Analiza. – Identiteti ynë, cilët jemi, cilët bëhemi, cilët mbetemi. –
Analiza. – Identiteti ynë, cilët jemi, cilët bëhemi, cilët mbetemi. –
Prof. Fatos Tarifa
Për shekuj me radhë njeriun e ka preokupuar çështja e identitetit të tij personal. Kush është ai? Çfarë është ai? Kush janë njerëzit e tjerë rreth tij? Ç’përfaqësojnë ata? Me fjalë të tjera, çfarë e bën secilin nga ne të jetë ajo, ose ai person që është dhe jo një tjetër? Gjithmonë kam dashur t’u gjej një përgjigje këtyre pyetjeve, të cilat, në thelb, janë çështje me të cilat merret filozofia, por duket se një përgjigje e tillë, deri më sot, nuk ekziston.
Njih vetveten
Edhe pse çështja e identitetit personal të individit është, në thelbin e vet, një çështje filozofike, ajo mund të nxisë imagjinatën sociologjike të çdokujt që është i interesuar për të. Gdhendur në hyrje të Tempullit të Delfit lexon shprehjen e famshme γνώθι σεαυτόν (gnothi seauton)—“Njih vetveten”, e cila i atribuohet të paktën pesë prej mendimtarëve më të shquar të Greqisë së Lashtë: Talesit, Heraklitit, Sokratit, Pitagorës dhe Solonit. Nëse njerëzve të sotëm vazhdon t’u interesojë përmbajtja e aforizmave si kjo, të cilat kanë mbrritur nga antikiteti në ditët tona, kjo nuk shpjegohet thjesht me joshjen ose me kuriozitetin që provokojnë tempujt e lashtë, as me vetinë që kanë figurat mitologjike për të ngacmuar imagjinatën tonë. Kjo shpjegohet, kryesisht, me faktin se shumë çështje filozofike, që shtruan për diskutim grekët e lashtë dhe popuj të tjerë me një qytetërim të zhvilluar lidhur me thelbin e qenies njerëzore, vazhdojnë të kërkojnë përgjigje edhe sot.
Një ‘vazhdimësi psikologjike’?
Çështja e identitetit personal mund të vështrohet nga shumë pikëpamje por, në analizë të fundit, ajo reduktohet në një pyetje esenciale: A mund të thuhet se çdonjëri nga ne mbetet i njëjti person gjatë gjithë jetës së tij? A nuk ndryshon vazhdimisht çdonjëri nga ne—prej fëmijërisë deri në moshë të thyer—dhe a nuk mbetet çdonjëri nga ne përsëri i njëjti person?
Ky është, në fakt, thelbi i çështjes. Përgjigjet që janë përpjekur t’i japin kësaj pyetjeje filozofë të ndryshëm variojnë. Disa mendojnë se ajo çka i jep përmbajtje identitetit tonë si një ndivid i veçantë njerëzor është kujtesa jonë. Të tjerë mendojnë se elementi kryesor që e bën çdo individ njerëzor të jetë ai ose ajo që është dhe jo një tjetër, është ajo çka John Locke, në veprën e tij të famshme Një ese mbi të kuptuarit njerëzor (An Essay Concerning Human Understanding, 1690), e quante “vazhdimësi psikologjike” te çdo njeri. Locke argumentonte se, nëse ti je në gjendje të kujtosh një veprim që ke kryer në të kaluarën, kjo do të thotë se je ti personi që e ka kryer atë veprim; por nëse ty nuk të kujtohet ta kesh kryer një veprim të tillë, atëherë, sipas tij, atë nuk e ke kryer ti, por dikush tjetër.
Por, a është identiteti ynë individual i lidhur vetëm, ose kryesisht me kujtesën, me “vazhdimësinë psikologjike”, ose me konstituimin tonë moral dhe intelektual? A nuk është ai, gjithashtu, i pandarë edhe nga trupi ynë, si nga partikulariteti i kompozimit gjenetik të tij, ashtu dhe nga madhësia apo nga forma e tij? Sepse, nëse formimi ynë psikologjik, moral ose intelektual ndryshon me kohë e në varësi të rrethanave shoqërore, të cilat, përgjithësisht, nuk varen nga ne, trupi ynë mbetet, nga lindja deri në vdekje, materia e vetme brenda së cilës—dhe përmes së cilës—ne ekzistojmë si individë të veçantë. A mundet, pra, të flitet për identitetin e secilit nga ne, si individ, duke e konsideruar këtë identitet të ndarë nga trupi ynë?
