia.

Tani Ramës studentët, kur ky iu afrohet, i bëjnë YYYY. Gjë shumë e rëndë kjo, dhe e pandodhur më parë. Studentët e kësaj kohe kuptohet se janë me formim modern, por çoroditja mendore Rama, këtë nuk ka si ta kuptojë. Do ta tmerrojë ky fakt, por nuk do t’i shpëtojë dot më yyyyy-së së zgjatur të studentëve.

  1. Kjo është arsyeja që po shohim se Rama është në një situatë shumë të rëndë psikike. Kuptohet nga sjellja. Njëlloj si Enver Hoxha në vitet 1982-1985 kur degradoi por nuk e lanë të dilte në jerm nëpër rrugët e Tiranës. Prandaj ka tepër gjasë, që, po të vijojë kështu, këtë kryeministër, ndryshe nga Enver Hoxha, mund ta shohim si të marrë që do të dalë rrugëve të Tiranës.

E keni parë se çfarë marrëzish flet nëpër salla kryeministri aktual! Asnjë ide. As një skemë zhvillimi. Nuk ka lidhje fare me shtetin që mendon se po e drejton. Dhe çfarë bën?

Mëson studentët sesi të ulen për ta dëgjuar sikur të jetë një mësues i klasës së parë fillore. Merret me duartrokitjet e sallës. Nuk ka asnjë program për arsimin, dhe kuptohet që ka qenë dhe vijon të jetë pjesë e degradimit sistematik që po i behet në mënyrë korruptive arsimit shqiptar.
Kështu ka qenë edhe Sali Berisha në lidhje me sistemin arsimor të Shqipërisë. Të jetë vallë rastësi ngjashmëria e tyre!

Por Rama është i ndërkryer dhe i duket sikur po humbet jetën. Në fakt ka diçka tjetër brenda vetes që e shqetëson deri në këtë gjendje: ka frikë nga SPAK-u që tani po shkon drejt përfundimit të ngritjes së tij institucionale.

Mendon nën frikën e gjith-hershme që po e sundon.
Prisni, se ky është vetëm fillimi, sepse Rama nuk po përplaset vetëm me studentët për arsimin, ai në fakt po përplaset me varfërinë shqiptare që ka krijuar ai dhe paraardhësit e tij.

Ka shumë kusure në lidhje me korrupsionin Edi Rama, sepse deri para dy vjetësh e ka ditur si një gjë të ligjshme pasurimin e një kryeministri që doli në politikë nga varfëria.
Kurse studentët ia kujtuan dje: “si e bërë vilën”, i thanë. Po ka turp më të madh për një kryeministër varfanjak që të bëjë vilë private duke qenë kryeministër i një populli që është varfëruar nga kryeministra hajdutë që nuk kanë lënë gjë pa bërë kundër vendit dhe popullit të vet!!!

Në Europën moderne pasurimi i Edi Ramës nga hiçi familjar, është pamundësi absolute, se të pret burgu. Atëherë?
Ja kjo është frika e tij; por kudo ku të shkojë,
YYYYY do t’i bëjnë gjithkund – kudo ku ai do të përplaset me studentë. Por, a do ta durojë dot?

20 Dhjetor 2018. Gazeta Panorama.