Arber Brahaj eksperti i pasurive të paluajtshme

Arber Brahaj Ekspert i Pasurive të Paluajtshme: – Qiratë e apartamenteve në Tiranë janë rritur deri 20%,

16 Shkurt 2022

Të gjesh shtëpi me qira ekonomike në Tiranë është e pamundur dhe sipas ekspertëve të pasurive të paluajtshme shtrenjtimi deri në 20 % më shumë ka ndodhur për shkak të kërkesave të larta edhe si pasojë e rindërtimit.

Shembjet e banesave në kuadër të rindërtimit, kanë rritur kërkesën për shtëpi me qira në Tiranë, por me çmim ekonomik.

“Ka shumë familje në Tiranë që duhet të lëvizin, si pasojë e investimeve në zonën e 5 majit, në Zonën e Kombinatit pritet të filloj zona e Shkozës, dhe ka kërkesë për apartamente me qira. Këto lëvizje ushtrojnë mbi tregun. Bonusi që marrin nga Bashkia nuk mjafton dhe të gjitha familjet nxjerrin nga xhepi i tyre. Kërkojnë qira ekonomike, që janë 200-300-400 lekë për metër katror, në zona periferike të Tiranës”, shprehet eksperti i pasurive të paluajtshme Arbër Brahaj.

Të gjesh shtëpi me qira ekonomike në Tiranë është tepër e vështirë, por cilët janë faktorët e këtij shtrenjtimi?

“Ka pasur një rritje çmimesh për shitjet që vjen si pasojë e rritjes së materialeve të ndërtimit për ndërtesat e reja. Hekuri është shtrenjtuar me 80%. Kjo gjë ka sjellë edhe një rritje çmimesh me 5-6% të shitjeve në vitin që kaloi. Ndërtimet e reja që futen në treg kanë qira shumë të larta, pasi dhe vlera me të cilat janë blerë kanë qenë më të larta. Faktori kryesor që nuk mund të shmanget është kërkesa. Në Tiranë ka kërkesë për pasuri të paluajtshme, duke qenë e tillë, çmimet janë rritur dhe do të vazhdojnë të rriten”, thotë Brahaj.

Faktor tjetër që po ndikon në rritjen e kërkesës për prona është edhe amortizimi i pallateve të komunizmit.

“Duke qenë se po përballemi me amortizim të pallateve të komunizmit të pallateve të vjetra, ka një kërkesë shumë të lartë për pasuri të paluajtshme për ndërtimet nga 2010 e më pas. Kjo është ndërrim gjenerate për ndërtimet e reja. Kjo gjë do të vazhdoj edhe për 2-3 vitet e ardhshme”, pohon Brahaj.

Çmimet më të larta si për shitje dhe për qira janë në zonat që kanë dalje të shpejtë nga Tirana.

“Qiratë më të shtrenjta dhe rritjet më të mëdha janë në zonat që ofrojnë mundësinë për të dalë më shpejt nga Tirana. Autostrada për në Durrës, Rruga Kavajës, Muhamed Gjollesha, rruga Dritan Hoxha, Jordan Misja. Janë zona që të lejojnë daljen e shpejtë nga Tirana, këto janë zonat që kanë pasur rritjen e lartë të çmimeve. Rritja ka qenë me 10-20% që nga fillimi i pandemisë. Pjesa e liqenit, diga apo liqeni i thatë kanë rritje 5-10%”, shprehet Brahaj.

Eksperti imobilar sqaron se të gjitha ndërtimet e reja që po bëhen, në rast se kanë pak apartamente janë shumë më të kushtueshme.

Arber Brahaj eksperti i pasurive të paluajtshme

“Kur ndërtimet janë me volum të lartë, çmimet janë më të ulta. Kur ndërtesat janë me volum të ulët, çmimet janë tepër më lartë. Në këto ndërtime çmimet janë 10% më të larta”, pohon ai.

Nga: Eliza Gjediku

Gazeta Shqiptarja.com