“Antropologjia e Kanunit”, shqyrton raportin pushtet-dije. –
Libri: ‘Antropologji e Kanunit’, me autor Nebi Bardhoshi.
“Antropologji e Kanunit” paraqet dhe problematizon debatin teorik në dijet sociale e humane, kryesisht në antropologjinë e së drejtës. Qëllimi i këtij përvijimi teorik është vënia në pah e mënyrave se si qasjet e ndryshme teroike në lëmin e së drejtës, e kryesisht në antropologjinë e së drejtës kanë krijuar mastarët e tyre teorik e se si konkretisht kanë ‘matur’ njeriun e njerëzoren të tjetri e të vetja. “Matjet teorike” herë nëpër lente relativiste e herë universaliste, e herë-herë të ndërkallura në mes tyre, janë krijuar nëpër troje specifike pushteti.
Prandaj si për teorinë ashtu dhe për kulturën e shoqërinë, është parë me vend marrja në shqyrtim e raporteve të pushtetit. Duke u fokusuar te kanuni, e drejta zakonore, autori shqyrton raportet pushtet – dije në mendimin antropologjik, përthyerjen e këtij raporti në jetën e përditshme, kushtin e pluralizmit ligjor, regjimet hierarkike mes rendeve të ndryshme ligjore, kuptime e së drejtës dhe drejtësisë, duke vënë në qendër raportet komplekse mes të drejtës kanunore dhe asaj shtetërore. Gjakmarrja, martesa dhe prona, janë tri çështjet rreth të cilave lëvrohet teza e liminalizimit të kulturës prej shtetërores. Libri mbyllet me ftesën për të parë se si shtetërorja moderne përdor kulturën apo aspekte të saj, për të klasifikuar njeriun si jo-krejt-njeri dhe se si, ajo i jep për atribut vetvetes, shndërrimin e jo-krejt-njeriut, në, më në fund, njeri.
Ndërsa, Nebi Bardhoshi (Prof. Asoc. Dr.), është kërkues shkencor në Departamentin e Etnologjisë, pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, Tiranë dhe Researcher Fellow në Graduate School for East and Southeast European Studies, Regensburg, Gjermani. Fushat kryesore të interesit shkencor të këtij autori janë antropologjia e së drejtës, ajo pronës, dhe e shtetit. Në vitin 2011 botoi librin Gurtë e Kufinit: kanuni, prona, strukturimi social dhe është bashkëeditor i vëllimit Social Practices and Local Reconfiguration in the Balkans (2013).
Bardhoshi është gjithëashtu autor i një serie artikujsh që kanë në fokus proceset sociale e kulturore të të jetuarit kushtin e pluralitetit ligjor, legjitimitetin e së drejtës. etj. Një interes më specifik Bardhoshi ka mbi historinë e mendimit antropologjik e, posaçërisht në shqyrtimin e raporteve të dijes me pushtetin në etnologjinë shqiptare gjatë periudhës komuniste dhe post-komuniste.