ANALIZA/ Humnera e eksporteve – Deficiti tregtar thyen rekordet, hendeku 5,2 mld euro! Fasoni drejt falimentit
2 Shkurt 2025
Gjatë vitit të kaluar, deficiti i tregtisë me jashtë shënoi rekord historik, teksa eksportet ranë me ritmin më të lartë në 20 vjet. Raporti i mbulimit të importeve me eksporte ra në 41.7% në vitin 2024 nga 51.7% në 2023.
Rënia e lirë e eksporteve në 8 grupet kryesore të mallrave mbart pasojat e zhvlerësimit të Euros, rritjes së kostove të brendshme dhe rënies së kërkesës nga jashtë.
Nga ana tjetër, zhvillimi i turizmit, në vend që të lidhet me prodhimin vendas, po nxit rritjen e importeve. Ekspertët analizojnë pasojat rënies së prodhimit dhe rritjen e varësisë së ekonomisë nga turizmi dhe ndërtimi
Të dhënat mbi tregtinë e jashtme të vitit që mbyllëm dëshmuan se ekonomia shqiptare ka humbur konkurrencën në tregjet ndërkombëtare. Eksportet shënuan rënie për të dytin vit radhazi më 2024, teksa importet u rritën.
Të ardhurat që po fitohen nga turizmi dhe investimet e huaja po ikin jashtë për furnizime me mallra, duke sinjalizuar se sektori i prodhimit, në vend që të zgjerohet prej rritjes së vizitorëve, po bie në humnerë.
Sipas të dhënave zyrtare në vitin 2024, eksportet në vend kanë shënuar rënien më të madhe të paktën që nga viti 2005, kur raportohen të dhënat më të hershme nga INSTAT.
Në anën tjetër, importet shënuan vlerën 894,3 miliardë lekë, me rritje vjetore 2.4%.
Rënia eksporteve dhe rritja e importeve bënë që deficiti tregtar të shënojë rekord historik prej 521,7 miliardë lekësh (5,2 miliardë euro).
Zgjerimi i deficitit tregtar po tregon se ekonomia shqiptare vit pas viti po shpenzon jashtë vendit fitimet që vijnë nga turizmi dhe investimet e huaja.
P.sh., në vitin 2023, të ardhurat neto nga turizmi ishin rreth 1,8 miliardë lekë (prurjet minus daljet), teksa shihet se në vitin 2024, Shqipëria importoi 5,2 miliardë euro mallra më shumë se sa eksportoi.
Të dhëna të detajuara tregojnë se rritja e importeve po udhëhiqet nga nevojat e sektorit të turizmit për mallra.
Për shembull, grupet që kanë shënuar rritje të lartë të importeve nga jashtë i takojnë furniturës së hoteleve, të tilla si çadra dielli, mobiliet dhe prodhimet e kashtës dhe gjithashtu edhe zarzavatet dhe mishi që janë artikujt bazë të kuzhinës vendase që ofrohen për turistët.
Në anën tjetër, eksportet janë dobësuar së tepërmi në 8 kategoritë kryesore të grup-mallrave. Kjo ka bërë që raporti i mbulimit të importeve me eksporte të përkeqësohet ndjeshëm.
Në vitin 2022, eksportet ishin sa 51% e importeve, më 2023 ishin sa 51.7%, ndërsa në vitin 2024, ky raport u përkeqësua së tepërmi në 41.7%.
Shqipërisë iu deshën gati tri dekada të ngrinte sektorin e prodhimit dhe markën “Made in Albania” për tregjet e Europës, por kursi i këmbimit dhe disa faktorë shoqërues si rritja e kostove të brendshme dhe rënia e kërkesës nga jashtë kanë rrënuar për dy vite atë që u ngrit me mund për më shumë se dy dekada.
Bizneset e prodhimit për eksport janë të shqetësuara se faktorët që kanë krijuar rënien e eksporteve janë bërë të qëndrueshëm dhe nuk janë të sigurt nëse do të ketë rimëkëmbje.
Edvin Prençe, i cili drejton shoqatën “Proeksport”, pohoi se, rënia e fortë e Euros në tre vitet e fundit, rritja e pagës minimale dhe rënia e kërkesës nga jashtë të kombinuara së bashku e kanë bërë Shqipërinë jokonkurruese.
