Apollon Baçe: – Monumentet më të rrezikuara në vendin tonë janë kishat.
Apollon Baçe: – Monumentet më të rrezikuara në vendin tonë janë kishat.
Ish- drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës Apollon Baçe flet në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve. Ai shprehet se gjatë komunizmit monumentet ishin në gjendje shumë të mirë, ndërsa sot nuk ndodh kjo. Baçe mendon se monumentet më të rrezikuara janë kishat. Ndërsa me 6 mln dollarë mund të rregullohen të gjitha monumentet në vendin tonë.
Nga: Valeria Dedaj.
Para 37 vitesh Këshilli Ndërkombëtar i Monumenteve vendosi që data 18 prill të shpallet Dita Ndërkombëtare për Monumentet. Edhe kështu kjo ditë çdo vit shënon promovimin e trashëgimisë kulturore, duke pasur në qendër ndërgjegjësimin për ruajtjen edhe konservimin e saj. Por cila është gjendja e monumenteve të Kulturës në Shqipëri sot, a është bërë sa duhet për institucionet në këtë drejtim? Ish-drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës, akademiku Apollon Baçe për “Report TV” teksa bën një paralelizëm të situatës sot, me atë që ka qenë gjatë regjimit komunist, ndalet edhe tek monumentet më të rrezikuar në vendin tonë.
“Unë sistemin e kaluar komunist nuk dua në asnjë mënyrë që të jetë prapë, (i kam kaluar disa ditë në qeli edhe nuk dua që të jetë sërisht), por as nuk mund të them se monumentet atë kohë ruheshin keq edhe sot ruhen mirë. Në atë kohë kanë qenë shumë mirë sot janë shumë keq. Përse? Për autoarki apo për identitet nacional nuk e di as vet. Figura e Enver Hoxhës kudo del si njeri injorant, por në fakt ka qenë njeri i shkolluar, sikundër kjo do të thotë që monumentet ruheshin shumë mirë”, shprehet Baçe.
Kur ka qenë drejtor i monumenteve Baçe tregon se është munduar që të bëjë një reformë, duke menduar për të ardhmen, duke risjellë sistemin që kishte qenë, ku harxhoheshin tre herë më pak fonde, ndërsa mirëmbajtja e tyre ishte katër herë më mirë. Por, kjo nuk eci.
“Në Ballsh është kisha paloekristiane. Roja paguhej me 700 dollarë në vit, por u hoq ky sistem dhe me tender paguheshin 10 mijë euro, ku vinin 20 vet e pastronin e pastaj gjithë kohës ishte e pistë. Tenderi është një nga gjërat më shkatërruese tek ne, sepse 10 për qind të asaj e merr ai që bën tenderin. Ajo që nuk funksionon një gjë nuk ecën asgjë”, thotë arkeologu Baçe.
Baçe teksa shprehet se tenderët që jepen herë pas herë për mirëmbajtjen e monumenteve nuk është zgjedhja e duhur, ndalet edhe tek monumentet që janë në rrezik.
“Kishat janë më delikate. Një popull që nuk njeh të shkuarën e tij duhet që të ketë frikë nga e ardhmja. Pak a shumë që të gjitha janë sëmurë, por dikush ka rrufë edhe dikush ka apandesitë akut, më tepër për mua më delikate janë kishat, sepse një kala nëse ikën një gurë rregullohet, ndërsa aty po ikën çatia ikën piktura. Piktura pasbizantine tek ne me Onufrin dhe Nikollën është më e bukura në botë, por ne nuk kemi koshientë për këtë pikturë”, thotë Baçe.
Ndërgjegjësimi sipas tij bëhen në mënyrë të centralizuar, jo vetëm nga IMK.
“Mendoj se kjo gjë bëhet në mënyrë të centralizuar. Nuk mundet që t’i kërkohet Institutit të Monumenteve, sot mund të jetë më mirë sa ka qenë në kalimin e kaluar. Me 6 mln dollarë që Edi Rama bën Velierën, shëmton Durrësin edhe shkel ligjet, se në zonën A askush nuk mundet që të hyjë. Me 6 mln dollarë rregullohen të gjitha monumentet e kulturës në vend”, vijon Baçe.
Ndërsa, sa i përket mungesës së specialistëve ai përfundon, se në vendin tonë specialistë të përgatitur ka, por sa herë që ndërrohen qeveritë shkarkohen edhe ata.
“Kur kam qenë drejtor IMK u përgatit një brez shumë i mirë i piktorëve dhe i arkitektëve, nuk mund të them se shkëlqenin nga ana shkencore, por nga ana profesionale ishin shumë mirë. Kur kam shkuar në institut, pashë se nuk ishte asnjë nga këta, janë hequr”, përfundon ai.
Të gjitha vizitat në institucionet në varësi të Ministrisë së Kulturës në këtë ditë janë falas.
Gazeta Shqiptarja.Com