Apeli i GJKKO e dënoi për tjetërsimin e tokës te Rana e Hedhun, arratiset Fran Frrokaj…
26 Dhjetor 2024
Ish-kryebashkiaku demokrat i Lezhës, Fran Frrokaj, dyshohet të jetë arratisur pas dënimit me 4 vite burg nga Gjykata e Apelit të Posaçëm (GJKKO). Apeli dyfishoi dënimin ndaj tij, nga 2 në 4 vite, por për shkak të gjykimit të shkurtuar ai përfitoi ulje me 1/3 dhe përfundimisht dënohet me 2 vite e 8 muaj burg. Mësohet se një ditë më parë, SPAK ka nxjerrë urdhrin për ekzekutimin e dënimit të tij, por Frrokaj, nuk është gjetur në banesën e tij. Sipas të dhënave të sistemit TIMS nuk rezulton që ai të ketë dalë jashtë vendit. Mësohet se gjithë komisariatet në vend janë informuar për lokalizmin dhe arrestimin e tij. Fran Frrokaj, ish-kryetar i Bashkisë së Lezhës u gjet fajtor nga GJKKO për shpërdorim detyre.
Ai u akuzua për tjetërsimin e pronave në zonën e “Ranës së Hedhun”. Shkalla e Parë e dënoi me 1 vit e 4 muaj burg, ndërsa Apeli rëndoi dënimin duke e rritur në 2 vite e 8 muaj burg. Përveç Frrokajt, gjykata ndryshoi vendimin edhe për Bledar Carën, të cilin shkalla e parë e kishte liruar nga akuzat. Apeli e dënoi atë me 1 vit e 4 muaj heqje lirie. Po ashtu, për Juxhina Memën u dha i njëjti vendim, por dënimi me burg u pezullua dhe u caktua shërbim prove për 5 vitet e ardhshme. Një sipërfaqe toke prej 66 mijë metrash katrorë në zonën e “Ranës së Hedhun” u konfiskua dhe kaloi për llogari të shtetit. Hetimet për përvetësimin e kësaj sipërfaqeje, me vlerë rreth 13 milionë euro, nisën në vitin 2019.
Nga hetimi ka rezultuar se punonjës të administratës së ish-Komunës Shënkoll, mes të cilëve dhe Fran Frrokaj, i cili ishte kryetar i komunës në atë periudhë, kanë favorizuar regjistrimin e 82 pasurive të paluajtshme për disa persona. Ish-kreu i Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj la mesditën e 24 prillit të këtij viti qelitë e burgut të Reçit. Ai përfitoi lirinë nga amnistia, krahas 1100 të dënuarve të tjerë. Më 1 mars 2024 ai u dënua nga GJKKO me 2 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i zbriti në 1.4 vite. Përllogaritja e ditëve të paraburgimit dhe pjesa që i zbritej nga amnistia bëri që Frrokaj të lirohej. Ndërsa me vendimin e Apelit të hënën dënimi i tij është rritur në 2.8 vite burg, nga 1.4. Kësisoj, Frrokajt do t’i duhet të përballet edhe njëherë tjetër me qelitë për pjesën e mbetur të dënimit.
Gazeta Sot