Arkeologët prezantojnë mumjet para-kolumbiane të fëmijëve të flijuar në Peru
Arkeologët prezantojnë mumjet para-kolumbiane të fëmijëve të flijuar në Peru
23 Shkurt 2022
Arkeologët në Peru kanë zbuluar 20 mumje prehispanike, mes tyre edhe fëmijë, që besohet se janë flijuar për një figurë elitare, në një zonë afër qytetit të Limës. Këto gjetje zbulojnë më shumë rreth praktikave funerale dhe ritualeve në periudha që variojnë nga 800 deri në 1000 vjet pas Krishtit.
Arkeologët peruanë kanë prezantuar mbetjet e 20 mumjeve, përfshirë tetë fëmijë, midis 800 dhe 1200 vjeçare, të cilët u flijuan për një figurë elitare në Cajamarquilla, në periferi të Lima.
“Gjetëm një grup prej 20 personash, duke përfshirë 12 të rritur dhe 8 fëmijë, të cilët u varrosën në një zonë ngjitur me varrin e mumjes në Cajamarquilla,” u tha gazetarëve arkeologu Pieter Van. Dalen, përgjegjës për projektin Cajamarquilla.
“Ky zbulim na lejon të mësojmë më shumë rreth praktikave funerale, ritualeve në këtë zonë kaq afër Limës në periudha që variojnë nga 800 deri në 1000 vjet pas Krishtit,” tha Van Dalen.
Ekipi i arkeologëve dhe përfaqësuesve të Universitetit të “San Marcos” gjeti në fillim të shkurtit në Cajamarquilla gjashtë vende funerale me fëmijë dhe mumje të një personazhi të rëndësishëm të asaj qendre të lashtë arkeologjike.
“Zbulimi i kaq shumë njerëzve këtu na kujton raste të tjera si Zoti i Sipanit ku ai u varros i shoqëruar nga gruaja, fëmijët dhe shërbëtorët e tij,” tha ai.
Zoti i Sipanit ishte një sundimtar i lashtë Mochica i shekullit të 3-të, një kulturë që dominonte veriun e Perusë së lashtë. Eshtrat e tij u zbuluan në korrik 1987.
Perëndimi i mbyll dyert Rusisë, Shtëpia e Bardhë anulon samitin Putin-Biden
“Shumë nga këta persona janë sakrifikuar, ne kemi identifikuar mbetjet e eshtrave dëshmi të goditjeve dhe lëndimeve të rënda që kanë shkaktuar vdekjen e tyre”, shtoi ai.
Mumjet parahispanike ishin nga Kultura Wari, një qytetërim që lulëzoi në qendër të Andeve nga afërsisht shekulli i 7-të deri në shekullin e 13-të pas Krishtit. Cajamarquilla konsiderohet një qytet që mund të kishte strehuar nga 10,000 deri në 20,000 njerëz në një total prej 167 hektarësh. Është ndërtuar rreth vitit 200 para erës sonë dhe ka qenë i pushtuar deri në vitin 1500.
Nga Besmira Pelushaj
Tv Oranews