Antonio Baldaçi dhe heroizmi i tij shkencor në Shqipëri
Antonio Baldaçi dhe heroizmi i tij shkencor në Shqipëri
I vlerësuar nga bota, por jo nga Shqipëria së cilës i kushtoi gjithë jetën e tij krijuese. Vetëm me herbariumin prej 100.000 bimësh të mbledhura në vendin tonë, Baldaçi përbën një institucion me vete shkencor
Zylyftar HOXHA
Antonio Baldaçi mund të konsiderohet albanologu i parë që ka ndenjur më shumë dhe më gjatë si kohë në Shqipëri dhe që i ka kushtuar një numër shumë të madh studimesh këtij vendi. Ishte një botanist dhe gjeograf italian, një pasionant i studimeve etnografike, politike dhe socio-ekonomike.
Studimet dhe botimet e tij shkencore, të realizuara midis dy luftërave botërore, asaj të Parë dhe të Dytë, zënë një vend të rëndësishëm në fondin e botimeve albanologjike. Por, të “vëna në peshë”, ana tjetër e peshores, vlerësimi dhe mirënjohja për këtë njeri, për këtë figurë kaq poliedrike, janë fare të pallogaritshme, krahasuar me atë ç’ka ai ka bërë dhe ç’ka thënë për Shqipërinë. Në dijeninë time (më falni, nëse është ndryshe!), më rezulton se nuk ka asnjë institucion, park a rrugë me emrin e tij, ose, dhe në ka, do të jetë ndonjë gjë e parëndësishme, periferike, që nuk bie në sy!…megjithëse ka shumë dekorata e vlerësime nga vendi i tij, nga vendet evropiane dhe ato ballkanike.
Le ta lëmë deri këtu këtë arsyetim dhe të njihemi me dijetarin e mirënjohur.
U lind më 3 tetor të vitit 1867 në Bolonjë. Me natyrë aventurieri Zhylvernist, endé pa kryer shkollën e mesme, më 1884, u nis në rrugë drejt Ballkanit, duke ecur më këmbë prej Zarës deri në kufi të Malit të Zi, por nuk mundi ta kapërcejë këtë kufi.
Një vit më pas, pa marrë parasysh vështirësitë që e kishin penguar në udhëtimin e parë, me mjete fare të varfra dhe vetëm me idealin e studimeve të veta natyralistike, që e nxiste që në atë moshë, hipi në një anije dhe u nis përsëri drejt Malit të Zi, me synim që të takonte knjaz Nikollën, me të cilin e lidhi një miqësi e ngushtë dhe e gjatë, duke e vizituar atë shpesh, sa herë që i binte rruga për në Ballkan.
Studimet universitare i zhvilloi nën drejtimin e botanistit dhe fitogjeografit të madh Federiko Delpino, i cili si duket ndikoi në ambiciet shkencore të tij. Ndaj Baldaçi filloi të shtrijë udhëtimet e veta botanike në Ballkan, por më tepër në Shqipëri.
Interesi i tij për Shqipërinë nisi më 1888, ndërkohë që vizita më 1902 në zonën kufitare midis Shqipërisë dhe Malit të Zi konsiderohet edhe si misioni i parë shkencor italian në këtë rajon.
Pas këtyre udhëtimeve të para, ai i kushtoi jetën shkencës dhe Shqipërisë dhe krijoi plot 118 vepra nga të gjitha fushat. Një institucion i vërtetë shkencor qe vetëm herbariumi i përbërë nga 100.000 bimë të mbledhura në malet e fushat e Shqipërisë tregon për një heroizëm të vërtetë shkencor. Gjatë ekspeditave të tij Baldaçi ia doli të zbulojë ekzemplarë mbi 400 bimë dhe specie të panjohura më parë, të cilat kanë marrë emrin e tij dhe të vendit ku janë gjetur.
Puna e përkushtuar ndaj shkencës dhe si mik i veçantë i një vendi krejtësisht të pa eksploruar deri atëherë, e bënë anëtar të disa akademive, anëtar të Akademisë së Bolonjës, Athinës, Vjenës, Bukureshtit, Budapestit, Syllogos Parnassos i Athinës dhe Shoqërisë Gjeografike të Vjenës.
