24 Shkurt 2023

Nga RIGELS SELIMAN

“… ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj pohoi se nuk ka qenë kaq i fuqishëm sa të quhej ‘koka e inceneratorëve’, sa të lëvizte qeverinë., duke shigjetuara hapur kryeministrin Rama”.

Ashtu siç gazeta “SOT” e ka paralajmëruar prej ditësh, ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj dhe kryeministri Edi Rama tanimë duket se kanë hyrë në një “luftë” të fortë politike, duke kërcënuar hapur njëri-tjetrin, madje duke i treguar edhe burgun. Deputeti socialist, Arben Ahmetaj ka folur dje në studion e emisionit “Opinion” në TV Klan për herë të parë për aferën e inceneratorëve dhe lidhjet me krerët e kompanive që dyshohet se është paguar prej tyre.

Në SPAK ka një padi ndaj tij se Klodian Zoto i ka pagur disa udhëtime në hotele luksoze jashtë vendit, por Ahmetaj është justifikuar, duke mohuar akuzat dhe zënë be kokën e vajzave se nuk ka lidhje me inceneratorët. “Në inceneratorët e Elbasanit, Fierit dhe i Tiranës, unë kam zero përfshirje në procedurë”, deklaroi ai.

Më tej ish/ zv-kryeministri Arben Ahmetaj ka sulmuar hapur kryeministrin Edi Rama, pas deklaratave të këtij të fundit një javë më parë, ku i sugjeroi të gjejë avokat sepse ai nuk e ndihmon dot. Ahmetaj u shpreh se nuk i ka kërkuar kurrë ndihmë, teksa e paralajmëroi Ramën që të bëjë rolin e kryeministrit dhe jo të gjykatësit. “Unë Ramës nuk i kam kërkuar asnjë herë ndihmë. Nuk do desha të isha në vendin e kryeministrit që të bëja gjykatësin. Ai për mua sikundër i kam sugjeruar, të bëjë punën që di të bëjë më mirë, atë të kryeministrit  dhe jo të gjykatësit”, u shpreh ai.

Ndërkohë Arben Ahmetaj është pyetur nëse kryeministri Edi Rama është gjithashtu i përfshirë në lidhje me inceneratorët. Ahmetaj tha se gjithçka që po bëhet është një infrastrukturë mafioze kundër tij. Ai nuk dha një përgjigje të prerë për përfshirjen ose jo të Ramës, por dha një mesazh. “Jeni në vete apo jo? E para dhe mbi të gjitha, dua të bëj një sqarim. Unë kam 33 vjet që punoj dhe perceptimi është krijuar, ia kanë dalë, kanë ngritur një perceptim negativ kundër meje. Është një miks. Kjo është një infrastrukturë mafioze ndaj meje. Unë sot kam shumë të qartë këmbët dhe duart e përpjekjes, trupin dhe kokën do e kem shumë shpejt”, shtoi ai.

Sakaq, ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj pohoi se nuk ka qenë kaq i fuqishëm sa të quhej ‘koka e inceneratorëve’, sa të lëvizte qeverinë., duke shigjetuara hapur kryeministrin Rama. “A jam takuar në Maltë me Klodian Zoton? Kurrë! Ti flet me kolegët e mi dhe mua nuk ma thonë. Pse nuk e thonë në SPAK, i ftoj ta thonë në SPAK. Ti duhet të shohësh letrat. Si ka mundësi të jesh ‘koka’ e inceneratorëve dhe të kesh fuqi të mbinatyrshme dhe të marr gjithë kolegët dhe ta bëj të gjithën këtë. Nuk kam qenë aq i fuqishëm që të vë në lëvizje qeverinë, bashkinë. Duhet të isha guru që të marr kryeministrin. Janë investime të domosdoshme në përputhje me vizionin e qeverisë. si je ‘koka’ kur ke lënë letra që refuzojnë financimin? Tirana i takon privatit. Këto po i quaj provokime. Cilët kolegë janë?’, tha ai për “Opinion”.

Ahmetaj: Nuk më ka pagur asnjë udhëtim Klodian Zoto

Po ashtu, ish/zv-kryeministri Arben Ahmetaj ka mohuar dokumentet që kanë dalë në media se ai ka përfituar udhëtime luksoze të paguara nga bosi i inceneratorëve, Klodian Zoto. Edhe pse gazetari i nxori faturat dhe komunikimet me email nga hotelet, Ahmetaj vijon të mohojë se s’ka lidhje. “O Blendi, unë nuk kam nevojë për të më sponsorizuar ato udhëtime. Ti më njeh. Nuk kam udhëtuar kurrë me të. Nuk kam pasur kurrë kartën e tij në dorë. Blend Fevziu, sulmi nuk është fakt, por është fakt i mercenarit. Nuk është asgjë e vërtetë. Po të jap autorizim, se skam kohë të merrem me këto. Veten e kam të pastruar, madje deklarim që nga 98-ta fije për pe. Sikur gjysma e politikanëve ta bënin atë që kam bërë unë…”, tha ai, teksa iu hakërrye më pas edhe gazetarit Adriatik Doçi, i cili ndërhyri Live në emision dhe deklaroi se merr përgjegjësi penale nëse faktet që ai ka nxjerrë nuk janë autentike.

Ish-zv/kryeministri flet për Alda Klosin

Nga ana tjetër, ish-ministri Arben Ahmetaj ka folur dje për herë të parë edhe për ish-vartësen e tij Alda Klosi, e cila ndodhet pas hekurave për fshehje të pasurisë. Ahmetaj tha se me Klosin kishte pasur marrëdhënie pune korrekte, ndërsa telefonata e fundit me të ishte në tetor. “Jo nuk është e vërtetë! (Se ka telefonuar) E dija që kryeministrit i bëre 2 pyetje. Heqja e vëmendjes është instrument. Jo nuk është e vërtetë që ka qarkulluar emri im. Janë dy-tre media. S’të kërkova ndihmë. sa i përket personit në fjalë, Alda Klosi, s’jam te historia; përgjegjësi a është personale, se ajo është përgjigja e fundit. Erdhi nga Ujësjellësi i Tiranës, ka shkuar te Ministria e Financave, dhe ka qenë vetëm 9 muaj aty. Në sytë e mi ka qenë një punonjëse korrekte. Ka qenë gjithçka zyrtare, kam folur vetëm në herë në telefon diku nga fillimi i tetorit. I pyesja ‘ça bëni? ku keni nisur punë?’. Sugjerimi im ka qenë; ndiq procedurën ligjore dhe denonco. Sot ajo është para përgjegjësisë, e ka përgjegjësi para drejtësisë. I uroj që t’ia dalë.”, nënvizoi Ahmetaj.

Gazeta Sot