Shumë klientë vitin e kaluar kanë zhvendosur porositë në vende të tjera të Azisë, teksa në janar 2025, edhe dhjetëra kontrata të tjera janë mbyllur me përfundimin e vitit financiar.
Z. Prençe, i cili drejton Shoqatën e Bizneseve të Tekstileve dhe Këpucëve, grupi më i madh i eksportit me 24% të totalit, pohoi se edhe viti 2025 nuk ka nisur mbarë.
Ai tha se mund të këtë një përmirësim në gjysmën e dytë të vitit, por nuk ka asnjë siguri nëse kursi i këmbimit nuk përkeqësohet dhe kërkesa nga jashtë të përmirësohet.
Kursi i këmbimit dekurajon eksportin, nxit importin
Të ardhurat nga eksportet vitin e kaluar shënuan rënie neto me 67 miliardë lekë, ose rreth 670 milionë euro. Prodhuesit shqiptarë arkëtuan nga eksportet 372,6 miliardë lekë, 15.3% më pak se në vitin 2023.
Në njërën anë, prodhuesit janë në presionin e rritjes së kostove të brendshme nga rritja e pagave, ndërsa në tjetrën, të ardhurat janë në rënie dyshifrore, duke bërë që shumë njësi të mbyllen ose të transferohen në sektorë të tjerë, si ndërtimi dhe turizmi.
Për Alban Zusin, i cili operon prej vitesh në industrinë ushqimore për eksport, rënia e Euros është një nga shkaktarët kryesorë të përkeqësimit të eksporteve me efekte afatgjata zinxhir në ekonomi.
Në ditët e fundit të vitit 2024, 1 euro u këmbye 98,1 lekë, nga 123 lekë që ishte në janar të vitit 2021. Në tre vjet, Euro ka humbur 20 pikë në këmbim Lekun, duke sjellë një nivel të ngjashëm humbjesh edhe për eksportuesit të cilët, të ardhurat i kanë në Euro, por pjesën më të madhe të shpenzimeve (pagat) i kanë në Lek.
Teksa kursi i këmbimit ka dekurajuar eksportet, i ka bërë më të lira importet, të cilat tani konkurrojnë më lehtë prodhimin vendas. Në raftet e marketeve gjen plot mallra importi, të cilat kushtojnë më lirë se ato që prodhohen në vend.
Kjo është më e zakonshme me prodhime të bulmetit dhe shumë zarzavate. Qumështi, fasulet dhe patatet e importit dy vitet e fundit shiten më lirë se ato të vendit.
Duke qenë se patriotizmi ekonomik nuk është një tipar i konsumatorëve vendas, gjithnjë e më shumë blerjet favorizojnë alternativat më të lira e për rrjedhojë, importet. Vitin e kaluar, importet e ushqimeve në sasi u rritën me 15% dhe 7% në vlerë.
Euro po nxit rizgjimin e kanaleve të importit, të cilat ishin fashitur pak në dekadën e fundit, kur bizneset zgjeruan investimet në industri dhe fabrika për eksport, të tilla si prodhim i veshjeve dhe këpucëve dhe pjesëve të këmbimit për makina.
Kursi i këmbimit, i kombinuar me disa faktorë të tjerë, goditën edhe më shumë eksportet.
Rënia e kërkesës për veshje në Europë dobësoi më tej prodhimin e fabrikave të tekstilit dhe rritja e pagës minimale me rreth 40% ndërmjet 2022-2023 i bëri edhe më të shtrenjta prodhimet shqiptare, duke ndikuar në një rënie të mëtejshme të porosive.
Lehtësimi i tregtisë ndërkombëtare dhe përmirësimi i logjistikës dhe transportit e ka bërë më të lehtë zhvendosjen e industrive nga një shtet në tjetrin, në kërkim të kostove të lira.
Turizmi nuk po lidhet me prodhimin, furnizohet nga importi
Përveç Euros, importet po nxiten dhe favorizohen edhe nga zgjerimi i sektorit të turizmit. Rritja e numrit të vizitorëve po shton nevojat për më shumë hotele, furnizime për to, për plazhet dhe gjithashtu ushqim.
Por zhvillimet pozitive në turizëm, në vend që të nxisin zinxhirin e prodhimit, po rrisin importet. Në vitin 2024, në krye të rritjes qëndruan mallrat që kishin lidhje me furnizimet e hoteleve. P.sh., importet e çadrave të diellit u rritën me 45% në vlerë vitin e kaluar.
