Arben Malaj tregon debatin me Ramën për modernizimin e Partisë Socialiste: Ai donte që…
19 Janar 2025
Arben Malaj, i ftuar në njëstudio televiziv, tregoi debatin që ka bërë me kryeministrin Edi Rama për modernizimin e Partisë Socialiste.
“Unë kisha idenë që PS-ja duhej të demokratizohej përpara se të vinte në pushtet, ndërsa Rama kishte idenë që të vinim një herë në pushtet e më pas të demokratizohej. Kur sot diskutohet nga të gjithë se pse është thelluar pabarazia, një nga tezat është shpërbërja e sindikatave. Nuk ka më palë që negociojnë me njëra-tjetrën. Zakonisht, punëdhënësit nuk i duan sindikatat. Të kishte përfaqësues të PS dhe të thonë që sindikatat pengojnë ekonominë do të thotë që është fshirë ndarja mes të djathtës e të majtës”, shpjegoi Malaj.
“Është modeli i lidershipit që u krijua. Të gjithë kanë merakun e mbijetesës. Duke mos pasur një karrierë të mirëfilltë, duke mos ardhur nga Akademia e PS, ata e shikojnë fatin e tyre vetëm te lideri. Fushata që nisi në PS me ardhjen e Edi Ramës ishte ajo kundër “xhaketave të vjetra”. Në fakt, ne ishim rreth 50 vjeç, njerëz me integritet”, shtoi Malaj.
Anëtari i Partisë Socialiste foli edhe për atë që nuk shkon me Reformën në Drejtësi.
“SPAK nuk është zgjidhje shqiptare, por përshtatje e një programi për të pastruar drejtësinë nga korrupsioni. Janë 140 mijë dosje që presin, me 3 veta për familje janë 420 mijë persona në gjyq. Më e keqja është se aty ka probleme prone dhe pushimesh nga puna. Shqiptarët ikin jo vetëm për pagat, por nuk gjejnë respektin institucional dhe ligjor. Kemi probleme shumë të mprehta te administrata publike dhe të gjyqësori”, tha Arben Malaj.