21 Qershor 2024

Antonio Bellusci qe prift arbëresh, gazetar, shkrimtar, pedagog, etnolog (Në foto: Bellusci në shtator të vitit 2018, gjatë intervistës për “Kohën Ditore)

Adresa e tij nuk ishte thjesht e një prifti a studiuesi, por adresë e arbëreshëve, pasi ata që ia mësynin asaj ane i vinte në kontakt me kë të donin. Antonio Bellusci vdiq të mërkurën. Ai ishte 89 vjeç. U bë edhe zë i arvanitasve, përderisa mblodhi fotografi dhe incizoi një thesar të dhënash mbi historinë dhe folklorin e arbërorëve. U angazhua edhe për çështjen e Kosovës

Me t’u përmendur arbëreshët në qarqet e studiuesve e politikanëve, emri i priftit Antonio Bellusci do të zinte vend shpejt. Qe prej njerëzve që shihej gjithkund. Në konferenca shkencore gravitonte me të dhënat që kishte mbledhur për bashkëvendësit e tij e për arvanitasit. Në qarqet politike paraqitej si lobues i madh për çështjen e Kosovës. Adresa e tij nuk ishte thjesht e një prifti a studiuesi, por adresë e arbëreshëve, pasi ata që ia mësynin asaj ane i vinte në kontakt me kë të donin. Bellusci vdiq të mërkurën. Ai ishte 89 vjeç. Lajmin e ka bërë të ditur udhëheqësi i misionit diplomatik të Kosovës në Vatikan, Vehbi Miftari.

Vdekja e Belluscit është konsideruar humbje e një njeriu që pos angazhimeve profesionale ishte edhe veprimtar i madh i çështjes së Kosovës.

Antonio Bellusci qe prift arbëresh, gazetar, shkrimtar, pedagog, etnolog. I lindur me 15 shtator të vitit 1934 në Frashinetë të Kozencës, ka diplomuar për filozofi e teologji. Ka shërbyer si prift famullitar arbëresh. Ka themeluar revistat “Vatra jonë”, “Lidhja”, shoqatën kulturore dhe shtëpinë botuese  “G. Kastrioti”, bibliotekën ndërkombëtare “Bellusci”. Ka botuar studime në periodikët “Shejzat”, “Zgjimi”, “Katundi Ynë”, “Studime Filologjike”, “Përparimi”. Prej vitit 1962 ka bërë udhëtime, studime dhe kërkime etnografike në vende të ndryshme, ka marrë pjesë në veprimtari shkencore në kuvende, kongrese në Itali, Shqipëri, Kosovë, Itali, SHBA, Australi. Ka botuar librat “Këngë fetare arbëreshe”, “Argalia në tekstet popullore arbëreshe në Frasnitë”, “Magjia, mite dhe besime popullore në katundet arbëreshe”, “Fjalor Frazeologjik i Arbëreshëvet në Itali dhe Arbërorëve në Greqi”, “Blegtoria në Frasnitë”, “Kërkime dhe Studime ndër Arbërorët të Elladhës”, “Antologjia Arbëreshe”, “Arbërorët-Arvanitë”. Për angazhimin e tij është shpërblyer me disa çmime nga ana e autoriteteve të Italisë, Shqipërisë dhe Kosovës.

Ndër vite ka qenë i pranishëm në Kosovë. Qysh prej vitit 1970, kur ishte për herë të parë, e ka vazhduar këtë traditë. Në Seminarin për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare gati i përvitshëm.
Gjuhëtari e anëtari korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Bardh Rugova, ka thënë se Antonio Bellusci ka qenë mbi të gjitha një mik.

“Ka shfrytëzuar të qenët prift i ritit bizantin për të shkuar në Greqi dhe regjistruar arvanitët. Natyrisht, ai nuk ka qenë gjuhëtar i kualifikuar dhe nuk mund të flitet për ndonjë kontribut shkencor. Kontribut ka dhënë në rrafshin e krijimit të kontakteve. Ka bërë punë ‘shpirtërore’. Ka ndihmuar shumë për të nxitur ndjenjën arbëreshe e shqiptare”, ka thënë Rugova.

Historiani Col Mehmeti ka shkruar se Antonio Bellusci ka qenë një nga figurat intelektuale më vokale nga bota arbëreshe. Sipas tij, shuarja e tij shënon një ndërrim brezash në traditën shkollareske përherë aktive në qendrat e Italisë së Jugut.