Anija e Teseut
Të gjitha këto pyetje mund të përmblidhen në një të vetme: Sa mund të ndryshojë një individ i veçantë, gjatë jetës së tij, dhe përsëri të mbetet po ai që është, pra, pa e ndryshuar identitetin e tij? Analogjia me Anijen e Teseut, mbretit mitologjik të Athinës, ose, siç i referohen atij zakonisht, “paradoksi i Anijes së Teseut”, është shembulli më i njohur që përdoret kur shtrohet çështja filozofike mbi natyrën e identitetit individual të njeriut. Sipas Plutarkut, anija me të cilën Teseu u kthye në Athinë, u mbajt në përdorim për një kohë të gjatë, por meqënëse druri i saj vjetërohej e kalbej nga dita në ditë, me kalimin e kohës, ai u zëvendësua i gjithi, pjesë-pjesë, deri sa në atë anije nuk mbeti më asgjë nga materiali origjinal. Kjo histori ka shërbyer për shekuj me radhë si një argument në debatin filozofik që vazhdon të zhvillohet mbi çështjen e identitetit, duke i ndarë filozofët në dy grupe të mëdha: në ata që besojnë se, pas zëvendësimit të krejt drurit të anijes, ajo mbeti e njëjta anije dhe, në ata që mendojnë se, pas këtij ndryshimi total, anija nuk ishte më ajo e para, por një anije e re.
Jemi ne ata që ishim?
Lidhur ngushtë me pyetjen “Kush jam unë?” mund të bëhet edhe një pyetje tjetër: A jam unë sot i njëjti person që kam qenë? Ose, a je ti sot i njëjti person që unë kam njohur dikur? Çështja e identitetit personal ka të bëjë, pra, me atë se si rritja në moshë, ndryshimet që pëson një individ dhe përvojat e tij jetësore e transformojnë atë. Ndoshta ato mund edhe ta bëjnë atë një person krejt tjetër, prej nga rrjedh një pyetje tjetër: A mundet çdonjëri nga ne të bëhet një person tjetër në të ardhmen?
Një përgjigje për këtë pyetje mund të ishte ajo se, pavarësisht ndryshimeve fizike që pëson çdo individ njerëzor me kalimin e kohës, janë mendja dhe shpirti i tij ata që formojnë identitetin e çdo individi—mua, ty, atë.
Një tjetër përgjigje mund të ishte se është shfaqja tënde fizike ajo përcakton atë që ti je. Nga një pikëpamje, është e lehtë të “lokalizojmë” dhe të “shohim” identitetin e një individi në trupin e tij, pasi trupi i çdo njeriu përfaqëson një bartës material lehtësisht të identifikueshëm të identitetit të tij. Çdo njeri është ai që është vetëm në marrëdhënie me trupin e tij dhe i pashkëputur prej tij. Në të kundërt, është shumë më e vështirë ta “lokalizosh”, ose ta imagjinosh identitetin e një individi në mendjen ose në karakterin e tij, pasi mendja dhe karakteri nuk kanë referencë fizike, hapësinore, dhe, pra, nuk mund të thuhet se ato i bëjnë “vend” identitetit të një individi.
Hapësira dhe koha si kushte të identitetit
Shumë nga ne janë formuar me idenë se, që diçka të ekzistojë, ajo duhet të ekzistojë në hapësirë dhe në kohë, pra të ketë shtrirje në hapësirë dhe vazhdimësi në kohë. Por, a mund të ketë “gjëra” që ekzistojnë në kohë, por jo edhe në hapësirë? Sigurisht që ka. Të tilla mund të konsiderohen, fjala vjen, karaktere dhe botë të imagjinuara.
Por, a mundet që, në analogji me këto, identiteti i një individi të ekzistojë në kohë (si pjesë e shpirtit dhe e karakterit të tij), por jo në hapësirë, pra jo i lidhur me trupin e tij?
Për një kohë të gjatë është zhvilluar një debat tepër i gjallë filozofik mes atyre që argumentojnë se identiteti personal krijohet në një kontinuitet fizik, dhe atyre që insistojnë në idenë e vazhdimësisë psikologjike. Sipas pikëpamjes së parë, çdonjëri nga ne është sot i njëjti person që ka qenë kur ishte fëmijë, ose adoleshent, pasi gjithkush ka të njëjtin trup, ose një trup që, përveçse është rritur si vëllim, nuk ka ndryshuar esencialisht në atë masë e në atë mënyrë që të mund krahasohej me “anijen e Teseut”. Sipas pikëpamjes së dytë, janë tiparet e temperamentit tonë, jo trupi ynë, ato që mbartin me vete identitetin tonë individual ndër vite.
A ndihmon gjenetika?