Këto janë të destinuara kryesisht për plazhet. Prodhimet e kashtës dhe mobiliet bashkë me dyshekët shënuan rritje vjetore me mbi 25% në vlerë vitin e kaluar, kryesisht prej kërkesës së hoteleve.
Importet e mishit dhe zarzavateve u rritën gjithashtu në vlerë me rreth 30% vitin të kaluar, për shkak të rritjes së konsumit të brendshëm nga vizitorët.
Rritja me shpejtësi e vizitorëve të huaj në vendin tonë është një mundësi e artë për të rritur më tej ekonominë dhe mirëqenien në vend.
Përvojat e vendeve të tjera mesdhetare na tregojnë se, nga turistët nuk përfitojnë vetëm hotelet dhe restorantet, por shumë sektorë që lidhen me prodhimin dhe sidomos bujqësia dhe i gjithë zinxhiri i furnizimit që i nevojitet turizmit.
Kjo lidhje e bën turizmin gjithëpërfshirës dhe zgjeron përfitimet te më shumë njerëz. Apo ecën në këtë trajektore Shqipëria?
Të dhënat tregojnë një prirje të kundërt. Teksa numri i turistëve është duke u rritur në rekorde, sektori i prodhimit, bujqësia, industria dhe eksportet në përgjithësi po bien me shpejtësi.
Bujqësia, sektori kryesor i ekonomisë shqiptare, që kontribuon me shumë se 18% të PBB-së shënoi rënie me 2.5% në tremujorin e tretë 2024.
Kjo ishte rënia më e fortë që nga tremujori i katërt i vitit 2022, kur prodhimi u dëmtua nga ngrica.
Shqipëria ka importuar vitin e kaluar 10,3 miliardë lekë ose 103 milionë euro sapunë dhe detergjentë për përdorim të brendshëm. Vlera e importeve të këtij grupi ishte 36% më e lartë se në vitin 2019.
Një pjesë e kësaj shume mund të qarkullojë në tregun e brendshëm, duke kryer disa procese të prodhimit në vend. Industria e turizmit mund të jetë një nxitës në këtë rast. Kompania e prodhimit të detergjentëve “Get Klin” me prodhimet “Rea” tha se qarkullimi po rritet prej industrisë së turizmit.
Tregu vendas mund të zhvillojë disa procese të kësaj industrie, për të prodhuar lëndën finale në treg, shprehet Alban Zusi, nga Shoqata e Eksportuesve.
Më shumë se 80% e detergjentit dhe sapunit të lëngshëm është ujë. Duke importuar lëndën e parë dhe duke realizuar procesin e përzierjes në Shqipëri, një pjesë e detergjentëve mund të prodhohen në vend, duke shmangur, në këtë mënyrë, kostot e larta të transportit.
Duke realizuar prodhimet në vend, volumet e importit të detergjentëve do të uleshin me mbi 60%. Z. Zusi tha se këto procese nuk kërkojnë aftësi të larta, pasi tashmë në tregje ka makineri dhe formulat e përzierjes janë të automatizuara.
Kanë nisur disa përpjekje për prodhimin e detergjentëve, por shumica janë artizanale dhe p.sh. në Roskovec, në Zadrimë dhe Rrogozhinë po prodhohet sapun nga disa njësi të vogla familjare, që më shumë shitet për nevoja kozmetike dhe jo për shërbimet masive të pastrimit.
Njësoj si industria fason, që prodhon disa procese të veshjeve për tregun e jashtëm, mund të aktivizohen një seri ciklesh prodhimi në industrinë kimike që kanë fokus tregun e brendshëm.
Kjo është e vlefshme edhe për mobiliet dhe çadrat për hotelet, prodhimi i të cilave nuk kërkon shumë aftësi për t’u prodhuar në vend.
Mungesa e lidhjes së turizmit me sektorët e tjerë po bën që një pjesë e madhe e fitimeve që vijnë turizmi të dalin jashtë për importin e mallrave që na duhen për turistët.
Gjatë vitit 2024, artikujt që lidheshin me furnizimet e hoteleve, shënuan rritje në sasi deri në 50%, duke ndikuar negativisht deficitin tregtar.