“Bellusci ishte nga ata të ‘vjetrit’ që ishin të aftë të bënin sinteza prej punës së vëllimshme në terren. Përveçse një zë tepër i veçantë i identitetit arbëresh ose shqiptaro-italian, Belluscit duhet t’i njihet merita për kontributin e tij të shënueshëm edhe për skajin tjetër të botës shqipfolëse”, ka thënë Mehmeti. Sipas tij, Bellusci bëri kërkime të thelluara në qindra fshatra arvanite në Peleponez, Atikë e Eube, duke kataloguar tradita, këngë e rrëfime arvanite. “Përveçse një simbolikë e bukur ku një arbëresh takon arvanitë, puna e Belluscit është një referencë e paanashkalueshme për studimet mbi arvanitët. Kjo është arsyeja se vepra e tij ‘Ricerche e studi tra gli arberori dell’ellade’ (Kërkime e studime mbi arbërorët e Heladhës) është një lloj breviari edhe për studiuesit e pakicave gjuhësore në Evropë, dhe rrjedhimisht kjo vepër e ka rritur ndërgjegjësimin së paku akademik që dialektet arvanite të ruhen e të çmohen përballë politikave kollufitëse e uniformuese të Greqisë”, ka thënë ai.

Në veprën autobiografike të titulluar “Rrugëtimi i një arbëreshi”, Bellusci ka rrëfyer gjerë e gjatë për jetën e veprimtarinë e tij. E natyrshme, edhe për punën e bërë ndër arvanitas.

“Libri që shkrova për këta arbërorë të padukshëm ka një listë të gjatë të krahinave dhe fshatrave ku banojnë arbërorët: 900 katunde. Në listë gjen emra fshatrash, si Qiuteza, Vithkuqi, Blushi, Matranga, Variboba, Dara, që dëshmojnë për lidhjet e tyre me fshatrat e Shqipërisë, si edhe me emra të njohur të arbëreshëve në Itali”, shkruhet në monografi.

Ai do të tregonte se gjatë afro 40 vjetëve që shkelte katundet arbërore në Greqi mblodhi fotografi dhe incizoi një thesar të dhënash mbi historinë dhe folklorin e arbërorëve si përralla, legjenda, fjalë të urta, mallkime, këngë dhe bisedime, trashëgimi kulturore e ruajtur për shekuj me radhë.

“Regjistrimet e bisedave dhe këngëve përbëjnë një material të pastër etnografik, sepse unë i lija njerëzit të flisnin lirshëm, të tregonin çdo aspekt të jetës, mos të rezervoheshin, i lashë të flisnin dhe të këndonin shqipen që dinin dhe i botoja ashtu siç i dëgjoja, pa i korrigjuar, pa i ndryshuar”, shkruan ai. Jep shumë të dhëna edhe për arbëreshet në jugun e Italisë.

Në shtator të vitit 2018 do të jepte një intervistë për “Kohën Ditore”. Do të thoshte se mbështetja më e madhe e arbëreshëve ishte te gjuha.

“Fjala ka fuqi të brendshme të madhe, si kur thua: oj zemra ime, oj nëna ime, o Zot…Janë arbëreshët që kanë mbajtur ritin arbëresh, zakonet, deri sot. Kurse ata që kanë ritin latin, kanë humbur gjuhën arbëreshe”, kishte thënë ai. Thoshte se fati i arbëreshëve mund të shihet si një rilindje.

Në dhjetëra libra të tij autorial ai prej vjetësh qe shndërruar në adresë të studiuesve.

“Emigrimi i fundit ka ndodhur më 1724. Ata ishin të ritit bizantin, por kishin një prift që i bashkoi këta njerëz si arbëreshë të krishterë me ritual bizantin siç ishin nga vendi i origjinës”, thoshte Bellusci. Nga ndërlidhja e gjakut me identitetin dhe kombin, Bellusci nxirrte përfundimin për “identitetin e hapur” të arbëreshëve.

“Identiteti ynë është një identitet i hapur, ne respektojmë kulturat e tjera. Pra, shpirti i arbrit është i butë, nga dhjetëra anë është shumë i urtë, shumë i hapur”, pretendonte ai. Qe i hapur për krejt ata që ia mësynë asaj ane, e mbështetës i madh i çështjes së Kosovës.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, gazetari  e publicisti Halil Matoshi duke e kujtuar kohën kur Bellusci bashkë me delegacionin e Kosovës ishte në Kongresin amerikan më 1999, e ka cilësuar atë si “kosovar me bindje e arbëresh me djep”.

Nga Gazeta Koha, Prishtine, 20 Qershor 2024.