Me kalimin e moshës, trupi i njeriut pëson ndryshime të shumta fiziologjike. Kohët e fundit, shkenca ka arritur të zbulojë, madje, se në ç’masë ndryshon dhe “rikonstruktohet” trupi i njeriut, ose pjesë të veçanta të tij. Në një artikull botuar disa kohë më parë, thuhej se një teknikë e përdorur për herë të parë nga një neurolog i njohur suedez ka arritur të vlerësojë kohën gjatë së cilës pjesë të ndryshme të trupit të njeriut rigjenerohen tërësisht. Sipas tij, shtresa e sipërme e lëkurës rigjenerohet në çdo dy javë; qelizat e kuqe të gjakut rigjenerohen në çdo 120 ditë; kockat në çdo dhjetë vjet dhe muskujt midis brinjëve në çdo 15 vjet. Përveç kësaj, përparimet në fushën e mjeksisë dhe progresi i teknologjisë mjeksore kanë bërë të mundur, në ditët tona, që trupit të një individi njerëzor t’i transplantohen organe, ose inde që merren nga organizma të tjerë të gjallë njerëzorë.
Këto arritje kanë, pa dyshim, implikimet e tyre filozofike. Pyetjet që shtrohen janë: Ç’ndodh me identitetin personal të një individi në raste të tilla? A ruan një individ, në trupin e të cilit transplantohet zemra ose veshka e një individi tjetër (apo në organizmin e të cilit injektohet gjaku i një individi tjetër), të njëjtin identitet që ai kishte përpara një ndërhyrjeje të tillë?
Fakti se trupi i njeriut është në një proces rigjenerimi dhe mutacioni të vazhdueshëm është i njohur prej kohësh. Informacioni biologjik që sjell neurologu Jonas Frisén, është interesant, por ai nuk ka sjellë ndonjë efekt të veçantë në debatin filozofik që zhvillohet mbi çështjen e identitetit personal. Kjo do të thotë se argumenti mbi rolin e vazhdimësisë fizike në formimin e identitetit personal ka vazhduar deri më sot të vlerësohet si i rëndësishëm. Pyetjeve të mësipërme mund t’u përgjigjemi me një pyetje tjetër: A e ndryshon identitetin e një individi fakti, tashmë i provuar shkencërisht, se korteksi cerebral dhe korteksi vizual i trurit të tij ka moshën e vetë individit, pra nuk rigjenerohet si pjesët e tjera të organizmit? A do të thotë kjo se pjesët më të rëndësishme të organizmit tonë, ato që i “japin” një identitet individual çdonjërit nga ne, nuk ndryshojnë, me përjashtim të rasteve kur kjo ndodh për shkak të aksidenteve, sëmundjeve, ose efekteve të të moshuarit?
ADN-ja jonë
Gjithkush nga ne e di se, struktura e ADN-së është unike te çdo individ i veçantë. Kjo do të thotë se ata filozofë që mbështeten në argumentin e vazhdimësisë fizike, si faktor kryesor për shpjegimin e identitetit të individit, natyrshëm do të këmbëngulnin në faktorin ADN. Kjo, sidoqoftë, nuk ka ndodhur. Edhe pse shumëkush mund të mendojë se ADN-ja është mbartësi fizik më i padyshimtë i identitetit personal të një njeriu, çështja se si ADN-ja “përkthehet” në personalitet ose në identitet mbetet një mister po aq i madh, sa dhe roli që mendohet se luan aktiviteti elektrik i trurit të tij në formimin e personalitetit apo të identitetit individual të çdo individi.
Zbulimet në fushën e gjenetikës kanë provuar se trupi i njeriut përbëhet nga një triliard deri në dhjetë triliardë qeliza. Nga të gjitha qelizat e organizmit të njeriut, vetëm qelizat e kuqe të gjakut nuk përmbajnë ADN. Zbulimet gjenetike informojnë, gjithashtu, se vetëm 10 për qind e ADN-së që përmban organizmi i çdonjërit nga ne u përket qelizave të trupit tonë; pjesa tjetër, pra 90 për qind e ADN-së sonë, u përket afro njëqind trilionë bakterieve dhe organizmave të tjerë që vegjetojnë në trupin e secilit prej nesh. Kjo do të thotë, pra, se ai çka duket se është trupi im ose trupi yt—edhe pse në mënyrë makroskopike është krejt i dallueshëm nga trupi i çdo njeriu tjetër—është, nga pikëpamja e materialit gjenetik prej të cilit ai përbëhet, vetëm 10 për qind trupi im ose trupi yt. Një fakt i tillë, duam ose nuk duam ne, duket se çon në konkluzionin se, që unë jam unë, ose që ti je ti, do të thotë që, si unë, ashtu dhe ti dhe çdo individ tjetër njerëzor, kemi një trup, në të cilin bashkëjetojnë me mua dhe me ty—dhe me këdo individ tjetër—miliarda organizma të tjerë, kodi gjenetik i të cilëve devijon në mënyrë radikale nga kodi im gjenetik, nga kodi yt gjenetik dhe nga kodi gjenetik i çdo individi tjetër. Me fjalë të tjera, trupi im nuk është vetëm trupi im; as trupi yt nuk është thjesht vetëm yti.
