Anija e “plaçkitur” do të ekspozohet në Berlin
A është anija Luf një tjetër artefakt i vjedhur kolonial?

Anija e “plaçkitur” do të ekspozohet në Berlin.

A është anija Luf një tjetër artefakt i vjedhur kolonial?

Në librin e ri, historiani gjerman, Götz Aly, tregon se si një anije u mor nga Paqësori Jugor dhe përfundoi në një muze gjerman. A do të nxisë një debat të ri mbi rikthimin e saj?

Njoftimet gjatë muajit të kaluar se Gjermania do t’ia rikthejë Nigerisë bronzet e Beninit – skulptura të shekullit të 13-të, të vjedhura nga Afrika e prej kohësh të shpërfaqura në muze kombëtarë – kanë përftuar një entuziazëm gjithandej.

Ishte një fitore e tejzgjatur në përpjekjen për rikthimin e veprave të artit dhe artefakteve që gjenden në koleksione muzesh që shpesh janë përftuar në mënyrë të pandershme nga fuqitë koloniale evropiane.

Por botimi i fundit “Das Prachtboot: Wie Deutsche die Kunstschätze der Südsee raubten” (Anija magjepsëse: Si i vodhën gjermanët thesaret e artit në detet e jugut) nga historiani Götz Aly, ka shtuar një tjetër përmasë të fshehur prej kohësh në diskutimet për rikthimin e artefakteve.

Derisa shumë prej tyre kanë qenë rreth grabitjeve koloniale në Afrikë, libri i Alyt përqendrohet në hapësirën e Paqësorit jugor që ishte i kolonizuar nga fuqitë evropiane në shekullin e 19-të. Në veçanti, libri merret me një anije unike 16 metra të gjatë dhe 10 metra të lartë dhe udhëtimin e saj prej Papua Guinea e Re drejt kryeqytetit gjerman.

Teksa pritet të shpaloset në muzeun e Forumit Humboldt në vjeshtën e sivjetme, kjo ekspozitë masive pritet të jetë shesh-beteja më e fundit sa i përket rikthimit.

E plaçkitur nga Paqësori Jugor?

Në vështrimin e tij mbi thesaret e vjedhura nga Gjermania në detet e jugut, Götz Aly shpalos rrethanat e zymta që paralajmëruan ardhjen e anijes së ashtuquajtur Luf në Berlin.

Anija e “plaçkitur” do të ekspozohet në Berlin
A është anija Luf një tjetër artefakt i vjedhur kolonial?

Në fund të shekullit të 19-të, sunduesit kolonialë të Gjermanisë vunë një regjim brutal në ishujt Hermit në Papua Guinenë e Re, si arkipelag i Bismarkut – më i madhi prej të cilëve ishte ishulli Luf. Kolonialistët gjermanë që qëllonin mbi banorët vendës, i plaçkitnin, përdhunonin gratë dhe rrëmbenin të rinjtë për të punuar me detyrim “në përgjithësi nuk kishin frikë nga ndëshkimi”, shkruan Aly. Kështu mund të merret me mend që anija Luf ishte një artefakt i grabitur dhe nuk ishte marrë në mënyrë ligjore.

Hermann Parzinger, drejtor i Fondacionit Prusian të Trashëgimisë Kulturore që menaxhon koleksionin e Forumit Humboldt, deri më tani ka mohuar që anija të jetë e vjedhur.

Në një deklaratë të fundit të marrë nga gazeta “Süddeutsche Zeitung”, Fondacioni në fjalë ka thënë se do të vazhdojë të shfaqë anijen, por ta ri-brendojë atë, le të themi, si “përkujtesë e tmerreve të periudhës koloniale gjermane”.

Fondacioni ka në zotërim një total prej rreth 65 mijë eksponate nga Paqësori i Jugut. Për shumë vjet, pak njerëz në krye të këtyre muzeve kanë pyetur nëse koleksionet janë përfituar në mënyrë ligjore, pavarësisht një numri të madh kërkesash për rikthimin e artefakteve koloniale të vjedhura nga Afrika.

Anija Luf është një kryevepër e mjeshtërisë në Guinenë e Re. Por a duhet të rikthehet?

