Apeli i GJKKO rikthen në qeli ish-deputetin e PS, Alqi Bllako. – Liria zgjati 34 ditë
9 Nentor 2022
Gjykata e Posaçme e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rikthyer në qeli ish-deputetin e Partisë Socialiste, Alqi Bllako.
Alqi Bllako u rikthye në qeli me kërkesë të SPAK pasi qendroi në arrest shtëpie për 34 ditë. Bllako akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.
Bllako shkoi sot në Apel për t’u njohur me vlerësimin e masës së sigurisë, pasi SPAK apeloi masën e caktuar më herët nga GJKKO.
Njoftimi i Gjykatës:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trupin gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më datë 09.11.2022 shpalli vendimin lidhur me çështjen nr. 180 akti, datë 04.11.2022 regjistrimi, në ngarkim të personit nën hetim A.B., mbi ankimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kundër vendimit nr. 382, datë 06.10.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi: Ndryshimin e vendimit nr. 362 datë 06.10.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar si më poshtë: 1.Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit/të hetuarit A.B. me objekt zëvendësimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”. 2.Vazhdimin e masës së sigurimit personal me efekt shtrëngues “arrest në burg”, të caktuar ndaj të hetuarit A.B. me vendimin nr. 26, datë 31.03.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Alqi Bllako u arrestua më 31 mars 2022, me urdhër të SPAK, pasi akuzohet se në kohën kur postin e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, në bashkëpunim me ish-ministrin Lefter Koka dhe ish-kryetarin e Komisionit të Shpronësimit Pëllumb Abeshi, ata kanë falsifikuar dokumentin në lidhje me sipërfaqen e tokës ku u ndërtua inceneratori i Fierit duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit prej 16 milionë lekësh.
Bllako u lirua nga burgu rreth një muaj me argumentin se kishte fëmijët e mitur dhe bashkëshortja ishte në punë dhe duhet të kujdesej për ta.
Gazeta Dita