ARKEOLOGJI: – Lokaliteti arkeologjik i Dresnikut Kline.
Lokaliteti arkeologjik i Dresnikut Kline.
Lokaliteti arkeologjik i Dresnikut gjendet në fshatin Dresnik i Poshtëm, rreth 1.5 km në lindje të qytetit të Klinës dhe shtrihet në mes të fshatit dhe lumit Drini i Bardhë. Dresniku është një prej lokaliteteve arkeologjike më të rëndësishme jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon. Gërmimet e vazhdueshme kanë rezultuar më gjetje shumë interesante dhe të rëndësishme për njohjen e qytetërimit të hershëm në Kosovë.
Gjate gërmimeve të viteve 2012-2015, janë identifikuar disa monumente arkitekturore prej të cilave veçohet Aula me përmasa të mëdha. Kjo lloj Aule mund ti përket vetëm pallateve të asaj kohe. Përveç madhësisë se objektit, ky monument veçohet për shkak të dyshemeve të tëra të mozaikut polikrom. Pallati është i vendosur në qendrën e këtij lokaliteti, dhe gjithashtu është identifikuar muri rrethues me gjerësi 3,7 metra dhe 3 kulla që karakterizohen nga madhësia dhe trashësia e mureve. Brenda mureve është gjetur edhe një kompleks banimi në të cilën u identifikuan gjurmë të pikturave murale të hipokausteve që dëshmojnë nivelin e lartë shoqëror, ekonomik dhe artistik të banorëve të këtij kompleksi. Po ashtu janë gjetur edhe shumë monedha të perandorëve të ndryshëm romak të shekullit III dhe IV si dhe disa copëza të shtatoreve të punuara nga mermeri, pra bëhet fjalë për një ‘’Municipium’’ (qytet antik). Bazuar në vlerat historike, arkeologjike, artistike dhe shkencore, aseti lokaliteti arkeologjik i Dresnikut në vitin 2016 është shpallur në mbrojtje të përhershme nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.