23 Nentor 2023

Piktori i njohur nga Pogradeci, Anastas Kostandini ka folur në emisionin “Pas Mesnate” në ABC News për piktorin dhe arkitektin e ndjerë, Maks Velo.

Ai ka zbuluar se e ka pasur pedagog dhe mik shumë të mirë, me të cilin ka ndarë gjëra nga më intimet.

Sipas Kostandinit, drama më e madhe e jetës së Maks Velos është se artistët e tjerë profesionistë dhe ata që kishin kryer studimet në Akademinë e Arteve nuk e njihnin si atë si artistë.

Më vjen shumë keq për profesorin tim dhe unë kam ndarë shumë shumë gjëra me të, jashtëzakonisht intime. Ndonjëherë kam përjetuar atë dramën e tij, si një lloj rrëfimi të paimagjinueshëm dhe jo të rrëfyeshëm. Më vinte shumë keq për të. Drama më e madhe e tij që nuk mund ta suportonte dot është që të tjerët artistët profesionistë që kanë studiuar në Akademinë e Arteve dhe që ishin diplomuar të tillë, edhe kasta e atyre që qeverisnin artet, nuk e njihnin atë si artistë ose e përbuzte. Është shumë e vërtetë, kjo ishte një dhimbje më e madhe se vetë burgu. Madje, edhe kur bëri eksopozitën e parafundit të tij, ishte i dëshpëruar se nuk kishte reagime ndaj artit, ndaj jetës së tij, ndaj personalitetit të tij. ‘Të thonë çfarë të duan, mjaft të thonë diçka për mua’. Ai e deshte një gjë të tillë. Unë kam shkruar për të në mënyrë modeste. Unë kam analizuar sipas mënyrës sime, artin e tij”, u shpreh Kostandini.

Kujtojmë që Maks Velo u nda nga jeta dy vite më parë, në moshën 84-vjeçare, pasi vuante nga anemia./abcnews.al