Deficiti tregtar thyen rekordet, hendeku 5,2 mld euro
Deficiti tregtar i vendit arriti në 521,7 miliardë lekë, ose 5,2 miliardë euro në 2024, duke shënuar një rekord historik që kur mbahen të dhënat zyrtare, duke përfshirë vitet e tranzicionit, por edhe para kësaj periudhe.
Ky përkeqësim në vitin 2024 ndodhi për shkak të rënies së fortë të eksporteve me rreth 15%, në krahasim me vitin 2023, teksa nga ana tjetër, importet u rritën më tej me 2.5%.
Vitin e kaluar, ekonomia shqiptare nxori jashtë vendit 21,7 miliardë lekë (210 milionë euro) më shumë për importin e mallrave se më 2023, ndërsa të ardhurat nga eksportet pësuan rënie 67,7 miliardë lekë (670 milionë euro).
Deficiti tregtar u thellua më tej -89 miliardë lekë, ose 890 milionë euro në 2024.
Zgjerimi i deficitit tregtar përkeqësoi raportin e mbulimit të eksporteve me importe. Në vitin 2023, importet ishin 2.4 herë më të larta se eksportet, nga 2 herë që ishte më 2023.
Raportet e mbulimit u kthyen edhe një herë si para vitit 2012. Sektori i prodhimit, veçanërisht industria përpunuese, po tkurret me shpejtësi nga disa faktorë, që po e bëjnë rënien të qëndrueshme.
Në tremujorin e tretë 2024, industria u reduktua me 48.2% sipas të dhënave nga PBB. Faktorët e rënies nuk janë sezonalë dhe tashmë fabrikat po mbyllen dhe po ristrukturohen në sektorë të tjerë.
Kjo situatë po sjell pasoja zinxhir, që nga punësimi, pagat, eksporti dhe në afatgjatë do të zgjerojë ndikimin negativ që nga cilësia arsimore, të ardhurat buxhetore, varësia nga importi dhe kostot në ekonomi, sipas bizneseve dhe ekspertëve të fushës.
Të gjendur pa mbështetje me politika dhe fonde, fabrikat janë duke gjetur mënyra për t’u përshtatur me krizën që ka krijuar rënia e Euros dhe rritja e pagave.
Kalimi në import, reduktimi i aktivitetit, ikja në sektorë të tjerë, mbyllja e ciklit, prodhimi me vlerë të lartë, zhvendosja nga eksporti në tregun vendas dhe investimet në teknologji janë disa nga mënyrat e reja që prodhuesit kanë gjetur për të mbijetuar.
Në dy vitet e fundit, prodhuesit shqiptarë po kalojnë periudhën më të vështirë të dekadës së fundit, ku përzierja e shumë faktorëve me ndikim negativ e ka bërë të paqartë perspektivën.
Eksportet, rënia sipas tetë grupeve kryesore të mallrave
Zhvlerësimi i Euros, rritja e kostove dhe koniunktura e pafavorshme ndërkombëtare kanë bërë që eksportet të shënojnë një rënie me 15.4% në 2024-n, sipas të dhënave të INSTAT.
Në vitin 2024, eksportet në vend kanë shënuar rënien më të madhe të paktën që nga viti 2005, kur raportohen të dhënat më të hershme nga INSTAT.
Ky është viti i dytë radhazi me ecuri negative, teksa në 2023, shitjet jashtë vendit ishin tkurrur me 10%, duke pasur një ecuri më negative edhe se periudha e pandemisë në 2020-n (-9%).
Të tre grupet kryesore “Tekstile dhe këpucë”, “Minerale, lëndë djegëse, energji”, “Materiale ndërtimi, metale” ka shënuar rënie dyshifrore, teksa të gjitha grupet, përfshirë “Ushqime, pije, duhan” dhe “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi”, që morën hov vitet e fundit, ishin negative.
Sipas INSTAT, gjatë vitit 2024, eksportet e mallrave arritën vlerën 373 miliardë lekë, duke u ulur me 15,4%, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 5,3 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me 4,8 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me 4,1 pikë përqindje.
Tkurrja u thellua në dhjetor. Sipas INSTAT, në dhjetor 2024 eksportet e mallrave arritën vlerën 26 miliardë lekë, duke u ulur me 31,7%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Gjatë muajit dhjetor 2024, në uljen e eksporteve prej 31,7%, kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me 18,9 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 6,6 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me 4,8 pikë përqindje etj.
Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Ushqime, pije, duhan” me 0,3 pikë përqindje.
Sipas INSTAT, në nëntor 2024 eksportet ishin ulur me 8.5%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Trendi u përmirësua në raport me tetorin, kur rënia ishte 15.2%. Në shtator tkurrja ishte 8.5%, në gusht, rënia ishte 18%, në korrik tkurrja ishte 12% dhe në qershor, 8.9%.
Në maj, tkurrja me bazë vjetore ishte 12,4%. Në prill 2024, eksportet e mallrave ishin rritur për herë të parë pas shumë muajsh me 1,8% me bazë vjetore.
Në mars eksportet ishin tkurrur me 21%, në shkurt me 16.1% dhe në janar me 29.2%.
Fasoni drejt falimentit
Në dhjetor, eksportet e tekstileve dhe këpucë, grupi më i madh eksportues në vend, ranë me 20%, nga 10.7% që ishte tkurrja për nëntorin. Për gjithë vitin, eksportet e tekstileve dhe këpucëve ishin 105 miliardë lekë, me tkurrje prej 17% me bazë vjetore.
Edvin Prençe, kryetari i Shoqatës ProEksport Albania, tha për “Monitor” se, “vështirësitë në sektor janë krijuar nga rënia e vazhdueshme e monedhës europiane Euro, që redukton të ardhurat e tyre kur konvertohen në Lek.
Në kahun tjetër, ai thotë se kërkesa në Europë është ulur, sidomos në muajt e dimrit, rënia e kontratave ndihet më shumë.
“Vështirësitë për sektorin ishin më të forta gjatë muajit dhjetor. Deri në mars të 2025, trendi do të vijojë të jetë i njëjtë. Rritja e kostove e bën të pamundur për shumë drejtues të fabrikave të kenë likuiditet të lartë për investime”, – tha ai.
Sipas shoqatës, nga muaji nëntor i vitit 2023 deri në muajin nëntor 2024, në sektor llogariten mbi 10 mijë vende pune të shkurtuara dhe rreth 50 biznese që kanë mbyllur aktivitetin.
Z.Prençe thotë se në muajin janar 2025, rënia do të jetë edhe më e fortë, pasi disa klientë priten të mbyllin vitin që të ndërprisnin kontratën në Shqipëri. Sipas tij, ky janar do të jetë më i vështiri i vitit të fundit.
Minerale, lëndë djegëse rënie 25%
Eksportet në grupin “Minerale, lëndë djegëse, energji” ranë me 32% në dhjetor.
Ky grup ndikohet nga ecuria e “Bankers Petroleum”, eksportuesi më i madh në vend dhe nga tregtimi i energjisë elektrike, që lidhet me motin. Për 12-mujorin, ky grup shënoi eksporte me vlerë gati 70 miliardë lekë, me tkurrje 25%.
Materiale ndërtimi dhe metale, mbylla e “Kurum” ul eksportet me 71% në dhjetor
“Materialet e ndërtimit dhe metalet” ishin grupi me rënien më të fortë në dhjetor.
Ky grup ndikohet nga ecuria e “Kurum”, përpunuesit të çelikut, që është një nga eksportuesit më të mëdhenj në vend dhe që në gusht mbylli fabrikën për shkak të vështirësive pas rritjes së kostove.
Në nëntor, ky grup ra thellë me 71%, pas tkurrjes me 43%, në nëntor. Për 12-mujorin, sektori është me një rënie prej 22%.
Ushqime, pije e duhan, me rritje të lehtë në dhjetor
“Ushqime, pije e duhan”, shënuan rritje të lehtë në dhjetor prej 2%, pas zgjerimit me gati 18% në nëntor. Për 12-mujorin, ky grup ka rënë me 4.3%.
Eksportuesit pohojnë se sasitë e eksportuara vijojnë të jenë të larta, ndërsa rënia e muajve të mëparshëm ka qenë e lidhur kryesisht me çmimet e ulëta.
Makineri, pajisje, pjesë këmbimi i rikthehen rënies
“Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” ishin grupi tjetër që shfaqi ecuri të mirë vitet e fundit, si rrjedhojë e hyrjes së fabrikave që montonin pjesë për industrinë automotive.
Por edhe ky grup po vuan nga zhvlerësimi i Euros, rritja e kostove dhe mungesa e fuqisë punëtore. Në dhjetor, grupi ra me 5.9%, pasi ishte zgjeruar me 15% në nëntor.