Ç’thonë ekzistencialistët?
A do të thotë kjo se vazhdimësia fizike nuk luan rol në çështjen e identitetit individual të njeriut? Ka filozofë, të cilët i përmbahen kësaj pikëpamjeje, duke sugjeruar se vazhdimësia intelektuale, shpirtërore ose psikologjike luan një rol parësor në këtë drejtim. Të tjerë mendojnë se marrja në konsideratë vetëm e faktorëve intelektualë e shpirtërorë (në një kohë kur zhvillimi shkencor e teknologjik, në një botë gjithnjë e më të sekularizuar, kanë bërë të qartë se materia, me cilësitë e saj, është e vetmja substancë e universit), do të ishte një kthim prapa në të kaluarën. Autorë të tjerë sugjerojnë, si një alternativë më të mirë, pikëpamjen e zhvilluar nga filozofia ekzistencialiste, sipas të cilës, një individ është ajo çfarë ai bën. Me fjalë të tjera, çdo individ është një aktivitet, jo një substancë, dhe as thjesht një shumë atributesh fizikë ose psikologjikë. Ndërgjegjja, kjo dhuratë kaq e veçantë dhe misterioze njëkohësisht, e cila është gjëja e përbashkët që kemi, si individë njerëzorë—dhe që përbën socialitetin tonë—sipas filozofëve ekzistencialistë është e personifikuar tek individi njerëzor dhe e pandarë prej ekzistencës së tij fizike. Sipas ekzistencializmit, ka një farë nënshtrese—materiale ose jomateriale—e cila shpjegon vazhdimësinë e identitetit personal te çdo individ i veçantë. Një individ është, pra, në thelbin e vet, ajo çfarë ai ose ajo bën vazhdimisht në një mënyrë të dhënë, çdo ditë, duke rikonfirmuar dhe projektuar në të ardhmen, përmes veprimeve që kryen dhe zgjedhjeve që bën, të njëjtën qenie individuale që ekzistonte edhe më parë. Kjo mund të quhej ndryshe “vazhdimësi e veprimeve të përgjegjshme”, çka shërben për të dalluar identitetin personal të një individi nga identitetet e individëve të tjerë.
Cila pikëpamje?
A mund të thuhet se një pikëpamje e tillë ka një aftësi shpjeguese më të madhe sesa ato që mbështeten në “vazhdimësinë psikologjike”, ose në “vazhdimësinë fizike” për të shpjeguar natyrën e identitetit individual të njeriut.
Unë mendoj se po. Sepse, së pari, koncepti i “vazhdimësisë së veprimeve të përgjegjshme” pasqyron më mirë të kuptuarit e qenies sonë si individë që vetëformohemi, pra jo si një send, ose si një qenie që pëson ndryshime dhe rikuperohet gjatë jetës së vet, por si një proces aktiv. Së dyti, ndërsa një pikëpamje e tillë nuk e redukton individin njerëzor vetëm në trupin e tij, ajo eviton të fokusuarit thjesht në kuptimin e identitetit individual si “vazhdimësi fizike” ose “psikologjike”. Së treti, pikëpamja mbi “vazhdimësinë e veprimeve të përgjegjshme” e përfshin në vetvete kuptimin mbi “vazhdimësinë psikologjike” dhe rolin e saj në krijimin e indentitetit individual në një mënyrë më holistike e të kuptimtë. Dhe, së fundmi, një pikëpamje e tillë, duket si i jep kuptim shprehjes që përdorim shpesh, kur konstatojmë ndryshime në “karakterin” e një individi, se “ai (ose ajo) është bërë një person krejt tjetër kohët e fundit”.
Njih vetveten
Mesa duket, kuptimi i shprehjes “Njih vetveten”, e cila na vjen nga 2500 vjet më parë, vazhdon të mbetet për filozofët e sotëm dhe për këdo nga ne, po aq i vështirë sa edhe për filozofët e lashtë grekë në kohën e tyre. A do të thotë kjo se filozofët do të vazhdojnë të debatojnë mbi këtë çështje edhe 1000, apo 2500 vite më pas? Dhe a do të thotë kjo se njeriu kurrë nuk do të jetë në gjendje ta njohë vetveten, duke kuptuar se ç’është ajo që i jep qenies së tij një identitet individual unik, të papërsëritshëm tek individë të tjerë?
Çështja se çfarë e bën një individ njerëzor të jetë ajo, ose ai person që është, të ketë, pra, një identitet individual të caktuar, që e dallon atë nga çdo individ tjetër, nuk ka marrë deri më sot një përgjigje bindëse nga filozofia dhe nga shkencat që merren me njeriun dhe, ndoshta, kurrë nuk do të marrë një përgjigje përfundimtare.