Publikimet e shumta të Antonio Baldaçit në revistat më në zë kanë ndikuar edhe në njohjen e Shqipërisë. Janë rreth 250 monografi dhe artikujt shkencor që dëshmojnë veprimtarinë e tij të gjerë akademike. Në fondin albanologjik të Bibliotekës Kombëtare gjenden rreth 80 vepra studimore si: “Ricordi di un viaggio botanico fra Prevesa e Janina” (1893); “Escursione botanica allo scolio di Saseno” (1893); “Rivista critica della collezione botanica : fatta nel 1892 in Albania” (1894); “Contributo alla conosenza della flora dalmata, montenegrina, albanese, epirota e greca” (1894); artikujt e parë të veprës “Itinerari albanesi : 1892” botuar më 1896; “Crnagora : memorie di un botanico” (1897); “Escursione botanica nell’Albania” (1897); “Considerazioni preliminari sulla fitografia dell’Albania” (1898); “Gli Albanesi nel Montenegro” (1898); “Contributo alla conosenza della flora del confine montenegrino-albanese” (1900); “Note statistiche sul vilayet di Scutari : la legge della montagna Albanese” (1901); “L’ Hinterland de L’Adriatique” (1904); “L’ Italia nel Mediterraneo e nell’Adriatico” (1903); “L’ Elemento latino nell’equilibrio balcanico” (1905); “Vallona e L’Acroceraunia” (1913); “Il Nuovo Stato di Albania” (1913); “I Romeni dell’ Albania” (1914); “Berat e il Tomor” (1914); “L’ Albania” (1916); “Il Console napoleonico Pouqueville e il centenario della for a albanese” (1927); “L’ Albania” (1929); “Studi speciali albanesi” (1932); “L’ Orso bruno in Albania” (1933); etj.
Ndërkohë në gjuhën shqipe kanë ardhur tri nga veprat e tij më të rëndësishme “Rrugëtime shqiptare: 1892-1902” (2006); “Shqipëria e madhe” (2006), “Arumunët” (2010) si dhe “Tre udhëtime: te arumunët e Shqipërisë” (2011).
Baldaçi ishte një botanist, që hyri në Ballkan për motive shkencore dhe tregtare dhe u interesua në veçanti për Shqipërinë, për të cilën u bë edhe konsull nderi në Bolonjë. Siç tregon gjithë vepra e tij, ai ishte i interesuar të dokumentonte dhe të njihte historinë e vendit tonë.
Antonio Baldaçi, botanist, gjeograf, etnograf, sociolog gjen si rast për veprimtarinë e tij shkencore lidhjet politike dhe ekonomike mes dy vendeve, Italisë dhe Shqipërisë. Vjen si nëpunës italian në Shqipëri, herë si civil dhe herë si ushtarak dhe vit pas viti rrit numrin e miqësive, e njohjeve, që më tej konsiderohen të dobishme për interesat ekonomike, politike dhe ushtarake të qeverisë italiane të asaj kohe në zonën e Ballkanit.
Artikujt e Baldaçit për Shqipërinë, të realizuara me kompetencë shkencore, ngjallin interes dhe publikohen në revistat më të lexuara të kohës në Itali dhe vende të tjera të botës.
Pas pushtimit të vendit tonë nga Italia fashiste, Baldaçi vazhdon interesin e tij për punën shkencore në Shqipëri. Në vitin 1942, ai konsiderohet ekspert, njohës i vendit tonë dhe e ftojnë të bëhet pjesë e institucioneve, si Këshilli Drejtues i Studimeve Shqiptare pranë Akademisë së Italisë, Instituti i Studimeve Shqiptare në Tiranë dhe emërohet këshilltar kulturor i Lungotenenzës së Përgjithshme në Shqipëri, deri në vitin 1943, kur Shqipëria pushtohet nga trupat gjermane.
