Ariu i murrmë krijon panik në dy fshatra të Dibrës, tmerrohen banorët: – Na vjen pranë shtëpisë
2 Dhjetor 2024
Banorët e dy fshatrave në Bashkinë Dibër, Grevë dhe Erebarë po përballen me kërcënimin nga kafshët e egra. Sipas tyre, ariu i murrmë ka arritur të shkojë deri tek shtëpitë, duke i vënë në rrezik për jetën.
Misir Kryemadhi nga fshati Grevë tregon se ariu është kthyer në problem shqetësues pasi ju ka shkuar deri tek shtëpitë. Ai tregon se e kanë të pamundur ta mbajnë larg, pasi është kafshë e rrezikshme dhe nuk ju lejohet ta vrasin.
Në të njëjtën situatë ndodhen edhe banorët e fshatit Erebarë. Blerim Dakja tregon se prania e ariut në fshat është shqetësuese dhe e rrezikshme. Sipas tij, mbërritja e kafshës së egër deri pranë banesave është shqetësim i shumëanëshëm jo vetëm për blegtorinë apo prodhimet e tjera, por edhe për vetë njerëzit.
Ariu i murrmë është përfshirë tek speciet në mbrojtje në vendin tonë dhe vrasja e tij është e ndaluar me ligj.
Gazeta Sot