Për 12-mujorin, grupi është tkurrur me rreth 4%. Përfaqësues të kompanive automotive, që prodhojnë fasoneri të thjeshtë në vendin tonë, pohojnë se ka një rënie të kërkesës apo shitjeve për shkak të situatës së përgjithshme në tregun e automobilave në Europë.
Sipas tyre, kompanitë e mëdha europiane si Stellantis, Renault Group, Volkswagen kanë reflektuar rënie kërkese. Një faktor tjetër është edhe rritja e ofertës dhe konkurrencës nga makinat elektrike të markave kineze.
Rreziqet e rënies së prodhimit
Vitin e kaluar, ekonomia përshpejtoi zhvendosjen nga sektori i prodhimit te shërbimet. Rënia e Euros, rritja e pagës minimale, kërkesa e dobët nga jashtë çuan në faliment shumë fabrika, teksa ekonomia jonë po rrit varësinë nga importet.
Kur e gjithë bota u bllokua nga pandemia Covid-19, ekonomia u mbajt nga turizmi dhe ndërtimi, por ekspertë të ekonomisë dhe bizneset mendojnë se orientimi i ekonomisë nga prodhimi te shërbimet nuk është një hap i sigurt dhe i qëndrueshëm.
“Sot ne kemi një zhvendosje të ‘vëmendjes financiare’ drejt industrisë së shërbimit, por besoj se kjo nuk do të jetë një premisë e qëndrueshme për ta përcaktuar këtë të fundit si një kolonë zëvendësuese të përhershme”, thotë eksperti Panajot Soko.
Ideja është që industria e shërbimeve me natyrë konsumi, ku përfshihen shërbimet e hotelerisë, turizmi, argëtimi etj., janë shumë të lidhura dhe kërkojnë flukse të vazhdueshme njerëzish.
Sot që flasim, duket se Shqipëria po kalon nëpër një fazë ekonomike që quhet “zbulim”. “Do të vijë një ditë kur Shqipëria nuk do të jetë më ky vendi që duhet zbuluar.
Dhe në atë moment, të zhveshur nga ky avantazh konkurrues që ne kemi sot karshi konkurrentëve tanë ekonomikë, a kemi ne avantazhe të tjera konkurruese apo krahasuese, që do të mund të na mbajnë numrat e lartë?
A kemi ne infrastrukturë më të mirë se vendet që konkurrojmë?
A kemi ne cilësi më të mirë se vendet që konkurrojmë?” – ngre shqetësimin z. Soko.
Për këtë na shërben shembulli i Italisë, e cila për shumë kohë ka qenë një lidere në industritë e shërbimeve me bazë konsumi, por sot po bën çfarë është e mundur të orientohet drejt prodhimit dhe të shkëputet sa më shumë nga varësia që ka nga ajo industri, sepse shërbimet nuk arrijnë më të përmbushin nevojat e ekonomisë.
Dhe raste të tilla ka pa fund. Industria e shërbimeve me natyrë konsumi konsiderohet më shumë si një diversifikues në ekonomi, sesa një kolonë parësore, pikërisht për shkak të paqëndrueshmërisë.
INSTAT raportoi se në vitin 2023, numri i bizneseve që kanë aktivitet kryesor akomodimin ka ardhur në rritje dyshifrore.
Por zhvillimi i turizmit në kurriz të industrisë ka pasoja afatgjata. Ekspertët dhe bizneset e sektorit lajmërojnë se falimenti i njësive të prodhimit jep pasoja zinxhir që nga arsimi, taksat, punësimi, shkatërron industritë mbështetëse dhe rrënon punën 20-vjeçare që ka bërë vendi në krijimin e “Made in Albania”.
Zhvendosja e ekonomisë nga prodhimi tek importi do t’i sjellë vendit pasoja negative afatgjata, thotë kryetari i Shoqatës së Eksportuesve, Alban Zusi, i cili gjithashtu operon në sektorin e agro-përpunimit.
Ai thotë se falimenti i njësive të prodhimit jep pasoja zinxhir që nga arsimi, taksat, punësimi, shkatërron industritë mbështetëse dhe rrënon punën 20-vjeçare që ka bërë vendi në krijimin e produkteve “Made in Albania”./Monitor