Nga publikimet e Baldaçit, sot kanë mbetur rreth 250 artikuj dhe vëllime, të cilat kujtojnë itineraret shqiptare.
Pavarësisht se u mor me punë dhe detyra të tjera politike dhe shtetërore, baza e jetës së Baldaçit, mbeti pasioni shkencor ballkanik, ai ishte studiues me interes për të panjohurën.
Kërkimet e Baldaçit në Shqipëri
- Në vitin 1888 bëri kërkime ndërmjet Vlorës dhe Prevezës.
- Më 1889, me francezin Bertrand, eksploroi botanikën e Sazanit.
- Më 1890, me Mileliren, bëri udhëtimin prej Prevezës në Janinë, duke kërkuar e mbledhur bimët e zonës.
- Më 1892 bëri një koleksion botanik, duke shëtitur në krahinën e Tomorrit.
- Tashmë kishte vënë re se flora shqiptare lidhej në mënyrë të çuditshme me atë të Kaukazit dhe të Azisë edhe më të largët, dhe për të gjetur urën e lidhjes në vitin 1893 bëri një ekskursion në Kretë.
- Më 1894, 1895 dhe 1896 përsëri në Shqipëri duke mbledhur bimë.
- Më 1897 ia kushtoi udhëtimin e tij të tetë në Shqipëri eksplorimit të Alpeve Shqiptare; u nis bashkë me mikun e tij të përzemërt gjeografin gjerman Kurt Hassert.
- Më 1898, pa u lodhur dhe pa u trembur, bëri një koleksion tjetër botanik.
- Më 1899 e ndjeu të nevojshme të vizitojë Kretën edhe një herë, dhe po në atë periudhë edhe Kirenaikën, që paraqiste po atë interes.
- Më 1900, 1901, 1902, 1903 vazhdon kërkimet në malësitë e veriut. Më 1901, bashkë me Kurt Hassertin, filloi punën për një hartë etnografike të Ballkanit, mbi baza shkencore dhe të paanëshme, por me qëllim që të delte në shesh përhapja e vërtetë e popullsisë shqiptare.
- Më 1902 dhe 1903, tashmë eksplorator dhe dijetar i njohur, kryesoi një mision shkencor në mbarë krahinën e Cemit, me përfundime të çmueshme.
- Në vitin 1906 iu ngarkua nga Drejtoria e Hekurudhave shtetërore italiane një mision për studimin e pyjeve shqiptare dhe prodhimeve të tyre. Njëkohësisht kreu një studim mbi peshkimin në brigjet e Shqipërisë, që i duhej Ministrisë së Bujqësisë, Industrisë dhe Tregtisë për të për të rritur traktatin tregtar me Austrinë.
- Ministria e Luftës e dërgoi një vit më pas për të hartuar statistikën e kuajve dhe të mushkave të Shqipërisë dhe për të parë nëse mund të eksportoheshin ato në shërbim të ushtrisë. Njëkohësisht Ministria e Bujqësisë, e Industrisë dhe Tregtisë i kërkoi një studim mbi pasurinë zooteknike shqiptare, për të blerë mish për Puljen.
- Në vitet 1908-1910 studioi për Ministrinë e Punëve të Jashtme gjendjen politike të Malit të Zi, të Shqipërisë, të Serbisë dhe të Kosovës.
- Më 1914 organizator të shërbimeve publike dhe pak më vonë u emërua këshilltar civil pranë Komandës së Përgjithshme Detare të Vlorës, zyrë ku punoi deri në mbarim të luftës.
- Me të mbaruar lufta u mor në shërbim të Zyrës Historike të Mobilizimit, ku punoi deri më 1921.
- Vitet e fundit filloi të kujdesej për studimet dhe ristudimet e veta, si dhe për zyrën si Kryekonsull nderi i Shqipërisë në Bolonjë.
- Ka ardhur disa herë me punë dhe shërbime në Shqipëri gjatë periudhës së mbretërisë së Zogut dhe gjatë pushtimit fashist italian në vendin tonë.
Gazeta Dita