ANALIZA/ Mark Marku: – Lideri i vetmuar dhe i rrëzuar, Edi Rama

11 dhjetor 2020

NGA MARK MARKU

Ndodh përherë kështu. Regjimet autoritare apo diktaturat bien pikërisht atëherë kur e ndiejnë veten më të forta se kurrë.

Dhe e ka një shpjegim: pikërisht në momentin që ato e ndiejnë veten më të forta se kurrë, e kanë poshtëruar në maksimum popullin e tyre dhe ia kanë zhytur thikën aq shumë në palcë, saqë mendojnë se ia kanë mpirë çdo nerv reagimi, dhe se e kanë mbytur edhe në skutën më të fundit shpirtin e rezistencës. Por nëse opozitarët mund të vriten, kërcënohen apo blihen, shpirti i rezistencës dhe opozitarizmit nuk zhduket kurrë.

Dhe pikërisht atëherë kur elitat janë korruptuar, mediat janë blerë, kur burrat dhe gratë e kanë parë të udhës që të merren me hallet e përditshme të familjeve të tyre, kur duket se qytetarët nuk dinë të bëjnë gjë tjetër, veçse të pajtohen me fatin e tyre të dhjerë dhe të zhysin turinjtë në filxhanin e kafes, të birrës apo rakisë, ndodh një “aksident” i vogël dhe gjitha ngrehina shkallmohet.

Atëherë, lideri, “lideri i madh”, lideri me të cilin personifikohet sistemi, ndihet papritur i vetmuar, i braktisur, i tradhtuar dhe përfundon në mjerim. Shkon tragjikisht drejt fundit të tij, sepse drejt fundit shkojnë edhe liderët joautoritarë. I vetmi ndryshim mes këtyre liderëve është se ndërsa liderët joautoritarë largohen, liderët autoritarë i zbojnë. Dhe kur i zbojnë, nuk e kuptojnë pse. A nuk ishte i habitur Gedafi kur po ia fusnin hurin në prapanicë, pikërisht ata që e kishin “adhuruar”. “Pse, pse,-thoshte ai,- çfarë ju kam bërë?”.

A nuk ishte i habitur Çaushesku me të shoqen teksa e fishkëllenin me mijëra “adhurues” të tij në një shesh të Bukureshtit, apo teksa e pushkatonin në një plevicë në një fshat të Rumanisë? Tradhtarë!,- u thoshte atyre që e pushkatonin. A nuk ka qenë i habitur Benito Musolini, kur po e varnin bashkë me të dashurën e vet, Klarën, në një shesh të Milanos romakët e ringjallur prej tij? Po Hitleri në bunkerin e tij? Po Mubaraku, teksa e rrasnin në burg gjeneralët e tij bashkë me aleatët ndërkombëtarë? Po, Sadami i nxjerrë nga pusi teksa ia numëronin dhëmbët si të kalit?

A nuk ishte e habitur Nexhmije Hoxha teksa ia  rrëzonin bustin mu në mes të sheshit burrit të vet “udhëheqësit të pagabueshëm, legjendar…”. Shembuj historia ka plot, por liderët autoritarë nuk e lexojnë historinë, mendojnë se e bëjnë historinë. Ata nuk e lexojnë as realitetin, megjithëse ai i jep pafund shenja për përkohshmërinë e tij.

Kryeministrit Edi Rama po i ndodh fiks e njëjta gjë. Ishte në SHBA, për të bërë gjestin e radhës propagandistik. Shkoi atje jo për të gjetur vaksina për popullin e tij, po për të bërë një foto me prodhuesin e vaksinës anti-Covid. E bëri foton. Ndërkohë, në vendin e tij, ku ai ndihej mbret, “ndodhi aksidenti”: u vra një i ri i pafajshëm nga Policia e tij. Vrasja shkaktoi një revoltë aq të madhe sa mijëra të rinj dolën në rrugë dhe protestuan në mënyrën më dinjitoze të mundshme. Lideri i madh mendoi se mund ta qetësonte turmën duke i hedhur në gojë gjeneralin e tij të graduar si kryeshërbëtor të vetin, por nuk qe e thënë. Të rinjtë e revoltuar e zhytën në kaos Tiranën dhe e sollën në grahmën e fundit pushtetin e tij të kalbur.

Pamjet e mbrëmjes së sotme nga Tirana, ku policë të lodhur rendnin rrugëve të Tiranës pas protestuesve të palodhur, janë fiksuar në mendjet e të gjithëve si agonia e një pushteti të kalbur përballë shpirtit të rezistencës. Ata të rinj ishin ajo çfarë ai kishte harruar se ekzistonte, ose ajo çfarë ai kishte menduar se e kishte zhdukur. Ajo masë të rinjsh, tejet të irrituar, i flisnin ndryshe nga Taulanti, Elisa, Damiani, Mirela, Erioni dhe mijëra shërbëtorë të tyre intelektualë, gazetarë, artistë, shkencëtarë, këngëtarë, futbollistë, stilistë, klounë të pushtetit. Të rinjtë dinjitozë të këtyre dy netëve i thanë ik. Ik ose do të përzëmë. Ata u treguan shqiptarëve se për Ramën ka tashmë vetëm dy mundësi: të ikë në mënyrë paqësore, ose në mënyrë të dhunshme. Por ikja është gjithsesi e vetmja rrugë.

E pamë sot liderin e madh të frikësuar. Fliste me gulshe, i mbahej fryma, shkurt në pikë të hallit. Në shfaqje të tilla e kemi parë disa herë: me protestën kundër mbetjeve, në protestat e opozitës, në zgjedhjet lokale të vetme të humbura, në protestën e kuksianëve kundër traut, në protestën e studentëve, në protestën e naftëtarëve. Por sot ishte më i frikësuar se kurrë, më i vetmuar se kurrë, më i lodhur se kurrë. Kur qytetarët janë të frikësuar nga pushteti, thoshte Xhefersoni, jemi në tirani, por kur qeveria është e frikësuar nga qytetarët, jemi në demokraci. Fytyra e Kryeministrit tregon se këto protesta mund të risjellin demokracinë.

Gazeta Panorama