Arbërit dhe Europa e shekujve X-XI. –
Nga: Jahja Drancolli. –
Krahas kronikave të Raguzës, të cilat njoftojnë fuqimisht për praninë e arbërve në trevat e tyre etnike gjatë shekujve V-XI, një njoftim tjetër i po kësaj problematike, është burimi që fshihet në një tekst të vjetër bullgar, që daton nga koha e Pjetrit, Borisit ose e Samuilit, perandorë bullgar (927-1014). Dokumenti në fjalë është riprodhuar edhe në një dorëshkrim cirilik nga shekulli XVII (1628), i cili do ta shohë dritën për herë të parë në vitin 1934 nga studjuesi Grujiq. Në të vërtetë, është fjala për një fragment të shkëputur nga një legjendë nga periudha e perandorëve bullgarë të përmendur më sipër, ku autori përpiqet, në një formë të pyetjes dhe përgjigjes për të shpjeguar origjinën e popujve dhe gjuhëve të Europës së atëhershme.
Së këtejmi, autori i këtij burimi të rrallë edhe për historinë tonë të moçme, qytetërimin botëror dhe në veçanti atë europian e kishte ndarë në shtatëdhjetë e dy gjuhë dhe tri kategori fetare: 1. Orthodokse, 2. Gjysmë besimtare (jo të krishtere ortodokse ose romano-katolik) dhe, 3. Jobesimtare. Sipas burimit, që e kemi në dorë spikatën pesë gjuhë ortodokse: greko-bizantine, bullgare, siriane, ibero-gjeorgjiane, dhe ruse. Tre prej tyre zotërojnë edhe alfabetin ortodoksë: greko-bizantin, bullgar dhe ibero-gjeorgjian. Ndërsa, në vargun e popojve të quajtur gjysmë besimtarë ose romano-katolik, veçohën dymbëdhjetë gjuhë, të cilat fliteshin nga: 1. Alamanet, 2. Frënget, 3. Hungarezet, 4. Indoeuropianet, 5. Jakobitet (Skocezet), 6. Armenet, 7. Saksonet, 8. Leçet, 9. Arbëroret, 10. Kroatet, 11. Hizet, dhe 12. Gjermanet.
Burimi: Faksimili i dokumentit të viteve 927-1014, riprodhim i shekullit XVII!