Trashëgimia kulturore e Guinesë së Re

Para se Gjermania të krijonte një protektorat në Guinenë e Re dhe në ishujt fqinj të Paqësorit në dekadën e parafundit të shekullit të 19-të – një trevë që shtrihej në mbi 3 mijë kilometra – populli vendës kishte një kulturë tejet të zhvilluar, veçmas në aspektin e artit, zejeve dhe ndërtimit. Pa përdorur gozhda, ata ndërtonin anije të mëdha lundruese me zbukurime të pasura që përshkonin largesa të pabesueshme dhe mund të bënin vend për 50 njerëz.

Para ardhjes së evropianëve, kishte qindra anije të tilla që lundronin në detet e Paqësorit Jugor. Sipas Alyt, të gjitha me përjashtim të asaj që është në posedim nga Berlini u shkatërruan gjatë shpeditave ndëshkimore që ishin të shpeshta gjatë sundimit kolonial.

Në vitet 1882-83, shumë prej 400 banorëve të ishullit Luf ranë viktimë e një shpedite të tillë në arkipelagun e Bismarkut të nxitur nga ndërmarrësi hamburgas, Eduard Hernsheim.

Më shumë se 300 detarë gjermanë shkretuan ishullin, shkatërruan kasollet dhe bënë copë e çikë anijet. Vetëm pak njerëz shpëtuan.

Anija transportuese e gjatë 16 metra në Forumin Humboldt mund të mos jetë e vetmja sprovë, teksa ngrihen pyetje mbi rikthimin e saj

Udhëtimi në Gjermani

Dy dekada pas sulmit, Max Thiel, drejtor i ndërmarrjes tregtare gjermane “Hernsheim & Co”., vizitoi ishullin e vogël. Krahas të hyrave që vinin prej plantacioneve, tregtimi i “kurioziteteve të njerëzve primitivë”, siç i përshkruan Aly artefaktet, ishte një anë tjetër fitimprurëse e biznesit.

Thiel fitoi posedimin e një anije në Guinenë e Re gjermane dhe u vu në kontakt me Felix von Luschanin, që ishte në krye të divizionit oqeanik në Muzeun Etnologjik të Berlinit – pararendësi i Forumit Humbold.

Pak dihet mbi atë se si anija u mor nga “Hernsheim & Co”. teksa nuk pati asnjë pagesë shitjeje nga ishullorët e as ndonjë dëshmi që u vodh. Ajo çka dihet është se anija ndryshoi duart për 6 mijë marka, një shumë goxha e lartë asokohe, dhe qe transportuar në Berlin.

Paternalizmi dhe “gjenocidi i tërthortë”

Për shumë vjet, ata që ishin të përfshirë mëtonin se donin thjesht të ruanin kulturën e ishullorëve, duke thënë se prejse popullata u zvogëlua aq shpejt, anija nuk ishte më e nevojshme.

Legjenda paternaliste ngulmonte që gjermanët në fakt e kishin shpëtuar anijen. Megjithatë, cilado nevojë për ta shpëtuar anijen ishte precipituar nga kolonistët gjermanë që kishin dhjetuar kulturën dhe popullatën ishullore me “gjenocidin e tyre të tërthortë”, siç e quan Aly.

Anija ishte prej kohësh në Muzeun Etnologjik në Dahlem në Berlin para se të paketohej në një arkë të bërë enkas më 2018 e të bartej në Pallatin e ri të Berlinit.

Anija e “plaçkitur” do të ekspozohet në Berlin
A është anija Luf një tjetër artefakt i vjedhur kolonial?

Por a do të ngrihen pyetje të reja mbi origjinën e saj me rastin e shfaqjes që pritet të bëhet në vjeshtë në koleksionin kundërthënës të Forumit Humboldt?

Një raport me gjatësi sa një libër në “Rikthimi i Trashëgimisë Kulturore Afrikane”, i botuar më 2018 nga akademikët francezë Bénédicte Savoy dhe Felwne Sarr, ishte kyç në nxitjen e rikthimit të artit të grabitur afrikan që gjendet në Gjermani. Me publikimin e fundit të Götz Alyt, është e mundur që një tjetër historian të nis debatin mbi origjinën e artefakteve të Paqësorit jugor, dhe madje edhe për rikthimin e tyre.

Marrë nga “Deutsche Welle”. Përktheu: Salih Mehmeti