25 Shtator 2024

Më 19 nëntor, në orën 10:00 do të mbahet seanca në Gjykatën Kushtetuese mbi ankimin e ish-kryeministrit Sali Berisha për masën e parë të sigurisë, “detyrim me paraqitje”, të dhënë në tetor të vitit 2023.

Seanca do të zhvillohet mbi një bazë dokumentash ku ish-kryeministri kërkon shfuqizimin e e vendimeve të të GJKKO-së, Apelit të GJKKO-së dhe Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

“Shfuqizimin e vendimeve nr. 112, datë 20.10.2023 dhe nr. 117, datë 26.10.2023, të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 56 (87-2023-156), datë 21.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2024-384, datë 05.03.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë”, kërkon Sali Berisha.

Berisha pretendon se masa e sigurisë ndaj tij “detyrim paraqitje” dhe kufizim i daljes jashtë vendit është marrë në shkelje të Kushtetutës, për shkak se SPAK nuk i ishte drejtuar Kuvendit me një kërkesë për imunitetin ndaj tij si deputet.

Ndërkohë, për shkak të mosrespektimit të kësaj mase, Sali Berisha qëndron në “arrest shtëpie” që prej 30 Dhjetorit 2023. Më 11 Shtator, kreu i PD-së u paraqit në SPAK ku ju komunikua zyrtarisht se është i pandehur për akuzën e korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim në lidhje me çështjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv Partizani.